1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdon seria e sulmeve vdekjeprurëse në Irak

Björn Blaschke2 Korrik 2005

Seria e sulmeve vdekjeprurëse në Irak vazhdon. Të shtunën në mëngjes në Bagdad një atentator vetëvrasës shkaktoi vdekjen e të paktën 20 policëve. Mbi 12 të tjerë u plagosën rëndë. Vetëm pak orë më vonë një burrë hyri me një makinë të mbushur me dinamit në një postbllok të policisë në qytetin Mahmudija në jug të Bagdadit duke shkaktuar vrasjen e 5 njerëzve.

https://p.dw.com/p/ArOo
Fotografi: AP

Atentatori vetëvrasës veproi sipas një metode të njohur tashmë: Ai hyri në një grup me djem të rinj të cilët donin të rekrutoheshin si forca sigurie për ministrinë e brendshme. Djaloshi i ri kish lidhur një rrip të mbushur me dinamit, të cilin e shpërtheu në mes të turmës.

Sipas forcave amerikane dhe irakiane të sigurisë, shumica e atentateve vetëvrasë kryen nga të huaj dhe jo irakianë. Ndonëse irakianët janë ata që protestojnë rregullisht kundër forcave ndërkombëtare të sigurisë, shumica e atentatorëve vetëvrasës rekrutohen nga komuniteti sunit në vende të tjera arabe. Zëdhënësi i trupave ndërkombëtare në Irak, gjenerali Don Alston shpjegoi përpara pak kohësh në një intervistë me mediat se në shumicën e rasteve shoferët e autobombave janë luftëtarë të huaj.

Ambasada amerikane në Irak ka deklaruar ndërkohë se ka filluar të komunikojë me përfaqësues të kryengritësve. Por sipas një diplomati të lartë në Bagdad, nuk ka filluar ende ndonjë marrëveshje me ta. Ambasada amerikane ka përhapur në rradhët e kryengritësve një mesazh të thjeshtë: "Ndaloheni dhunën, përndryshe ushtarët tanë do t´ju vrasin edhe juve." Diplomati amerikan paralajmëron gjithashtu nga një luftë mes grupeve të ndryshme fetare në vend. Ai kujtoi sulmin vdekjeprurës që ndodhi përpara pak kohësh kundër një këshilltari të afërt të kryetarit të shiitëve në Irak, Ali Al Sistani.

Në fund të muajit qershor, ministri amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld tha se ndonëse qeveria e tij ka kontakt me rebelët, amerikanët do të vazhdojnë t´i luftojnë ata deri në fund. Të mërkurën e kaluar ministri i jashtëm irakian Hoshiar Sabari tha se janë zhvilluar disa takime me rebelët në rajone të kufizuara gjeografike. Por sipas tij, qeveria irakiane nuk morri pjesë në këto bisedime. Por Sabari shtoi se qeveria e tij është e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve me ata që kanë vendosur t´i dorëzojnë armët.


Por partitë irakiane janë ende të pavendosura nëse do të ishte mirë të zhvillojnë bisedime me kryengritësit apo jo. Abdelasis al-Hakim, kryetari i fraksionit më të madh shiit në parlamentin irakian, tha të premten e kaluar në Naxhaf se bisedimet me kryengritësit janë të palejueshme. Al Hakim tha prerë:

"Nuk do të ketë bisedime me terroristët dhe baatistët, pra simpatizantët e ish dikatorit Sadam Hysein. Ata janë kriminelë që vrasin të pafajshëm dhe që kërkojnë të nxisin urrejtjen mes grupeve të ndryshme etnike dhe fetare në vend."

Por Al Hakim është një ndër politikanët e paktë në Irak që mendojnë kështu. Gjatë një sondazhi të zhvilluar nga kanali televiziv arab "Al Arabija", shumica e irakianëve kërkojnë që qeveria të zhvillojë bisedime me kryengritësit. Por sipas tyre qeveria duhet të bisedojë vetëm me grupet që luftojnë kundër okupatorëve amerikanë, dhe jo me terroristët që vrasin irakianë të pafajshëm.

Por gjatë gjithë këtyre diskutimeve, grupet më të rëndësishme të rebelëve, si ai i Abu Musab el Sarkavit, i cili është edhe shefi i El Kaidës në Irak, kanë deklaruar se nuk kanë filluar asnjë bisedë mbi përfundimin e dhunës në Irak.