1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varka është plot!

Ingo Koh19 Gusht 2006

Misioni i inspektimit evropian në brigjet e Afrikës perëndimore nuk ka qenë në gjendje të ndalojë fluksin e emigrantëve ilegalë drejt brigjeve spanjolle. Sapo kane arritur në keto të fundit disa qindra klandestinë, dy prej të cilëve nuk arritën të mbijetojnë

https://p.dw.com/p/ArAL
Emigrantë ilegalë zbarkojnë në Gran Canaria
Emigrantë ilegalë zbarkojnë në Gran CanariaFotografi: picture-alliance/ dpa

Kryeminstri i ishujve, Adan Martin, është tepër i alarmuar për gjendjen në rajon. Kritikat e tij shkojnë në drejtim të qeverise spanjolle si edhe të Bashkimit Evropian.

Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu, mendon kryeministri. Çdo ditë zbarkojnë rreth 400 emigrantë duke kërcënuar në këtë mënyrë stabilitetin dhe ekonominë tonë, thotë Martin.

"Gjendja është mjaft alarmuese. E kam theksuar shpesh herë që nuk mund të vazhdohet kështu. Çdo gjë ka arritur kufirin madje e ka tejkaluar atë."

Qendrat e pritjes në ishujt Kanari janë të tejmbushuara dhe drejtuesit nuk dinë se nga t´ia nisin më parë, për më tepër që fluksi s´ka të ndalur.

"Çdo ditë thyhet një rekord i ri tragjik", ankohet Martin duke kërkuar më shumë ndihmë. Madridi zyrtar duhet të formoje një shtab krize për të perballuar situatën. Kryeministri Zapatero është mjaftuar deri tani duke lavdëruar banorët e ishujve. Fakt ky që nuk i mjafton Martinit, i cili përllogarit shumat që u nevojiten rreth 700 emigrantëve, të cilët arritën ishullin pa familjet e tyre:

"Nëqoftëse flitet vetëm për ata që tashmë ndodhen në ishull dhe jo për ata që do të vijnë atëhere shuma që nevojitet do të ishte rreth 18 milion €."

Kjo shumë është në mënyrë të qartë tepër për krahinën e vogël autonome, duke mos harruar faktin se shpenzimet për kujdesin shëndetësor nuk janë të përfshira në të. Për këtë arsye Martin kërkon me tepër solidaritet nga krahinat e tjera spanjolle, në menyrë që edhe këto të fundit të pranojnë emigrantë. Gjatë dy javëve të fundit arritën brigjet e ishujve dy herë më shumë klandestinë se në të gjithë muajin gusht të vitit të kaluar. Por me sa duket, se askush nuk vepron, shfryn në vazhdim Martin duke mos lënë pa përmendur këtu edhe Bashkimin Evropian. Ruajtja e brigjeve afrikane nga ana e zyrës kufitare Frontex s´është gjë tjetër veçse një vrimë në ujë.

Operacioni ka filluar shumë vonë dhe është i kufizuar në kohë. Kemi nevojë për më tepër mjete. BE-ja ka vënë në dispozicion vetëm dy anije dhe dy avionë në mbështje të Spanjës në luftën kundër këtij fenomeni. Franko Fratini, komisioneri i BE-së për drejtësinë mjafohet duke pohuar, "situata nuk mund të ndryshojë brenda një nate". Ndërkohë që në ishujt Kanare ndodhen më shumë se 16000 emigrantë.