1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëm në letër - liria e shtypit dhe të drejtat e njeriut në Rusi

Horst Kläuser12 Korrik 2006

Në Evropë thuajse të gjithë janë të një mendjeje se Vladimir Putini është gjithçka tjetër, por jo një "demokrat i pastër" sikurse e quajti atë në vitin 2004 ish-kancelari gjerman Gerhard Shrëder. Putini konsiderohet si një sundimtar autokrat, i cili kufizon lirinë e shtypit dhe pengon zhvillimin e shoqërisë civile në Rusi.

https://p.dw.com/p/ArAe
Fotografi: AP

"Madje edhe në kohën e sundimit të Jelsinit në kanalin e parë televiziv ka pasur një program të opozitës. Sot ky është shfarosur krejtësisht. E gjitha kjo fillon me Putinin dhe mbaron me Shirinovskin. Më falni për këtë shprehje por e gjithë kjo sjellje e putinistëve dhe e shirinistëve rrjedh si baltë nga të gjitha të çarat, jo vetëm të dumës por edhe të Kremlinit."

Të përjetosh të tilla deklarata për mediet e lira pikërisht prej shefit të Partisë Komuniste të Rusisë, Sjoganovit ka diçka. Dhe madje të shoqëruara prej nacionalbolshevistëve nga njëra anë dhe neoliberalëve nga ana tjetër. Me sa duket që në Rusi ka vërtet probleme me lirinë e mediave.

Ashtu është, thotë prof. Zagorski, pranë Universitetit të Moskës, i cili në këtë mes sheh një parim të dëshiruar politikisht.

"Në rast se këtu ne vëmë re deficite atëhere është e qartë se ndarja e pushteteve është eliminuar krejtësisht. Parlamenti është praktikisht një lodër në duart e Kremlinit. Mediat janë të kontrrolluara në një masë të gjërë. Ata që mund të ushtronin presion ndaj qeverisë, qofshin oligarkë të ekonomisë apo aktorë rajonalë i kanë detyruar të largohen nga jeta politike. Kjo do të thotë se përqëndrimi i pushtetit në Kremlin është shtuar."

Rusia renditet në vendin e 138-të të indeksit të shtypit të organizatës "Reporterët pa kufij". Shpesh, sidomos në provincë, gazetat apo mediat e tjera detyrohen të mbyllen për shkak se u ndërpritet furnizimi me rrymë elektrike apo me gaz, ose sepse redaktorëve u kërkohet të paguajnë taksa absurde dhe marramendëse.

Gjykatat të cilat nuk punojnë sipas standardeve perendimore i shpallin nëpër procese të rëndësishme vendimet sipas regjisë së Kremlinit. Sidomos në zonat larg Moskës, mediat janë në një gjendje të mjerueshme. Fondacioni Glasnost, i cili vëzhgon fushën e botimeve dhe lirinë e mediave dhe të botuesve në Rusi, ka rregjistruar vetëm në vitin 2005 1.322 raste problematike. 47 gazetarë janë arrestuar, 23 herë janë mbyllur redaksi gazetash, ndaj 43 redaktorëve janë hapur procese gjyqësore, ka pasur 63 raste sulmesh ndaj gazetarëve dhe shtatë raste gazetarësh që janë vrarë.

Kremlini i ka mediet elektrike nën një kontrroll perfekt. Të gjitha stacionet televizive dhe thuajse të gjitha radiot janë ose në duart e shtetit ose të koncernit shtetëror Gazprom.

Pamja që ndeshim ne media reflektohet edhe në sferën e të drejtave të njeriut. Drejtësia nuk është e pavarur, policia dhe organet e tjera shtetërore veprojnë në mënyrë arbitrare jashtë çdo kontrrolli të pavarur. Shumë prej nëpunësve janë të korruptuar. Ka raste që rekrutët i rrahin në ushtri deri për vdekje. Çeçenia është fshirë nga lista e temave ndërkombëtare, madje as që dihet nëse do të përmendet në takimin e G8-s në St. Peterburg.

Historiania Irina Sherbakova, nga OJQ-ja "Memorial" shprehet me keqardhje që perëndimi është rikthyer në politikën e dikurshme të mospërzierjes:

"Kjo është një problematikë e vështirë dhe një qëndrim oportun i perëdnimit, sepse dobësia e demokracisë nuk është vetëm një sëmundje ruse. Por ajo që ne e ndjejmë të gjithë është kriza e mendimit demokrato-liberal."

Në Rusi ka hyrë në fuqi një ligj i ri për OJQ-të, që i detyron të gjitha ato që ekzistojnë që të regjistrohen rishtazi. Me siguri që shumë prej tyre nuk do të arrijnë që t'i plotësojnë kriteret e reja.