1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendimi kundër Sadam Huseinit mund të konsiderohet i marrë

Peter Philipp2 Korrik 2004
https://p.dw.com/p/Aqv3
Sadam Huseini para Gjykatës në Bagdad
Sadam Huseini para Gjykatës në BagdadFotografi: AP


Hagë, 3 korrik 2001. Një Sllobodan Miloshevic i veshur në mënyrë elegante del para Tribunalit Ndërkombëtar për Krime lufte dhe deklaron se ai është "një gjyq fals" dhe një "aktakuzë false". Ai, Miloshevici ishte i pafajshëm dhe nuk e njeh atë gjykatë. Pothuaj saktësisht atë ditë tri vjet më vonë në aeroportin e Bagdadit: Sadam Huseini me kostum, me mjekër të thinjur del për herë të parë para një gjykate të posacme dhe kundërshton legjitimitetin e këtij gjyqi dhe kësaj gjykate. Ai është presidenti i Irakut, deklaron ai. Krimineli i vërtetë që duhet dënuar aty është Xhorxh Bushi, bubullon Sadami dhe refuzon të nënshkruaje dokumentat e gjykatës.

Dy skena që në njëfarë mënyrë i ngjajnë njëra-tjetrës, por që megjithatë nuk kanë të bëjnë me njëra-tjetrën. Bëhet fjalë për rivlerësimin e një diktature dhe akteve të saj të tmerrit, për përgjegjësinë për shtypjen, luftërat dhe vrasjet: vrasje individuale si edhe genocid. Bota nuk ka ende një instrument të vlefshëm për të gjithë për të dënuar krime të tilla monstruoze dhe dorasit e tyre.

Në botën arabe para gjyqit nuk ka dalë ende ndonjë sundimtar i rrëzuar. Sadam Huseini e di këtë shumë mirë, sepse ai ka qenë aktiv në vrasjen e disa prej paraardhësve të tij.

Por mund të dyshohet nëse Sadami është në gjendje ta vlerësojë se sa mirë po e trajtojnë atë vetë tani. Sepse një gjë ai e ka me siguri të qartë: vendimi kundër tij ka kohë që është marrë. Për këtë qëllim, qeveria tranzitore kërkon të fusë sërish dënimin me vdekje, të hequr nga SHBA. Edhe viktimat e Sadamit që kanë mbetur gjallë kërkojnë vdekjen e tij. Këtë dëshirë gjyqi nuk do të jetë në gjendje ta kundërshtojë, por ai as do të dojë ta bëjë këtë.

Por e gjitha kjo i hedh procesit të planifikuar gjyqësor një hije jo të mirë: drejtësi këtu nuk mund të ushtrohet. Sepse krimet janë shumë monstruoze.

Kjo qeveri tranzitore ka natyrisht shumë interes për procesin gjyqësor: Sadami do të prezantohet si burrë i vogël, pa pushtet dhe ndoshta fanatik i sëmurë, i cili me siguri nuk do të ketë mbështetës. SHBA shpëtojnë nga zhvillimi i një procesi për të cilin mund të akuzoheshin se po ushtrojnë drejtësi fitimtarësh.