1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

D Integrationsbericht

20 Prill 2010

Sipas një studimi aktual integrimi i turqve në Gjermani lë shumë për të dëshiruar. Asgjë e re. Më e rëndësishme do të ishte, sikur ata të ndihmoheshin dhe kjo kërkohet nga Gjermania.

https://p.dw.com/p/N0vT
Turqit të fundit në integrim
Turqit të fundit në integrimFotografi: dpa - Bildfunk

Sapo është prezantuar një studim, që nxjerr në pah problemet më të mëdha të integrimit të turqve në Gjermani. Rezultati nuk është befasues: në të gjitha disiplinat duke filluar nga shkalla e anafabetizmit tek gratë, dallimet sociale në bazë të shkallës së përfitimit të ndihmave sociale Hartz 4, deri tek niveli i arsimimit shkollor dhe profesional turqit janë dhe mbeten në fund të tabelës.

Më keq nuk bëhet

Ajo që bie në sy menjëherë tek kjo analizë, është se gjendja nuk do të ndryshojë aq shpejt për të mirë. Nga njëra anë përgjegjëse për origjinën e mjerimit të sotëm mund të përmendet faza e gjatë e verbimit të politikës gjermane. Ajo nuk deshi për një kohë të gjatë ta pranontë se Gjermania është vend i emigracionit. Ajo po jetonte me iluzionet se të ashtuquajturit "gastarbeiter"(punëtorët e huaj) pas përfundimit të punës së tyre do ta pranonin statusin e tyre si "mysafirë" dhe do të ktheheshin në atdhe. Në rastin e turqve kësaj iu shtua edhe tolerenca e interpretuar gabimisht: Autoritetet gjermane injoruan të dhënat për indoktrinimin e fëmijve në kurset e Kuranit, qysh në orët e hershme të mëngjesit para fillimit të mësimit në shkollë.

Bahaeddin Güngör
Bahaeddin GüngörFotografi: DW

Nga ana tjetër që prej 11 shtatorit të vitit 2001 feja e turqve shihet si kontradiktë me rrënjët e krishtera dhe hebraike të Evropës, ndërsa Turqia si vend, që "nuk bën pjesë në familjen evropiane". Njëkohësisht natyrisht që nuk mungojnë fjalët sa për të larë gojën për "miqësinë tradicionale dhe historike", për "aleancën ushtarake besnike" dhe për "partneritetin e besueshëm ekonomik". Kjo dyfytyrësi është mësim për turqit në Gjermani: ata vazhdojnë të vetëizolohen duke krijuar një botë të tyren, edhe pa njohuritë e gjuhës gjermane. Sot një familje turke mund ta bëjë rrugën nga salla e lindjes deri në varreza pa pasur nevojë të flasë gjuhën gjermane, apo të ketë kontakte sa për alibi me gjermanët.

Por si mund të ndryshohet kjo gjendje?

Kjo duket të jetë e mundur vetëm nëse nga durimi i dikurshëm dhe toleranca e mëvonshme përfundimisht turqit të pranohen si qytetarë të barabartë. Standardet e dyfishta në raport me turqit duhet të marrin fund. Grekët, italianët, spanjollët dhe qytetarët e tjerë të krishterë nga vendet e BE-së nuk kanë frikë të kthehen e të vizitojnë vendlindjet e tyre për shkak se në çdo moment ata mund të kthehen sërish në Gjermani. Kështu për shembull në mes të Italisë dhe Gjermanisë në verë dhe në dimër kemi një zhvendosje sezonale.

Ndërsa turqit për shkak të regjimit të vizave, i cili është përbuzës për dinjitetin njerëzor, nuk janë të lirë të vendosin se ku dëshirojnë të jetojnë dhe të punojnë. Vetëm kur kushtet për turqit do të jenë të barabartë me grekët, italianët, apo spanjollët dhe jo vetëm në aspektin e regjimit të vizave, studimet si ky i tanishmi mund të kenë një kuptim më të gjerë, i cili nuk do të konfirmonte vetëm dallimet e thella në mes të grupeve të ndryshme të popullisë në Gjermani.

Autor: Bahaeddin Güngör/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama