1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vit jo i mbarë për Komisionin Europian

Michael Becker23 Nëntor 2005

Komisioni Europian i drejtuar nga Jose Manuel Barroso sapo ka mbushur përvjetorin e parë të punës

https://p.dw.com/p/AqsW
Komisioni Europian
Komisioni EuropianFotografi: AP

Kaloi një vit gjatë të cilit, Komisioni Europian u përballua me ngjarje të rëndësishme: Kushtetuta Europiane duhej të ishte ratifikuar nga sa më shumë vende anëtare dhe planet financiare mbi buxhetin për vitin 2007 deri 2013 duhet të ishin aprovuar brenda këtij viti. Por mesa duket projekti i madh i BE-së dështoi në realizimin e këtyre pikave kaq të rëndësishme. Francezët dhe hollandezët nuk e pranuan kushtetutën e re evropiane. Ndërsa debati mbi buxhetin financiar të BE-së mundi të ringjallet disi vetëm përpara pak ditësh. Komisari i BE-së, Günther Verheugen ishte pjesëmarrës në të gjitha vendimet e Komisionit Europian dhe bën një bilanc kritik.


Gjermani, Verheugen e ka zyrën në katin e 12-të të ndërtesës së Komisionit Europian në Bruksel. Günter Verheugen ka një pamje të mahnitshme mbi qytetin nga zyra e tij. Më mirë të themi, pamja do të ishte e mahnitshme, sikur dita e sotme të mos ishte kaq e mjegullt. Gjatë këtyre ditëve nuk dallohet pothuajse asgjë nga qyteti aq i bukur i Brukselit. "S´i kemi punët në vijë" - psherëtin Verheugen dhe ulet në një nga kolltuqet e rënda në sallën e konferencës. BE ndodhet në krizë, dhe ky fakt e shqetëson komisarin Verheugen:

"Po, ndodhemi pa dyshim në një krizë, e cila u shfaq pas dështimit të përkohshëm të kushtetutës së parë europiane. Në lidhje me këtë kushtetutë u bë e qartë se shumë njerëz duhet të binden sërish se Evropa e bashkuar është një ide e mirë."

Por të hedhim vështrimin prapa, e dimë se kjo fjali është e vështirë püër t´u besuar. Për Komisionin Europian, ky ishte një vit i dështimeve. Presidenti i këtij komisioni, Jose Manuel Barroso e filloi detyrën e tij me një gabim të rëndë. Parlamenti Evropian kish refuzuar disa kandidatë të komisionit të Barrosos. Vetëm pasi Barroso i ndryshoi emrat e komisarëve, ky parlament dha pëlqimin e tij. Por ky nuk ishte faji i Barrosos. Komisarët emërohen nga kryetarët e shteteve përkatëse. Dhe ishin pikërisht këta kryetarë shtetesh që e lanë vetëm Barroson.
Më pas erdhi kriza mbi Kushtetutën Europiane, e cila u refuzua në Hollandë dhe francë, nëpërmjet referendumeve popullore. Që prej asaj kohe, ky projekt ndodhet diku i harruar në një sirtar. Dhe sikur këto të mos mjaftonin, tani po debatohet ashpër mbi planet financiare të BE-së. Deri tani nuk është gjetur ndonjë zgjidhje për këtë problem kaq delikat. Por dihet se Komisioni Europian nuk do të mund t'a zgjidhë vetëm këtë problem. "Dhe nuk ka se si", thotë Günter Verheugen: "Nuk është e lehtë për një komision, për një president komisioni, nga i cili presin të gjithë që të drejtojë punët e Evropës dhe nga ana tjetër askush nuk tregohet i gatshëm t'a mbështesë atë në këtë detyrë kaq të rëndësishme."

Kështu shprehet Verheugen dhe shikon jashtë dritares. Ai do ta bëjë BE-në më të njohur dhe më të dashur për njerëzit, duke kursuyer pikërisht në atë fushë, që po ja vështirëson jetën BE-së dhe qytetarëve të saj - Fushën e burokracisë.

"Fatkeqësisht ekziston mendimi se Evropa është një bishë burokrate. Unë nuk dua të mbaj ndonjë qëndrim lidhur me këtë ide. Kjo është ideja që ekziston dhe njerëzit presin tani me të drejtë që t'i bindim se nuk është ashtu."

Verheugen ka ndërmend të realizojë disa projekte mbi nivelin e burokracisë. Ai ka përpiluar një listë me disa rregulla dhe ligje të brendshme, të cilat duhet të verifikohen sa më parë. Por është shumë e paqartë, nëse këto projekte do të ndryshojnë dot diçka. Në Bruksel thuhet se është më e vështirë të heqësh rregullat që ekzistojnë, sesa të krijosh të reja.
Sipas Günter Verheugenit, ka rëndësi që në Evropë të krijohen sa më parë vende të reja pune. Pikërisht këtë gjë pret Verheugen edhe nga qeveria e re në Berlin. Europa ka nevojë për Gjermaninë, e cila konsiderohet si një lokomotivë rritjeje dhe progresi. Dhe si Verheugen mendojnë edhe shumë të tjerë në Bruksel.