1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëm vlerësimi siguron të drejtën e njeriut për shëndet

Ulrike Mast-Kirschning7 Prill 2005

Ka ardhur koha të sigurohet më në fund kujdesi bazë shëndetësor për nënat dhe fëmijët

https://p.dw.com/p/ArPr
Ndërtesa e OBSH-së në Gjenevë
Ndërtesa e OBSH-së në GjenevëFotografi: AP

OBSH, organizata e Kombeve të Bashkuara për shëndetin u themelua në 7 prill 1948 dhe në kushtetutën e saj ka si objetiv arritjen e një standarti sa më të lartë të mundshëm kujdesi shëndetësor për të gjithë njerëzit. Në kushtetutën e OBSH-së shëndeti përkufizohet si një gjendje mirëqënieje fizike, shpirtërore dhe sociale pra jo vetëm si mungesë e sëmundjeve. Megjithatë ende shumë pak njerëz kanë mundësi të gëzojnë të drejtën e tyre për shëndet. Statistikat tregojnë se çdo minutë një grua humb jetën nga komplikacionet në shumë raste të evitueshme të shtatëzanisë apo gjatë lindjes. Ky fakt tregon qartë jo vetëm pozitën e ulët sociale të gruas në shumë shoqëri por edhe padrejtësinë egzistuese.

Mund të duket logjike dhe e kuptueshme që prindërit e Terri Skiavos luftojnë deri në ekstrem për të siguruar vazhdimin e kujdesit shëndetësor për vajzën e tyre. Vlera e jetës së njeriut është e lartë në vendet e industrializuara e po kështu edhe vëmendja shëndetësore kur bëhet fjalë për çështje etike të jetës apo vdekjes.

Por asnjë parlament, asnjë qeveri dhe asnjë kryetar qeverie nuk kërkojnë mbledhje të veçanta apo vendime speciale kur bëhet fjalë për nënat dhe fëmijët, rreziku më i madh për të cilët fillon qysh në lindje. Asnjë ligj nuk merr në mbrojtje nënën dhe fëmijën në vëndet në zhvillim për të rritur kështu mundësinë e mbijetesës.
E megjithatë fati i rreth 3 milionëve bebeve që lindin të vdekura apo i rreth 10 milionë fëmijëve që nuk arrijnë moshën pesë vjec nuk është i pashmangshëm. Edhe mjete të tilla të thjeshta si një rrjetë që mbron nga mushkonjat, informacioni dhe puna sqaruese, uji i pastër dhe shërbimet bazë të kujdesit shëndetësor do të shpëtonin shumë jetë fëmijësh. Jo vetëm ata por edhe nënat e tyre do të përfitonin shumë nga një angazhim i ndershëm i bashkësisë ndërkombëtare: nëse psh të gjitha gratë do të kishi mundësi të merrnin pjesë në programet e planifikimit familjar vdekshmëria e nënave në vit do të reduktohej me një të tretën.
Kur në Afrikë, në jug të shkretëtirës së Saharasë, një në 16 gra vdes për shkak të komplikacioneve të shtatëzanisë apo lindjes nuk kemi të bëjmë thjesht me një katastrofë humanitare. Bëhet fjalë edhe për zhvleftësimin e dokumentuar të jetës së njeriut për shkak të mosveprimit.

Kur fondacioni gjerman Popullsia e Botës ankohet se bashkësia ndërkombëtare nuk ka përmbushur premtimet e dhëna në konferencën për popullsinë e globit të mbajtur në vitin 1994 në Kajro, nuk kemi të bëjme vetëm me mosarritjen e objektivave të mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara por edhe me refuzim të dhënies së ndihmës. Dhe kur medikamentet për fëmijët e infektuar nga SIDA në vendet në zhvillim praktikisht mungojnë, siç akuzon organizata "Mjekë pa Kufij", nuk kemi të bëjmë vetëm me një dështim të tregut të industrisë farmaceutike i cili nuk stimulon prodhimin e preparateve të posaçme për fëmijë, por me heqjen de facto të së drejtës njerëzore për shëndet.

Pa shëndet asgjë nuk ka vlerë dhe për ta siguruar atë për një kohë sa më të gjatën jerëzit në vendet perëndimore financojnë sisteme të shtrenjta shëndetësore dhe teknikë të avancuar mjekësore. Kjo është legjitime. Por pengimi i një përkujdesjeje bazë shëndetësore për nënat dhe fëmijët në vendet më të varfëra është diskriminues, cinik, dhe njëkohësisht shumë i rrezikshëm. Kush provon në trupin e vet se jeta njerëzore nuk vlen asgjë për komunitetin ndërkombëtar e ka shumë të vështirë të sillet ndaj pikërisht këtij komuniteti me vlerësimin për të cilin ai ka nevojë. Por vetëm ky vlerësim mund të krijojnë një të ardhme në të cilën e drejta njerëzore për shëndet për një pjesë do të vazhdojë dhe për të tjerët do të bëhet më në fund më shumë realitet.