1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqit presin nga gjermanët dashuri të ndërsjelltë

6 Tetor 2006

Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Turqi ka nxitur shumë komente në shtypin gjerman.

https://p.dw.com/p/Arnc
Angela Merkel dhe Recep Tayyip Erdogan
Angela Merkel dhe Recep Tayyip ErdoganFotografi: AP

Gazeta Frankfurter Algemeine Zeitung duke komentuar vizitën e kancelares Angela Merkel në Turqi shkruan:

Siç duket interesi më i madh si i kancelares Merkel ashtu dhe i kryeministrit turk, Erdogan gjatë takimit të parë që zhvillohet në Ankara ka qenë të ulen tensionet e acarimit të marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Turqisë. Erdogan ka folur me tone shumë miqësore për Gjermaninë, edhe pse ai e di se Angela Merkel është skeptike sa i përket pranimit të Turqisë në BE. Po ashtu miqësore ishin edhe fjalët e Angela Merkelit lidhur me integrimin e turqve që jetojnë në Gjermani. Kokë më kokë, shefi i qeverisë turke dha ajo e qeverisë gjermane biseduan shumë haptazi për çështje, siç është problemi i njohjes së Qipros nga ana e Turqisë.


Në komentin e saj për këtë temë, gazeta "Volksstime" shkruan:

Angela Merkel shprehu shumë lavdata në Ankara mbi marrëdhëniet ekonomike gjermano-turke. Mirëpo, këto lavdata nuk e ndaluan hovin e kryeministrit turk Erdogan për të shtruar në qendër të bisedimeve kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ai ka sinjalizuar indirekt gadishmërinë që të pranojë Qipron, duke nënvizuar qartë vullentin e vendit të tij për tu bërë anëtar i BE-së. Në këtë pikë edhe gjatë kohëve të fundit janë shprehur dyshime, sidomos për mungesën e vullnetit të duhur në zhvillimin e reformave në Turqi. Angela Merkel ka folur kundër antarësimit të Turqisë, por duke e patur parasysh edhe politikën e BE-së, e cila është duke zhvilluar bisedime.

"Ostsee-Zeitung" vlerëson:

Nëse flitet për marrëdhënie të veçanta të Gjermanisë ndaj një shteti islamik, këtu hyn Turqia. Ka më shumë se 100 vjet që turqit janë duke shikuar me shumë kureshtje dhe entuziazëm kah vendi ynë, çka na bën krenar ne gjermanëve, por na bën edhe të kemi frikë për shkak të përgjegjësisë që kemi. Turqit presin nga ne dashuri të ndërsjelltë dhe jo tjeter gjë pos nje mbështetje me kompromise në rrugën e tyre të gjatë drejt BE-së. Por kancelarja gjermane, gjatë vizitës së saj të djeshme në Ankara nuk e kishte parasysh këtë.

Ndërsa sipas gazetës "Badisches Tagesblatt" :

Kryeministri i Turqise Erdogan dhe qeveria e tij kanë dashur të mbijetojnë politikisht, vetëm se për projektin e antarësimit të vendit në BE kanë edhe mbështetjen e popullsisë vendase. Për këtë arsye, Erdoganit nuk i mbetet tjetër përveç se të vazhdojnë në mënyrë konsekuente drejt BE-së, me apo pa mbështetjen e Merkelit.

"Dresdener Zeitung" shkruan se:

BE ka nevojë për Turqinë si një partner racional, ndonëse Turqia si kurrë më parë vazhdon të jetë larg BE-së. Kjo është koha e fundit e politikës së deritanishme. Për ish-kancelarin Gerhard Shrëder, në Turqi thuhet se ishte miku më i madh politik që Turqia kish në Gjermani. Kancelarja Merkel, e cila është e zënë me probleme të brendshme, mundohet të profilohet në politikën e jashtme. Gjykuar nga rezoni shtetëror politik, Merkel është në kërkim të një rruge qartesimi përballë sfidës së antarësimit të plotë. Problemi i saj, pas tejkalimit të vështirësive të politikës së brendshme me Edmond Stoiberin, kryeministrin e landit të Bavarisë është se Merkel nuk duhet të bjerë në këtë çështje pre e kartës populiste të Bavarisë.