1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vigjilentë kundër terrorizmit

13 Nëntor 2006

Nga komentet në shtypin gjerman të ditës veçojmë temat: rreziku nga sulmet terroriste në Gjermani, diskutimi për ndalimin e partisë nacional-demokrate, ekstremiste e djathtë si dhe Lindjen e Mesme

https://p.dw.com/p/Arn1
Baza "Gorch Fock" e marinës gjermane ku mbahet një konferencë kundër terrorit, 2004
Baza "Gorch Fock" e marinës gjermane ku mbahet një konferencë kundër terrorit, 2004Fotografi: AP

Në fundjavë në Gjermani u tërhoq vëmendja për rrezikun nga sulmet terroriste.

Mbi këtë temë një citat së pari nga komenti i gazetës "Flensburger Tageblatt":

"Në vend që të zbatohen koncepte efikase kundër kërcënimit, politika humbet nëpër ec e jaket e diskutimeve: ndërkohë po debatohet për mundësinë e angazhimit të forcave të armatosura brenda vendit, lidhur me kapacitetin e bankës së të dhënave kundër terrorizmit si dhe të drejtat e aksesit në këtë bankë, për futjen në rrjet agjencive gjermane dhe evropiane të hetimit, si dhe për shtimin e numrit të kamerave nëpër stacione trenash apo në sheshet e qyteteve. Në një vorbull të tillë thirrja e Prokurores së përgjithshme për vigjilencë duket si një klithmë në shkretëtirë. Ndonëse mesazhi perceptohet, ai i vetmuar nuk depërton në vetëdijen kolektive."

Ndërsa e përditshmja "Nürnberger Nachrichten" komenton: "Lufta kundër terrorizmit do ta preokupojë botën perëndimore edhe për nje periudhë kohore të paparashikueshme. Arma më e mirë në këtë luftë është vigjilenca. Për këtë duhet të kujtohen vazhdimisht qytetarët, e për fat të mirë jo përmes ndonjë dite përkujtimore si në ShBA, në Spanjë apo në Britaninë e Madhe."

Kalojmë në temën e dytë diskutimi në Gjermani për ndalimin ose jo të partisë nacional-demokrate, ekstremiste e djathtë. Ky diskutim u rihap pasi kjo parti zhvilloi në fundjavë në Berlin kongresin e saj.

Gazeta "Rhein Neckar Zeitung" e Heidelbergut shkruan:

"Në raport me partinë nacional-demokrate shumë demokratë vazhdojnë të bëjnë gjithmonë një gabim: ata mendojnë, se partia nacional-demokrate është vetëm partia e atyre që kanë marrë flamurin e skenës së neonazistëve. Por kjo është gabim. Në fakt kjo është parti e skenës së neonazistëve. Ndaj një kërkesë e formuluar mirë për ndalimin e saj do të zgjidhte me një të goditur dy probleme. Opinionit nuk do t´i duhej më të duronte marshimet harbute të ekstremistëve të djathtë. Së dyti skenës së neonazistëve do t´i hiqej baza e të ardhurave nga tatimet, me ndihmën e të cilave ajo prej vitesh po financon aktet e harbutëve ekstremistë të djathtë."

"Märkische Oderzeitung" në komentin e saj thekson: "Vetëm me arsye qytetare mund të funksionojë lufta. Rihapja e procedurës për ndalimin e partisë nacional-demokrate, siç propagandojnë disa politikanë, do të ishte rruga e gabuar. Moçali nuk mund të thahet me vendime gjykatash, por vetëm me një punë të mundimshme. Po kështu edhe moçali i të murmëve. Përveç kësaj, ç´do të ndodhte, nëse edhe procedura e dytë mund të dështojë? Neonazistët do të bëheshin me krahë. Zgjidhja është kurajo civile, jo stepje."

Së fundi edhe tema e Lindjes së Mesme:

Lidhur me bllokimin e projektrezolutës në Këshillin e Sigurimit prej ShBA lidhur me dënimin e sulmit izraelit në Rripin e Gazës, gazeta "Neue Ruhr/Neue Rhein Zeitung" shkruan: "Tek miqtë amerikanë mund të mbështetesh gjithmonë. Nëse Izraeli sërish ka një vështirësi në rang ndërkombëtar, edhe vet miqtë evropianë stepen prej politikës së shtetit hebre dhe tërhiqen duke mbështetur ShBA në forumin botëror të OKB-së. Kështu ndodhi edhe kësaj here duke penguar dënimin e Jeruzalemit për shkak të vrasjes së civilëve të pafajshëm - por kjo nuk ndryshon asgjë në gjendjen jo të mirë të këtij vendi. (...) Edhe sa i përket politikës së brendshme Olmerti ka dalë absajts. Ai që punon në një qeveri me yshtës të djathtë si nacioanlisti Liberman, humbet reputacionin edhe në politikën e jashtme."