1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia të njohë pavarësinë e Qipros

Bernd Riegert2 Shtator 2005

Turqia nuk do t'i nënshtrohet presionit përsa i përket çështjes qipriote. Kryeministri Rexhep Taip Erdogan shprehet, se Turqia ka plotësuar kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian

https://p.dw.com/p/ArDQ
Ministri i jashtëm turk, Abdullah Gyl në Bruksel
Ministri i jashtëm turk, Abdullah Gyl në BrukselFotografi: AP

Bashkimi Evropian me përvojë në zgjerim, i cili nga fillimisht gjashtë është zgjeruar në 25 anëtarë nuk e ka patur asnjëherë kaq të vështirë si tani me kandidaten e radhës - Turqinë. Dhe asnjë vend kandidat deri më tani nuk ka qenë kaq fleksibil si Turqia. Nganjëherë krijohet përshtypja se Bashkimi Evropian është kandiduar për antarësim në Turqi e jo anasjelltas. Metrat e fundit në rrugën e gjatë për fillimin e negociatave me 3 tetor sa vijnë e kthehen në një sprovë durimi.

Për të dyja palët tani në pengesë është kthyer aplikimi i Unionit doganor në mes të Turqisë dhe Qipros. Ministri i jashtëm turk Abdulla Gyl është tërhequr në guacën e tij nacionaliste dhe refuzon të lejoj anijet qipriote në portet turke. Një gjë e tillë sipas interpretimit turk do të thoshte njohje indirekte e Republikës së Qipros. Nga ana tjetër Qipro është anëtare e Bashkimit Evropian. Sovraniteti i saj shtetëror dhe legjitimiteti si përfaqësues i të dy pjesëve të ishullit nuk pranohet nga qeveria në Ankara e cila njeh vetëm veriun turk të izoluar ndërkombëtarisht.

Tani Bashkimit Evropian po i hakmerret pranimi i ishullit të ndarë mes Greqisë dhe Turqisë para zgjidhjes së konfliktit të vjetër mbi 30 vjet. Tani hakmirret që qipriotët grek ishin ata që refuzuan planin e Kombeve të Bashkuara për ribashkim ndërkohë që pala turke kishte lëvizuar nga pozitat e saj. Ankaraja moralisht e ndjen veten në rrugë të drejtë. Megjithatë edhe pse për shumëkend çështja e Unionit Doganor duket imtësi mund t'i kushtoj me dështim hapit historik për fillimin e negociatave për pranim të Turqisë në Bashkimin Evropian.

Edhe njëherë takimi i ministrave të jashtëm të BE-së tregoi se vendet anëtare nuk janë unike. Ministrat nuk arritën të bijnë dakord për asnjë tekst të nevojshëm për fillimin e negociatave të cilat duhet të fillojnë pas katër javësh. Kampi i vendeve të cilat e shohin me sy kritik pranimin e Turqisë në BE sa vjen e rritet. Andaj nuk është në të mirë të Turqisë që me retorikë të ashpër të provokoj Bashkimin Evropian. Kërcënimi i ministrit të jashtëm turk Abdullah Gyl se Turqia do të tërheq kërkesën për antarësim nëse BE-ja nuk ndryshon qëndrimin e saj ndaj çështjes qipriote është kontraproduktiv.

Në bisedimet joformale të ministrave u bë fjalë për komunikata, kundërkomuniakata, paragrafe dhe norma juridike ndërkombëtare. Qëllimi i vërtetë, në fakt vizioni i integrimit në Bashkimin Evropian të një vendi mysliman dhe demokratik, u përmend pak. Bashkimi Evropian dhe kandidati i saj nuk e presin krahëhapur njëra tjetrën siç ishte rasti deri tani me vendet tjera kandidate për antarësim. Turqia dhe grupimet e ndryshme në Bashkimin Evriopian e përgjojnë në pusi njëra tjetrën. Në këtë mes sundon mosbesimi. Pasigurinë e shton edhe mundësia e fitimit të zgjedhjeve nga Unioni Kristiandemokrat-Kristiansocial në Gjermani i cili është kategorik kundër antarësimit të plotë të Turqisë në Bashkimin Evropian.

Edhe nëse me 3 tetor do të fillojnë negociatat për antarësim mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë ato do të jenë nën ndikimin e një klime jo të mirë e cila duhet të ndryshoj pastaj gjatë procesit të negociatave. Nëse jo atëherë është pak e mundur që gjatë procesit të ratifikimit të gjitha vendet të miratojnë zgjerimin kur dihet se pjesërisht për këtë parashihen edhe referendume popullore.