1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëm emri ndryshon? Lejet e reja të qendrimit në bazë të ligjit të migracionit

Silvera Padori28 Janar 2005

Nga cikli i Dojçe Veles: Migracioni në Gjermani (Pjesa I)

https://p.dw.com/p/Ar4r

Ligji i ri i migracionit sipas ekspertëve sjell disa lehtësime. Sa u përket llojeve të lejes së qendrimit, ato janë reduktuar në numër, por në thelb nuk është ndryshuar asgjë. Hajko Kleinshtojber nga Zyra e të Huajve në Frankfurt, shpjegon:

"Që nga viti 1993 e deri në vitin 2004 në legjislacionin gjerman kishte disa lloje lejesh qendrimi: Aufenthaltserlaubnis (leje qendrimi) me afat të kufizuar dhe të pakufizuar, Berechitgung, që ishte forma më e lartë e lejes së qendrimit të pakufizaur, Bewilligung që jepej për një shkak të caktuar, punë, studime apo specializime, si edhe Befugnis, që u jepej refugjatëve, pra për shkaqe humanitare."

Që nga 1 janari i këtij viti numri i lejeve të qendrimit që njihen në Gjermani është reduktuar në 3, saktëson Klaudia Langenhajne, drejtoresha e Zyrës së të Huajve në Berlin:

"Viza, të cilën e jep ambasada gjermane në vendet amë, leja e kufizuar (befristete Aufenthaltserlaubnis) dhe leja e pakufizuar për qëndrim (Niederlassungserlaubnis). Leja e kufizuar e qendrimit do të diferencohet edhe më tej në bazë të qëllimit, për të cilin ajo jepet. Kështu për shembull, nëse deri më tani studenti ka pasur Aufenthaltsbewiligung, tani do të ketë Aufenthaltserlaubnis për qëllime studimi."

Përveç ndryshimit të emrit, nuk do të ketë asnjën dryshim në status. Bernd Knopf, zëdhënësi i të ngarkuarës së qeverisë gjermane për migrantët, thotë se lehtësime do të ketë në aspektin teknik:

"Risi është se bashkohet leja e kufizuar e qëndrimit me lejen e punës. Migrantët nuk duhet të shkojnë në dy shërbime të ndryshme. Shërbimi për të huajt në mënyrë interne do të bjerë dakord me Agjencinë për Punësim, nëse do të jepet leja e qendrimit apo jo. Pra migranti kështu do të kursejë rrugën për në zyrën e punës."

Edhe në të ardhmen në lejen e qendrimit do të shënohet shkaku i ardhjes në Gjermani dhe përkatësisht edhe kufizimet në tregun e punës. Lejen e përhershme te qëndrimit (Niederlassungserlaubnis), sipas ligjit të ri, do ta fitojnë migrantët që kanë patur të paktën pesë vjet Aufenthaltserlaubnis, kanë të ardhura të sigurta dhe kanë paguar të paktën për 60 muaj kontributet e pensionit. Përveç të tjerave, migranti duhet të njohë gjuhën dhe kulturën gjermane, thotë Klajnshtojber.

Organizatat e migrantëve e konsiderojnë këtë periudhë kohore tepër të gjatë, për të marrë vesh, në se do të kesh të drejtë të sistemohesh në këtë vend apo jo. Pra, ndryshimet duken vetëm në sipërfaqe, në thelb kemi mbetur tek e vjetra.

(vijon javën tjetër: Migracioni në Gjermani (2): Spiranca e fundit për personat me Duldung? Komisioni i rasteve të Jashtëzakonshme)