1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Votime tё qeta pёr kryetar komune nё veri tё Mitrovicёs

Bekim Shehu23 Shkurt 2014

Pjesёmarrja e qytetarëve në zgjedhjet për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës ishte më e lartë se në zgjedhjet e 3 nëntorit.

https://p.dw.com/p/1BEDZ
Wahlen in Kosovo November 2013
Fotografi: SASA DJORDJEVIC/AFP/Getty Images

Pas asnjë incident të shënuar dhe me një pjesmarrje jo shumë të madhe të qytetarëve, të dielën (23.02.2014) në veri të Mitrovicës u zhvilluan zgjedhjet e jashtzakonshme për kryetar të komunës. Qytetarët e kësaj komune veriore ndonëse për herë të parë tё përfshirë në zgjedhje lokale, votuan për herë të katërt që nga nëntori i vitit të shkuar. Zgjedhjet u përsëritën pasi kryetari i zgjedhur Kërstimir Pantiq, humbi mandatin duke mos dashur të betohet nën ligjet e Republikës së Kosovës. KQZ-ja bën të ditur se pjesmarrja e qytetarëve në votime në veri të Mitrovicës deri në orët e pasditës ishte pak mbi 15%, nga rreth 29 mijë qytetar sa kishin të drejtë vote.

“Kjo pjesëmarrje është shumë më e lartë krahsuar me shifrat e pjesëmarrjes nё të njëjtën etapë të zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura më 3 nëntor 2013. Atë kohë kemi pasur 1,979 votues, apo 7.09 për qind. Nuk është shënuar ndonjë parregullsi”, thotë Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së.

Ishin katër kandidatë për kryetar të komunës së veriut. Goran Rakiq nga Iniciativa Qytetare Serbe, subjekt ky politik që e ka mbështetjen e qeverisë në Beograd. Oliver Ivanoviq, nga Serbija Demokracia Drejtësia. Ivanoviq, akoma gjendet në paraburgim i dyshuar për krime ndaj civilëve pas përfundimit të luftës. Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Musa Miftari nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Forca të shumta të organeve të rendit sigururuan mbarvajtjen e procesit të votimit. Zyrtarë të misionit EULEX deklaruan se “pjesëtarët e këtij misoni Policia e Kosovës dhe forcat paqerujatëse, kanë planifikuar në mënyrë të kujdesshme masat e sigurisë për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut dhe u kanë garantuar qytetarëve të drejtën për të votuar”.

Për të lehtësuar procesin e votimit në veri të Mitrovicës edhe kësaj radhe është angazhuar OSBE-ja. Numërimi i votave kësaj radhe bëhet në qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, ndërsa, rezultati i tyre pritet ditën e hënë 24.02.2014).

Përfshirja e komunave veriore të Kosovës në zgjedhjet komunale u bë e mundur vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.