1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizita e gjashtë e kancelarit gjerman Gerhard Shrëder në Kinë është një sukses në aspektin ekonomik

Matias fon Hajm8 Dhjetor 2004

Kancelari gjerman Gerhard Shrëder përfundon ditën e mërkurë vizitën e tij treditore në Kinë. Në vizitën e tij të gjashtë në Republikën e Kinës, kancelari gjerman arriti të siguronte disa kontrata për ekonominë gjermane vlera e të cilave arrin miliardat. Në të njëjtën kohë Shrëder gjeti mbështetjen kineze për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit

https://p.dw.com/p/Ar5D
Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder gjatë takimit me presidentin kinez, Hu Xhintao
Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder gjatë takimit me presidentin kinez, Hu XhintaoFotografi: AP


Vizita e gjashtë e kancelarit gjerman Gerhard Shrëder në Kinë nuk dallon shumë nga vizitat e tij të mëparshme. Njoftime për suksese ekonomike, retorikë politike dhe krenim me parime etike.
Sigurisht që askush nuk do të zemërohet me Shrëderin pasi ai po synon të hapë dyert për ekonominë gjermane në Kinë, kjo edhe për shkak të situatës ekonomike në Gjermani. Ky vend është partneri kryesor tregtar i Kinës në Evropë në krahasim me vendet e tjera, dhe kjo justifikon çdo lloj përpjekje në këtë drejtim. Por duhet përmendur se përfaqësimi i interesave gjermane nuk do të kufizohet vetëm tek interesat ekonomike.
Përse kancelari gjerman Shrëder mbështet me forcë heqjen e embargos kundër Kinës? Me dredhi Pekini dementoi javën e shkuar se blerja e planifikuar e avionëve të tipit "Airbus" nuk ka të bëjë me embargon e armëve- duke e ditur se me këtë dementim, së paku i dha një sinjal opinionit publik. Sigurisht që marrëdhënie të mira politike janë me interes edhe për ekonominë. Por ato nuk janë të vetmet.
Ndoshta kancelari gjerman Shrëder spekullon me mbështetjen kineze për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Por ndryshe nga çfarë sugjerojnë interpretimet e Shrëderit para shtypit, kryeministri kinez Uen Zhiabao apo presidenti Hu Xhintao nuk folën shprehimisht se mbështesin një vend të përhershëm të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit. Në vend të kësaj u fol lidhur me përgjegjësinë e madhe etj, gjë që mund të thotë shumë por edhe asgjë. Lidhur me këtë Kina nuk do t'i bëjë Gjermanisë asnjë premtim.
Arsyeja për këtë duhet kërkuar në vizitën tjetër të Shrëderit në Lindje, Japoninë. Pasi Gjermania ka vënë kandidaturën për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit së bashku me Indinë, Brazilin dhe Japoninë, çdo lloj aprovimi që mund t'i bëhet Gjermanisë vlen edhe për armiken e betuar të Kinës, Japoninë. Nga ana tjetër Japonia nuk është aq e lumtur për përpjekjet për heqjen e embargos evropiane të arnëve ndaj Kinës. Ajo e sheh me dyshim pretendimet ushtarake në rritje të Kinës në Azinë Lindore.

Sigurisht Kina e sotme nuk është ajo e vitit 1989, kohë kjo kur u vu embargoja. Ky vend është bërë më modern, më i pasur, më me autoritet. Por nga ana politike, Kina nuk është një vend i lirë. Pekini akoma kërcënon Tajvanin me përdorimin e armëve në rast se ky do të shpallë zyrtarisht, atë që prej kohësh është realitet- një shtet sovran i pavarur. Për këtë arsye e ka refuzuar parlamenti gjerman dhe ai evropian heqjen e embargos së armëve ndaj Kinës. Fakti që Shrëder gjatë vizitës së tij ka kapërcvyer këtë oponion të insitutucionit të popullit është ai lloj mësim në demokraci, i cili nuk duhej ofrohej Pekinit.