1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varfëria në Gjermani – mbi 12 milione njerez te prekur

Marie Kristin Boese / as28 Shkurt 2005

Mbi 12 milionë njerëz në Gjermani janë të prekur nga varfëria. Siç ka llogaritur Konferenca Kombëtare e Varfërisë, një në çdo tetë fëmijë jeton në nivelin e nidhmës sociale. Të varfrit vitin e kaluar janë sëmurur më shpesh. Shkak për këtë mes te tjerash perben reforma shëndetësore, në bazë të së cilës një pjesë e mirë e shërbimeve bazë janë bërë me para. Sipas Konferencës Gjermane te Varferise, sëmundjet shumë shpesh janë zvarritur, duke u bërë më pas kronike. Marie Kristin Boese informon për Dojçe Velen:

https://p.dw.com/p/Ar4S
I pastrehe
I pastreheFotografi: BilderBox

Të varfrit shkojnë më pak tek mjeku, përkujdesen më pak për shëndetin e tyre dhe si pasojë, sëmuren më shpesh e vdesin më herët. Ky është konkluzioni i Konferencës Kombëtare Gjermane mbi raportin e vitit të kaluar. Gerhard Trabert, drejtues i grupit të punës "Varfëria dhe Shëndeti":jep si shembull infarktin:

"Infarkti i zemrës, i cili më parë ishte sëmundje menaxherësh, tashmë po shfaqet gjithmonë e më shpesh tek shtresat më të ulëta të shoqërisë. Kjo ka të bëjë me mënyrën jo të shëndetshme të jetesës: ushqimin e keq, konsumimin e duhanit, mungesën e lëvizjes. Por një rol luan edhe përkujdesja shëndetësore. Pasojat janë dramatike, për shembull tek të papunët, kuota e vetëvrasjes është 20 herë më e lartë se tek të tjerët."

Gjendja e të varfërve është vështirësuar edhe më shumë për shkak të reformës shëndetësore, thotë Hans Jyrgen Markus, zëdhënës i Konferencës Kombëtare të Varfërisë. Reforma shëndetësore, që ka hyrë në fuqi që nga fillimi i vitit të kaluar, parashikon mes të tjerash, që një herë në çdo tre muaj, të paguhet një taksë për vizitat mjekësore dhe që për shumë medikamente të paguhet çmimi i plotë. Markus kritikon faktin që këtë taksë duhet ta paguajnë edhe më të varfrit: "Ne të Konferencës Kombëtare të Varfërisë kemi kërkuar që herët që nga ky rregull të hiqen ata që jetojnë nga ndihma bazë.", tregon ai.

Gjermania nuk është kaq e varfër, sa të mos jetë në gjendje ta bëjë këtë. Aq më tepër kur shpenzime të tilla nuk përbëjnë as 0.014 pikë procentuale të buxhetit të mbledhur nga kontributet për sigurimin shëndetësor. Rreth 12 milionë njerëz konsiderohen në Gjermani të varfër. Para së gjithash këtu hyjnë të papunë, migrantë, nëna me fëmijë dhe familje me mbi dy fëmijë.

"Tema e varfërisë dhe e shendetit, tregon se shteti social është i shëndetshëm vetëm në bërthamë. Pjesa tjetër ka kohë që po lëngon," – thote Markus.