1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle viziton Birmaninë

28 Prill 2012

Në kuadër të një udhëtimi në Azinë Juglindore ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle viziton tani Brunein, Tajlandën dhe Birmaninë. Perëndimi vazhdon të përcjell me kujdes procesin e refomave në Birmani.

https://p.dw.com/p/14mOz
Në foto, Guido Westerwelle
Në foto, Guido WesterwelleFotografi: dapd

Me zgjedhjet shtojcë të 1 prillit në Birmani u bë një hap më tej i rëndësishëm përpara në procesin e reformave që filloi para një viti e gjysëm në vend. Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) dhe kandidatja e saj e famshme, Aung San Suu Kyi, fituan 43 nga 45 vendet e ofruara në zgjedhje për parlamentin e vendit. "Zgjedhjet në Birmani janë një hap historik në rrugën e demokratizimit dhe pajtimit kombëtar," pati deklaruar ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve. Megjithatë zgjedhjet shtojcë nuk ndryshojnë shumë raportet në pushtet pasi që është votuar vetëm për një të dhjetën e vendeve në parlament.

Në kuadër të një udhëtimi në Azinë Juglindore (25.04.-30.04.2012) Westerwelle viziton tani Brunein, Tajlandën dhe Birmaninë. Siç njoftoi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në fokus të bisedimeve janë tre tema: forcimi i bashkëpunimit me Organizatën e shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN), kapërcimi i krizës evropiane të borxheve dhe mbështetja e zhvillimit demokratik në Tajlandë dhe në veçanti në Birmani.

Ministrat e Jashtëm të BE-së në Brunei
Ministrat e Jashtëm të BE-së në BruneiFotografi: picture-alliance/dpa

Ushtria tregon se e ka fjalën në parlament

Se zhvillimi demokratik në Birmani ka nevojë të nxitet ende tregojnë ngjarjet që pasuan nga euforia e zgjedhjeve. Të hënën (23.04.2012) Lidhja Kombëtare për Demokraci ( NLD ) bojkotoi hyrjen e saj në parlament. Ajo refuzoi të betohet në Kushtetutën e vitit 2008, pasi që sipas saj në këtë mënyrë vetëm sa do të forcohej pushteti i ushtrisë në vend. Aktivistët e demokracisë nuk duan të japin betimin se do të mbrojnë kushtetutën („safeguard“) por vetëm se do t'i kushtojnë vëmendje („respect“), asaj. Në këtë mënyrë NLD kërkon ndryshimin e tekstit të betimit.

Megjithatë jo të gjithë vëzhguesit pajtohen me rëndësinë që mund të ketë teksti i dhënies së betimit në këtë rast. "NLD është këshilluar keq për këtë çështje. Partitë e tjera opozitare kanë shprehur kritika. Me të vërtetë ka probleme më të rëndësishme dhe urgjente se çështja e betimit", sqaron Gerhard Will, ekspert i Azisë në Fondacionin për Shkencë dhe Politikë (SWP) në Berlin. Ndërsa NLD bojkotoi parlamentin ushtria ka pushtuar vendet e reja në parlament me njerëzitë e saj.

Në foto, Aung San Suu Kyi
Në foto, Aung San Suu KyiFotografi: Reuters

Perëndimi mbetet vigjilent

Vizita e ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle me të cilën vazhdohet vargu i vizitave të politikanëve të lartë perëndimor në Birmani (sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton vizitoi Birmaninë në nëntor 2011 ndërsa kryeministri britanik, David Cameron në prill 2012) është një sinjal jo vetëm për qeverinë por edhe për popullin që të vazhdojnë me procesin e reformave. Perëndimi, ky është mesazhi, do të vëzhgojë me vëmendje këtë proces. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon do të qëndrojë në fundjavë (29.04.-30.04.) në Birmani në mënyrë që të njihet për së afërmi me procesin e reformave në vend.

Në foto, Hillary Clinton
Në foto, Hillary ClintonFotografi: dapd

Në mënyrë që nxitja e procesit të reformave të bëhet jo vetëm me fjalë por edhe me vepra Gjermani ka rritur asistencën e saj të zhvillimit. Angazhimi i Gjermanisë me 16 milionë është më shumë se dyfishuar dhe Bashkimi Evropian ofron në dispozicion 150 milion euro të tjera shtesë.

Autor: Rodion Ebbighausen / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani