1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukrainë: Luftë për pushtet midis shtetit dhe popullit

Ute Schaeffer22 Nëntor 2004

Manipulohen ecuria dhe përfundimi i zgjedhjeve

https://p.dw.com/p/ArFl
Përkraheës të opozitës duke festuar pas shpalljes së anketimeve paszgjedhore
Përkraheës të opozitës duke festuar pas shpalljes së anketimeve paszgjedhoreFotografi: AP

Beteja midis shtetit dhe popullit vazhdon në Ukrainë. Përkundër anketimeve të zgjedhësve dhe tendencave të para pas mbylljes së qendrave të votimit sipas komisionit zgjedhor kryetari i qeverisë Viktor Janukoviç i ka fituar zgjedhjet presidenciale me një epërsi prej tre për qind. Përsëri pushtetmbajtësit ukrainas po i lejojnë vetes të mos e përfillin vullnetin e shumicës së popullit.

Që në raundin e parë OSBE-ja i kishte kritikuar manipulimet masive duke i vlerësuar zgjedhjet jo në përputhje me standartet demokratike. Përpara raundit të dytë klanet në pushtet e kishin rritur edhe një herë trysninë. Kështu u zbuluan menjëherë (sa çudi) dy milionë zgjedhës të rinj, kryesisht në lindjen proruse të vendit, ku votohet me shumicë për Janukoviçin. Të dielën u grumbulluan atje me autobusë njerëzit që donin të votonin. Ata mundën të votonin deri në katër qendra votimi njëra pas tjetrës. Prandaj presidenti në largim Leonid Kuçma tregohet i sigurt për fitoren: "Revolucion nuk do të ketë në Ukrainë", mendon ai. Por Kuçma mund të gabohet.

Nuk është ende e sigurt që opozita do ta pranojë rrjedhën e manipuluar të zgjedhjeve. Ajo do ta vazhdojë trysninë mbi politikën, ka bërë thirrje për demonstrata. Në to po përfshihen që tani dhjetëra mijëra vetë, pasi kasta politike nuk ka më përkrahje në popull. Në mitingjet e protestës pas zgjedhjeve u tubuan në Kiev jo vetëm akademikë dhe gazetarë, por edhe punëtorë. Po ndodhin ndërprerjet e para të punës, por ajo çka është më e rëndësishme e që injorohet nga vendimmarrësit politikë: pushtetmbajtësit nuk gëzojnë më mbështetjen e elitës së vendit. Në raundin e parë në Kiev votuan 60 për qind për Jushçenkon dhe vetëm 15 për qind për Janukoviçin.

Kështu mund të qeverisë vetëm dikush që e shehh politikën si mjet për plotësimin e interesave të veta. Arbitrarisht dhe duke respektuar vetëm përfitimin vetiak grupe nga politika dhe ekonomia po shpërfillin mendimin e popullit. Gjendja është prej vitesh e tillë, por në këto zgjedhje u tregua shumë qartë. Zgjedhjet presidenciale nuk ishin luftë programesh politike; ato janë pjesë e luftës që zhvillon një shtet tepër i fuqishëm kundër popullit të vet: kundër lëvizjes demokratike në rritje, kundër studentëve dhe gazetarëve të guximshëm, që ngritën krye hapur javët e kaluara, kundër vullnetit të një shumice prej dy të tretave, e cila kërkon më në fund ndryshime politike.

Qëndresa kundër politikanëve vetëshërbyes përreth Kuçmës dhe Janukoviçit është rritur. Ajo nuk do të pakësohet aq shpejt. Opozita ka hartuar me faks dhe e-mail një skenar konkret se di do të rezistojë me demonstrata dhe protesta kundër këtij manipulimi zgjedhor.

Udhëheqësi i opozitës Jushçenko e di fare mirë se çfarë e pret. Ai e njeh edhe rrezikun e madh të protestave të tilla, sepse duhet dyshuar që milicia ukrainase do të qëndrojë e qetë kur demonstratat të bëhen më të mëdha. Por Jushçenko ia ka dalë të bashkojë pas vetes opozitën, ta fuqizojë atë, të bëjë për vete ish-besnikë të Kuçmës në politikë dhe ekonomi.

Tani shumë do të varet nga zhvillimet e ditëve të ardhshme. Në rast se Viktor Janukoviç bëhet president me anë të një manipulimi të dukshëm Ukraina do të humbte një shans të madh dhe Evropa për një kohë të parashikueshme këtë vend.