1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizitë e pasukseshme

Horst Kläuser24 Prill 2007

Ministri amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts (Robert Gates) mori JO-në e Moskës. Rusia refuzoi ofertën e SHBA-ve për të qenë partnere në instalimin e sistemit amerikan të mbrojtjes kundër raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi në Evropën Lindore.

https://p.dw.com/p/AqmR
Ministri amerikan i mbrojtjes Robert Gates dhe presidenti rus Vladimir Putin
Ministri amerikan i mbrojtjes Robert Gates dhe presidenti rus Vladimir PutinFotografi: AP

Qëndrimi i Moskës në këtë pikë është i pandryshueshëm tha Serdjukovi. Sistemi që duan të stacionojnë në Poloni dhe në Çeki SHBA-të, rrezikon sipas palës ruse sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Në muajin maj në Moskë pritet të qëndrojë për një vizitë MPJ amerikane Condoleezza Rice.

Ministri amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts nuk u largua nga Moska me ndonjë sukses të vizitës së tij e parë. Frontet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit në lidhje me sistemin e mbrojtjes kundër raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi vazhdojnë të jenë të ngrira.

"Dua të theksoj se pozicioni i Rusisë në këtë çështje vazhdon të mbetet i pandryshuar. Ne mendojmë se sistemi i mbrojtjes strategjike është një faktor serioz destabilizimi, i cili mund të ketë ndikime thelbësore sa i përket sigurisë globale dhe rajonale." - tha pa lënë vend për keqkuptime apo ekuivoke, ministri i rus i mbrojtjes Anatoli Serdjukov.

Ish-tregtari i mobiljeve dhe shefi i zyrës fiskale vazhdoi se kishte rezerva ndaj instalimit të raketave ndërkontinetale amerikane, kursi i të cilave mund të kalonte thuajse përgjatë kufirit rus.

Presidenti Putin, të cilin Robert Gejts e takoi pas takimit me homologun e tij rus, tha se në këtë çështje do të telefonojë me presidentin Bush. Por me sa duket edhe kjo telefonatë nuk do të ndryshojë gjë.

Rusia është kundër sistemit të mbrojtjes kundër raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi dhe nuk do të marrë pjesë në të as pas ftesës së fundit nga Uashingtoni.

Gjatë fundjavës (21./22.4.)u njoftua se SHBA-të janë të gatshme t'i ofrojnë Rusisë mundësinë për të bërë inspektime në stacionet që planifikojnë të ngrenë në Poloni dhe Çeki dhe madje t'i zhvillojnë bashkarisht tekonologjitë përkatëse.

Gjatë konferencës për shtyp Gejts theksoi madje se SHBA-të e ftojnë Rusinë që të jetë partnere në përpjekjet për ngritjen e këtij sistemi mbrojtës:

'Po theksoj, se sistemi mbrojtës kundër raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi që ne propozojmë për Evropën nuk drejtohet kundër Rusisë a ndonjë vendi tjetër të vaktuar. Shumë më tepër ai drejtohet kundër agresorëve të mundshëm."

E vetmja shenjë shprese nga e gjithë kjo vizitë e pasukseshme është deklarata e Serdjukov dhe Gejts, që theksuan pas takimit se hollësitë e tjera të sistemit të mbrojtjes kundër raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi do dhe duhet të diskutohen gjatë takimeve në nivel ekspertësh.

Gjithsesi pas vdekjes së ish-presidentit rus Boris Jelsin nuk përjashtohet mundësia që Putini dhe Bushi të gjejnë mundësinë për t'u takuar dhe biseduar së shpejti me njeri-tjetrin në kuadrin e ceremonisë mortore për Jelsinin.