1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia reagon ndaj sanksioneve të SHBA

15 Gusht 2018

Qeveria Erdogan mori nga ana e saj masa ndëshkimore kundër SHBA. U rritën në mënyrë drastike doganat për importin e automjeteve, të duhanit dhe të pijeve alkoolike - pavarësisht nga gjendja e keqe ekonomike e Turqisë.

https://p.dw.com/p/33BaR
US-Produkte Made in America
Fotografi: Reuters/F. Bensch

Turqia ndjek parimin e reciprocitetit, pas "sulmeve të qëllimshme të qeverisë së SHBA", shkroi në twitter zëvendëspresidenti Fuat Oktay. Siç bëri të ditur gazeta zyrtare "Resmi Gazete", nga sanksionet e reja turke preken 22 produkte. Për veturat, dogana e importit dyfishohet në 120 përqind, në pijet alkoolike dogana rritet në 140 përqind dhe tek duhani 60 përqind. Edhe për importe të tjera amerikane do të ketë në të ardhmen dogana më të larta, midis tyre për produktet kozmetike, orizin dhe qymyrin.

Që të martën, Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan shpalli një bojkotim të mallrave elektronike nga SHBA, si reagim ndaj dekretit të Presidentit të SHBA, Donald Trump për t'i dyfishuar doganat ndëshkimore për produktet e çelikut dhe të aluminit nga Turqia.

Doganat ndëshkimore të SHBA kanë bërë që monedha vendase Lira të humbasë në mënyrë masive vlerën. Rënia e Liras ndikoi edhe në tregjet ndërkombëtare të aksioneve. Erdogani foli për një "luftë ekonomike".

Prifti Andrew Brunson
Prifti Andrew BrunsonFotografi: picture-alliance/dpa/AP Photo/E. Tazegul

SHBA kërcënojnë me masa të tjera

Grindja midis partnerëve të NATO-s Turqi dhe SHBA u ndez për shkak të rastit të Andrew Brunson. Ankaraja nuk e lejon që prej dy vjetësh të largohet nga vendi priftin protestant të SHBA. Një gjykatë turke në Izmir refuzoi të mërkurën (15.08.) sërish një kërkesë që Andrew Brunson të lirohet nga arresti shtëpiak.

Hetues turq e akuzojnë Brunsonin për lidhje me klerikub që jeton në SHBA, Fetullah Gylen, i cili sipas qeverisë turke ka organizuar përpjekjen për puç kundër Erdoganit para dy vjetësh.

Të martën qeveria e Trumpit kërcënoi me presion tjetër ekonomik, po të mos lirohet Brunsoni. Nëse në ditët në vazhdim ose në javën e ardhshme në këtë drejtim nuk ndryshon gjë, SHBA do të marrin masa të tjera, i tha një përfaqësues i zyrës Presidenciale agjencisë së lajmeve Reuters.