1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukrainë: Thirrje për grevë të përgjithshme

Christiane Hoffmann25 Nëntor 2004

Protestat dhe lufta për pushtet vazhdojnë

https://p.dw.com/p/ArFh
Viktor Jushçenko me Leh Valesën
Viktor Jushçenko me Leh ValesënFotografi: AP

"Jemi shumë, nuk do të na mundni", thërrisnin dhjetëra mijëra demonstruesit në sheshin e pavarësisë kur mbrëmjen e së mërkurës Viktor Janukoviç u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale. Viktor Jushçenko që e konsideron veten fitues të zgjedhjeve e quajti shpalljen grusht shteti. Sipas tij, qeveria zgjodhi udhën më primitive, atë të shkallëzimit të gjendjes.

"Rruga e vetme drejt kompromisit që do të na ndihmonte ta zgjidhnim konfliktin është ajo e protestës publike. Prandaj Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës shpall grevë të përgjithshme. Kjo është përgjigjja jonë për paudhësitë politike të regjimit Kuçma-Janukoviç."

Më parë në komisionin qendror të zgjedhjeve kishte pasur trazira kur Sergej Kivalov, drejtuesi i komisionit zgjedhor bëri të njohura rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Përkrahës të Janukoviçit dhe të Jushçenkos thërrisnin njëri më fortë se tjetri. Kivalovit iu desh të bërtiste disa herë, qetësi.

"Sipas paragrafit 85 të kodit zgjedhor dhe në përputhje me protokollet zgjedhore të komisionit qendror të zgjedhjeve komisioni vendos që në raundin e dytë zgjedhor Viktor Janukoviç u zgjodh si president i Ukrainës."

Edhe Olexander Moros, kryetar i Partisë Socialiste dhe vetë kandidat për president në raundin e parë zgjedhor, deklaroi se vendimi ishte i paligjshëm. Sipas mendimit të tij, me këtë qeveria kërkon të vendosë diktaturën, prandaj thotë tani duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të gjejmë së bashku një kompromis:

"Çdo të thotë grevë e përgjithshme? Kjo do të thotë që t'i japim fund mësimit në shkolla dhe universitete si dhe punës në sipërmarrje. Kur të bllokojmë rrugët e transportit, atëherë pushteti do të jetë paralizuar. As milicia dhe as ushtria nuk mund të veprojnë kundër popullit kur ky është i bashkuar."

Në të njëjtën kohë pala e Jushçenkos i bëri thirrje ushtrisë që të sillet paqësisht dhe të kalojë në anën e popullit. Gjendja është e tendosur. Në Kiev është përqendruar ushtria, sipas të dhënave të qarqeve opozitare në aeroport u ulën dy avionë rusë të një njësie të ndërhyrjes së shpejtë.

Por natën e djeshme gjendja qëndroi e qetë. Demonstruesit u shpërndanë lule milicëve përpara administratës presidenciale. Një përfaqësues i sindikatës së forcave të armatosura ukrainase u bërri thirrje milicëve që të mbronin interesat e popullit ukrainas dhe të respektonin ligjin. Sipas sindikalistit, demonstruesit nuk po e shkelin ligjin, përkundrazi në rast se shkelen të drejtat e tyre, atëherë duhet t'i mbrojë milicia.

Gjendja e tendosur ka shkaktuar jehonë të madhe edhe në rrafshin ndërkombëtar. Ministri i jashtëm amerikan Powell e refuzoi si jo legjitim rezultatin e zgjedhjeve dhe paralajmëroi që të mos ushtrohet dhunë kundër demonstruesve.