1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vuk Drashkoviq: "Kosova multietnike, gënjeshtër e kulluar"

Bahri Cani19 Korrik 2005

Intervistë me Vuk Drashkoviq, ministër i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi.

https://p.dw.com/p/Aqjk
Vuk Drashkoviq
Vuk DrashkoviqFotografi: AP

Zoti Drashkoviq, si e vlerësoni gjendjen aktuale në Kosovë?

Drashkoviq: Si dramatike.

Çfarë do të thotë dramatike?

Drashkoviq: Nuk ka ndonjë lëvizje drejt kompromisit. Zgjidhja nënkupton edhe lëshime dhe një marrveshje, e cila do të respektonte të drejtat e serbëve dhe shqiptarëve si dhe stabilitetin e këtij rajoni dhe tërë Evropës. Grupi i Kontaktit, Këshilli i Evropës dhe Kombet e Bashkuara kanë vendosur se nuk mund të ketë kthim në situatën e para vitit 1999. Serbia i ka pranuar këto qëndrime.
Por duhet të shikojmë se cila ishte situata në ato kohëra?
Në njërën anë ishin kërkesat ekstreme të Millosheviqit, për një autonomi të gjërë dhe të kontrolluar, me shpjegimin se në të kundërtën do të ketë vdekje. Ndërsa shqiptarët kërkonin pavarësi ose vdekje. Vdekja pra ishte pika e tyre e përbashkët. Ne nuk jemi më në pozicionet e para vitit 1999. Kemi propozuar një formulë e cila, për Kosovën, nënkupton më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi. Ndërsa liderët politik të shqiptarëve kanë mbetur në pozicionet e mëparshme: pavarësi, pavarësi dhe vetëm pavarësi.
Eshtë e domosdoshme që pala shqiptare të tregojë guxim, të dalë nga pozicionet e tanishme dhe të niset drejt ardhmërisë dhe kompromiseve.

Çfarë do të thotë formula juaj "më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi"?

Drashkoviq: Do të thotë dy gjëra. Një, ruajtjen e minoritetit, kishave dhe manastireve serbe në Kosovë e Metohi, sipas standardeve ndërkombëtare. Dhe dy, njohjen e emrit të tanishëm të kufijëve të jashtëm ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë, me kusht që ne të nënshkruajmë një marrveshje se ky kufi, me këtë emër, do të jetë i njohur vetëm në harta dhe dokumente. Ndërkohë që në terren nuk do të ekzistonte. Kufiri do të ishte plotësisht i hapur dhe i tejdukshëm, si garancë se Kosova është e hapur në të katër anët e saja.

Eshtë gati plotësisht e sigurt se shqiptarët nuk do të pranonin një zgjidhje të këtillë. Të paktën shikuar nga qëndrimet e tanishme. Në qoftë se këto qëndrime kundërshton edhe bashkësia ndërkombëtare, e tani nuk shihet se po i pranon, a do të ishte Serbia e gatshme për negociata për pavarësinë e Kosovës?

Drashkoviq: Nuk e di pse mendohet se pala shqiptare nuk do të ndryshonte qëndrimin e saj të ngurrtë. Duhet ta ndryshojë, në qoftë se do të respektojë vendimin e bashkësisë ndërkombëtare, ku thuhet se nuk mund të ketë asnjë zgjidhje të njëanëshme ose të imponuar me dhunë. Çdo vendim me të cilin nuk dakordohet Serbia, do të ishte i njëanëshëm dhe i dhunshëm. Një zgjidhje e këtillë do të thoshte favorizim i gjendjes aktuale dhe krijim i një kanceri midis Ballkanit dhe Evropës, i cili do të destablizonte tërë rajonin dhe do të ballkanizonte Evropën. Unë mendoj se zgjidhje shumë më e mirë do të ishte evropeizimi i Kosovës dhe Ballkanit.

Ju natyrisht që jeni të njohur me propozimin e Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin si dhe propozime tjera të shumta jozyrtare dhe zyrtare, për vendosjen e një lloj pavarësie të kushtëzuar të Kosovës. A do të ishte për Serbinë një zgjidhje e këtillë e pranueshme?

Drashkoviq: Nuk e di se cfarë do të thotë pavarësi e kushtëzuar? Cili është kushti themelor i një zgjidhje të këtillë? Mendoj se serbët dhe shqiptarët do të arrinin një zgjidhje shumë më të shpejtë, sikur në fillim të negociatave të nënshkruanin një marrveshje prej dy pikash. Një, që serbët të heqin dorë nga përdorimi i fjalës sovranitet, ndërsa shqiptarët nga fjala pavarësi. Dhe dy, që serbët dhe shqiptarët të mos kërkojnë fatin e tyre mbi fatkeqësinë e tjetrit. Kjo do të na mundësonte arritjen e një zgjidhje, e cila do të ishte e jashtëzakonshme, por edhe situata është e jashtëzkonshme. Zgjidhje të tilla mund të gjejmë në disa rajone të Evropës.

Këto ditë ju keni biseduar me të dërguarit e posacëm të sekretarit të përgjithëshëm të OKB, Kai Eide, i cili së shpejti do të përgatisë një raport për nivelin e realizimit të standardeve. Prej këtij raporti varet edhe fillimi i procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Mendoni se ky proces do të fillojë në vjeshtë?

Drashkoviq: E sigurt është veëtm një: se pa marrveshjen mes serbëve dhe shqiptarëve dhe realizimin e këtyre standardeve nuk mund të ketë ndonjë zgjidhje. Të kujtojmë propozimin e vitit 1995 për Republikën Serbe të Krainës në Kroaci, "Z 4". Edhe ky ishte një propozim i pazakonshëm. Ideja ishte që serbët të pranojnë këtë zgjidhje dhe që Serbia, mbi këto baza, të gjejë një zgjidhje për Kosovën. Ishte ky plani i njohur si "2 K". Duke i falënderuar Millosheviqit dhe bashkëmendimtarëve të tij, Serbia refuzoi këtë plan i cili Krahinës Serbe i mundësonte: parlamentin, qeverinë, presidentin, monedhën si dhe të drejtën për vendosjen e marrveshjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimin në institucione ndërkombëtare, përvec karriges në OKB. Ajo kishte të drejtën e përfaqësimit në Qeverinë e Zagrebit, dhjetë deputet në parlamentin kroat, ndërkohë që Zagrebi nuk i kishte këto të drejta. Ishte i parashikuar edhe cmilitarizimi i Krahinës dhe që serbët të kenë policinë e tyre, por jo edhe ushtrinë. Natyrisht që asgjë nuk mund të përshkruhet. Por një model i këtillë i pazakonëshëm mund të realizohet për stasutin njerëzor të Kosovës, sepse unë nuk e dua fjalën statusi përfundimtar. Vetëm vdekja paraqet statusin tonë të fundit.

Nuk më jeni përgjigjur në pyetjen në se në vjeshtë do të fillojë procesi për zgjidhjen e statusit përfundimtar?

Drashkoviq: Për zgjidhjen e statusit përfundimtar nuk do të fillojë. Nuk e di se cfarë do të ndodhë, sepse kjo varet prej raportit të Eides. Në qoftë se jepet një sugjerim i tillë, besoj se ky do të jetë sugjerim për fillimin e negociatave për procesin që do të conte deri te zgjidhja përfundimtare. Realizimi i standardeve duhet të jetë pjesë e gjithë procesit të quajtur status, sepse ato tani nuk janë të realizuara.

Në mesin e këtyre standardeve ekzistojnë edhe të tilla të cilat nuk janë realizuar as në demokracitë shumë më të zhvilluara perëndimore. Cilat janë standardet më të rëndësishme për palën serbe?

Drashkoviq: Kjo është e vërtetë, por ekzistojnë disa standarde të cilat mund të realizohen shumë shpejt. Duhet rindërtuar të gjitha shtëpitë, kishat dhe manastiret e rrënuara pas vitit 1999. Duhet të sigurohet liria e plotë e lëvizjes dhe të gjitha të drejtat e njeriut. Duhet që, përmes pushtetit lokal, të fillohet procesi i evropeizimit të Kosovës dhe Metohisë.
Kur unë, liderët shqitparë dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkomëtare flasim për një Kosovë multietnike, ne flasim gënjeshtra të kulluara. E vërteta është që 75 përdind e territorieve në Kosovë janë të banuara vetëm me shqiptarë. Në këto territore nuk dua të përzihem. Ne tani po flasim për 25 përqind të territoreve ku jetojnë edhe serbët. Atje po zhvillohet lufta për ruajtjen e fëtyrës evropiane të Kosovës. Pastaj, sa kohë duhet të kalojë deri në fillimin e decentralizimit? Çfarë është bërë për kthimin e të të zhvendosurve dhe për kthimin e pasurive të tyre? Janë këto vetëm disa prej standardeve, e secili prej tyre është më i vogël se bjeshkët e nemura.

Një interes të jashtëzakonshëm për gjendjen në Kosovë ka edhe Shqipëria, e cila vjet me radhë nuk ka pasur raporte të mira me Beogradin. Kohët e fundit janë shënuar përparime, ndërkohë që ju edhe vet para ca kohësh ishit në Tiranë. Si i vlerësoni këto raporte?

Drashkoviq: Si raporte shumë të mira dhe të cilat janë në përmirësim e sipër. Për nivelin e raporteve mes mbretërisë së Serbisë dhe Jugosllavisë dhe Shqipërisë, më së miri flet fakti se pallati kryesor në Beograd, mbanë emrin "Albania", ndërsa rruga kryesore "Skadarska". Ishte kjo përgjigja e serbëve ndaj popullit shqiptar, për ndihmën gjatë golgotës më të madhe serbe, gjatë Luftës së Parë Botërore. Ne kurrë nuk do ta harrojmë Esat Pashën dhe ato që ka bërë për popullin dhe ushtrinë serbe. Serbët shumë shkurt i mbajnë mend armiqësitë, ndërsa miqësitë përgjithmonë.

Shikuar nga rezultatet e fundit të zgjedhjeve, në Shqipëri do të ketë ndryshim pushteti. Mendoni se kthimi i Sali Berishës në pushtet do të ndikonte në raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë?

Drashkoviq: Jo. Unë pres vazhdimin e përmirësimit të raporteve shqiptaro - serbe. Mendoj se negociatat për statusin e Kosovës nuk duhet të jenë pengesë në raportet mes Serbisë dhe Shqipërisë. Në Shqipëri ka ardhur një gjeneratë e re politikanësh shumë të pjekur, të cilët kanë qëllimet e njëjta sikurse Serbia: anëtarësimin në Nato dhe Bashkimin Evropian. Do të thotë ne kemi synime të njëjta. Ndërkohë që edhe në elitën shqiptare shihet një mendim shumë real dhe i përgjegjëshëm. Nuk ka më entuziazëm ndaj parullave për Shqipërinë e Madhe. Ndryshe, këto ide nuk kanë lindur në Shqipëri por në Prizren. E ngjashme ishte situata edhe me idenë për Serbinë e Madhe, e cila ka lindur në periferi. Ndërkohë që ata të cilët kanë filluar aksionin për realizimin e kësaj ideje, shkatërruan periferinë dhe qendrën serbe. Mendoj se shqiptarët, si politikanë shumë të talentuar, nuk do të përsërisin këtë gabim.

Ata të cilët nisën realizimin e idesë për krijimin e një "Serbie të Madhe", i kanë bërë popullit serb një shërbim shumë të keq...

Drashkoviq: Në të vërtetë, ata kanë varrosur traditën tonë. Serbia kurrë nuk kishte për ideal krijimin e një Serbie të Madhe, por bashkimin e popujve ballkanik. Kjo pjesërisht u realizua me krijimin e mbretërisë jugosllave, por ju e dini se nën të njëjtin kulm, ishte e parashikuar të vendosen edhe Bullgaria dhe Shqipëria.

Pra, ata të cilët kanë nisur realizimin e idesë për një "Serbi të Madhe" shkaktuan gjakderdhje të përmasave të jashtëzakonshme. Shumica prej tyre sot janë në Hagë. Kur do t'u bashkangjitet atyre edhe Ratko Mlladiq?

Drashkoviq: Nuk e di. Por atë që kam menduar për Mlladiqin unë e kam thënë në kohën e luftërave të tija. Për këtë shkak, para komandove të shtetit terrorist të Millosheviqit, kam rrezikuar veten, familjen dhe partinë. Eshtë një tragjedi e madhe që të gjithë të akuzuarit për krime lufte nuk janë në Hagë. Jo për shkak të obligimeve ndërkombëtare, por për shkak të historisë dhe ndërgjegjës sonë. Deri në paraqitjen e Sllobodan Millosheviqit, Serbia kurrë nuk është akuzuar për krime, spastrime etnike dhe vrasjen e civilëve. Përkundrazi. Ishte viktimë e krimeve. Me vetë akuzimin për krime, ata kanë bërë krim edhe ndaj historisë dhe traditës serbe. Secili duhet të niset prej vetvetes. Duhet të distancohemi dhe të kërkojmë përgjegjësi për ata të cilët kanë bërë dhe kanë urdhëruar kryerjen e krimeve, në emër të popullit serb. Të njëjtat obligime kanë edhe populli kroat, boshjak dhe shqiptarë. Këto janë urat e bashkëpunimit. Jo të harresës, sepse ata të cilët premtojnë harrimin e shpejtë të krimeve, janë në gjendje shpejt edhe t'i përsërisin ato.