1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Pekini ka më shumë mundësi"

7 Tetor 2019

Shefja e Administratës së Hong Kongut Carrie Lam dëshiron të ndalojë maskimin e demonstruesve. Ideja vjen nga Pekini, beson eksperti i Kinës Willy Lam. Dhe kjo nuk do t'i impresiononte aspak njerëzit e Hong Kongut.

https://p.dw.com/p/3QnuR
Hongkong Anti-Regierungsproteste
Fotografi: Reuters/A. Perawongmetha

Deutsche Welle: Cili është qëllimi i Qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut me ndalimin e maskimit, duke iu referuar një ligji emergjence të epokës koloniale?

Willy Lam: Kjo ka ndikim negativ në statusin e Hong Kongut si një qendër financiare globale. "Ligji për gjendjen e jashtëzakonshme" u krijua në vitin 1922 në epokën koloniale britanike dhe u zbatua vetëm një herë, në vitin 1967. Njoftimi i së premtes (04.10.) tregon vetëm se Hong Kongu është në një gjendje të pazakontë dhe sundimi i ligjit lëngon.

Tani, Rajoni i Posaçëm Administrativ dëshiron të miratojë një "ligj të ri për ndalimin e maskimit", duke iu referuar ligjit të vjetër. Kjo nuk do të kishte ndikim në demonstratat në vazhdim. Përkundrazi. Po të supozojmë se 50.000 deri në 70.000 njerëz do të dilnin në rrugë me fytyra të fshehura, policia nuk do të ishte në gjendje t'i arrestonte të gjithë demonstruesit. Ndoshta, me projektligjin e ri qeveria dëshiron të përfundojë protestat masive. Por kjo mund të ketë efektin e kundërt. Kjo nuk është e mençur.

Çfarë ose kush e ka shtyrë qeverinë e Hong Kongut të paraqesë sërish një ligj të ri të diskutueshëm pas ligjit të ekstradimit?

Hongkong Anti-Regierungsproteste
Fotografi: Reuters/A. Perawongmetha

Pas demonstratave masive të 9 dhe 16 qershorit 2019, me rreth dy milion pjesëmarrës, qeveria qendrore kineze e ka humbur besimin në udhëheqjen e kryeministres Carrie Lam. Mund të supozohet se vendimet themelore për Hong Kongun merren në Pekin. Pekini ka tendencën të marrë masa të ashpra, përfshirë angazhimin e policive të armatosur dhe ushtarëve të kontinentit në Hong Kong. Edhe nëse Hong Kongu dhe Pekini i kanë mohuar vazhdimisht plane të tilla. Presidenti Xi Jinping me sa duket dëshiron më shumë arrestime dhe ashpërsimin e ligjeve.

Në Festën Kombëtare në Kinë, në 1 tetor, në një ditë u arrestuan 269 vetë. Me ndalimin e maskimit mundet të ndalohen nga policia edhe më shumë protestues. Me këtë Pekini shpreson të kapë drejtuesit e lëvizjes.

Sipas mendimit tuaj, a do ta frenonte kjo lëvizjen?

Demonstruesit nuk frikësohen. E gjitha do të vazhdojë dhe ndoshta do të zmadhohet.

A do të dërgojë Pekini ushtarë në Hong Kong?

Unë nuk besoj që në Hong Kong të dërgohet Ushtria Çlirimtare e Popullit. Kjo do të nënkuptonte fundin e parimit të "një vendi, dy sisteme". E përfytyrueshme është që policët të angazhohen fshehtas në provincën fqinje të Guangdong. Por nuk ka asnjë dëshmi për këtë supozim.

Për momentin, nuk duket se konflikti mund të zgjidhet me bisedime paqësore, sepse Pekini ka më shumë mundësi. Dhe ai dëshiron të ndërhyjë me forcë. Xi Jinping nuk do të dojë pajtim përmes kompromiseve politike.

Willy Lam është ekspert i Kinës dhe profesor në Universitetin Kinez të Hong Kongut.

Intervista u krye nga Phoebe Kong në gjuhën kineze.