1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Unë jetoj përmes artit'

Michael Köhler29 Maj 2007

Vdes piktori Jörg Immendorff

https://p.dw.com/p/AqwY
Piktori Jörg Immendorff dhe gruaja e tij Oda gjatë marrjes së një çmimi në maj 2005 në Hamburg.
Piktori Jörg Immendorff dhe gruaja e tij Oda gjatë marrjes së një çmimi në maj 2005 në Hamburg.Fotografi: dpa

Pas një sëmundjeje të gjatë në moshën 61 vjeçare ndërroi jetë piktori gjerman Jörg Immendorff. Ai vdiq në shtëpinë e tij në Dyseldorf prej pushimit të zemrës. Piktori i rëndësishëm gjerman u vuante prej vitit 1998 nga sëmundja vdekjeprurëse e prekjes së sistemit imunitar, ALS. Për shkak të keqësimit të paralizës në duar, krahë dhe këmbë ai ishte në karrike me rrota. Por Jörg Immendorff nuk i vari kryet. 'Ja që dikur mbaron', tha ai në një intervistë për shtyp. Duke filluar nga ish-kancelari Schröder, tek ministri i kulturës Neumann e deri tek kryeministri i landit të Renanisë Veriore / Vestfalisë Rüttgers Immendorf u vlerësua si piktor i rëndësishëm gjerman i kohës së pasluftës. Mbi personin dhe rëndësinë artistike një nekrologji.

Ai ishte një prej artistëve më të njohur dhe më të suksesshëm gjermanë në rrafshin ndërkombëtar. Shumica e lidhin emrin e tij me ciklin e pikturave politike të mesit të viteve shtatëdhjetë, 'Café Deutschland':

'Unë e kam parë gjithnjë ndarjen e Gjermanisë si problem botëror. Pra të dyja shtetet gjermane si zona tampon, si parakolpe të dy makinave botërore që rrezikonin të përplaseshin me njëra-tjetërën. Nuk arrija t'i merrja vesh ata që nuk e kuptonin fuqinë shpërthyese të kësaj teme.'

Piktori i lindur më 1945 në Bleckede të Saksonisë së Ulët studioi në vitet gjashtëdhjetë fillimisht art skenik tek Teo Otto dhe në 1964-ën u bë ndoshta nxënësi më i njohur i Joseph Beuys-it në akademinë e arteve të Dyseldorfit. Nga ajo kohë është edhe episodi me Immendorff-in tashmë të angazhuar, i cili ishte i pakënaqur me një pikturë dhe shkroi mbi të 'Mos pikturoni më!'. Ai donte ta hiqte atë nga kavaleti, kur erdhi Beuys-i në klasë dhe thirri: 'Lëre kështu Jörg, mirë është!'

Në pikturat e tij gjenden shpesh parrulla apo pyetje për pozicionin shoqëror të piktorit: 'Piktor, ku je ti?'

'Ja që merrem me çështje shoqërore, më trazojnë gjërat.'

Nga koha e të ashtuquajturave aksione artistike, politike 'LIDL' e fundit të viteve gjashtëdhjetë dhe nga cikli Cafe-Deutschland ka mbetur një stil të pikturuari me karakter të theksuar agjitpropi: Art pllakati me sllogane të shkruara në referime dhe simbole historike. Në mes të viteve shtatëdhjetë Immendorff-i lidhi miqësi me piktorin Penck që jetonte në Rpublikën Demokratike Gjermane:

'U morëm vesh përtej kufijve në njëfarë kontrate gjermano-gjermane që u botua në shtëpinë botuese Rogner dhe Bernhardt, një bisedë përmes akuareleve dhe fetografive. Kështu lindi para dhe pas saj seria Café Deutschland.'

Jörg Immendorff u kthye shpejt në një ngjarje shoqërore. Ai hapi një bar në Hmaburg, drejtonte një katedër në Frankfurt, dhe vuri në skenë për Festivalin e Salzburgut, nga 1996 deri në 2003-in dha mësim në akademinë e arteve të Dyseldorfit. Që prej vitit 1997 piktori vuante nga sëmundja ALS, një paralizë avancuese që prek edhe rrugët e frymëmarrjes. Ai themeloi një fondacion për studimin e sëmundjes, madje për lehtësimin e gjendjes i injektuan në Kinë edhe qeliza burimore.

Disa shohin tek ai një skenograf më të mirë, për të tjerë ai është piktori më i rëndësishëm politik i viteve shtatëdhjetë, një piktor i egër historie.

Fusha semantike e energjisë dhe zjarrit të Joseph Beuys-it, të cilën ai e ktheu në angazhim shoqëror, mbeti e vlefshme për të deri në fund:

'Jo më kot jap mësim dhe kam nevojë për këtë gërshetim me forcat e reja, të cilat më japin kurajë. Beuys-i ose Lehmbruck-u e përshkruanin këtë me fjalinë e bukur: 'Të dorëzosh pishtarin'.

Veprat e fundit kanë karakter autobiografik dhe janë krejt të ndryshme, thuajse mistik. Jörg Immendorff u martua pesë vjet më parë me Odën, një piktore bullgare tridhjetë vjet më e re, me të cilë ai ka një fëmijë. Miqësia e tij me ish-kancelarin Gerhard Schröder prodhoi një porosi jozyrtare, një portret në vaj për zyrën kancelarore. Deri në fund ai i jepte zemër vetes që të pikturonte, që të ngjiste shkallët:

'Në shkallët e piktorit kam të shkruar fjalën 'Fitore', që të mos bie në depresione. Edhe ajo është pjesë përbërëse. Por ka edhe diçka serioze në të. Çdo pikturë e miratuar prej meje, pra me të cilën unë jam dakord, është njëfarë fitoreje."

'Unë jetoj përmes artit', pati thënë njëherë Jörg Immendorff-i. Përmes artit ai do të vazhdojë të jetojë edhe pas vdekjes.