1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"You cannot kill us. You tried and failed"

Nadine Michollek
Publikuar 12 Prill 2022Përditësimi i fundit 18 Dhjetor 2023

Joshla Weiss trajton traumën naziste të familjes së saj në shfaqjen "Qyteti Rom*nja - Qyteti i njerëzve të lirë".

https://p.dw.com/p/49nwt
Joschla Melanie Weiß e mbështetur në një divan, ka mbështetur lehtë kokën te dora dhe tregon e buzëqeshur
Aktorja Joschla Melanie Weiß Fotografi: DW

Gjyshërit e aktores Melanie Joshla Weiss i deportuan në kampe përqëndrimi gjatë epokës naziste, sepse ishin sinti. Aktorja nga Berlini e trajton traumën që shkaktoi periudha naziste ndaj familjes së saj në shfaqjen "Qyteti Rom*nja – qytet i njerëzve të lirë”. 41-vjeçarja është drejtore artistike e shfaqjes, prodhim i kolektivit teatror "Rom*nja-Power", një shoqatë ndërkombëtare artistësh që i përkasin komunitetit sinti dhe rom.

Historia e Rita Prigmores

Shfaqja "Rom*nja City" flet për të mbijetuarën e përndjekjes naziste sinticës Rita Prigmore dhe për të motrën e saj binjake, të ndjerën Rolanda. Regjimi nazist i përndoqi dhe izoloi sintit dhe romët dhe i përjashtoi nga shoqëria. Në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes ndaj tyre u ndërmorën sterilizime me detyrim. Joshla tregon me pak fjalë historinë e shfaqjes "Qyteti Rom*nja – qytet i njerëzve të lirë”.

Familja e Rita Prigmores ishte deportuar në një kamp përqendrimi. Kur mjekët donin ta sterilizonin nënën e Ritës ata zbuluan se ajo ishte shtatzënë me binjakë. Asaj i ofruan të zgjidhte: ose t'i jepte binjakët pas lindjes për eksperimente mjekësore, ose do t'i vrisnin prindërit dhe gjyshen. Nëna e Ritës dhe e motrës së saj binjake pranoi t'i jepte ato për eksperimente. Vajzave u hapën kokat dhe u hodhon bojë në sy që nga kafe ato të bëheshin blu. Rita mbijetoi, motra e saj binjake Rolanda vdiq.

Traumë brez pas brezi

Duke treguar Joshlës i mbeten fjalët në fyt dhe i mbushen sytë me lotë, sepse edhe familja e saj u persekutua dhe u vra nga regjimi nazist. Joshla na sheh në kokërdhok të syrit dhe na pyet: "Sa perfidë duhet të jenë njerëzit për ta bërë këtë? Kur flas me të mbijetuarit, e ndjej këtë dhimbje." Gjyshi im ishte në Aushvic. Ai mbijetoi. Nga shtatë vëllezërit e motrat e tij, vetëm një vëlla u kthye nga kampi i shfarosjes. Gjyshja ime ishte në kampin e përqendrimit në Dachau. Edhe ajo mbijetoi" - tregon Joshla. Ajo i përket brezit të tretë pas Aushvicit, por gjenocidi nazist dhe trauma familjare e ka ndikuar edhe atë.

Joschla Melanie Weiß, duke ushtruar në një sallë me pasqyra.
Aktorja Joschla Melanie Weiß e përpunon me teatër traumën e familjes së saj të deportuar nga nazizmiFotografi: DW

Pasojat e traumës naziste për pasardhësit e komunitetit sinti dhe rom pothuajse nuk janë hulumtuar deri më sot. Një raporti i Komisionit të Pavarur për Antiziganizmin, i publikuar në vitin 2021, sugjeron se humbja e anëtarëve të familjes së vrarë mund të çojë në mbingarkesë dhe nevojë të tepruar për mbrojtje.

Përpunimi i traumës familjare përmes artit

"Unë jam Rita Prigmore. Ata u përpoqën të më transplantonin gjenin e bardhë." - me këto fjalë nis shfaqja. Për Joshlan, arti është edhe një mënyrë për të përpunuar traumën e familjes së saj. Për artin e saj ajo gjen frymëzim si tek gjenocidi nazist edhe tek racizmi aktual. "Ndjenjën e padrejtësisë dhe zemërimin unë i kthej në forcë për të krijuar pjesë teatrale”.

Frymëzuar nga drama "Ngritja dhe rënia e qytetit Mahagonny" e Bertolt Brecht-it, kolektivi i teatrit zhvilloi utopinë e një qyteti të çliruar. Kur Joshla flet për të, ajo duket plot energji: "Për ne, utopia e lirisë do të thotë të tregosh diversitetin e rom*njave, të jetosh diversitetin dhe të mos lejojmë që të reduktohemi në mangësi, probleme dhe ankesa".

Në fund të "Rom*nja City" Joshla del në plan të parë. Ajo shikon drejt audiencës dhe thotë thuajse triumfuese: "Did you know that the highest birth rates after the war were in the survival camps? You cannot kill us. You tried and failed." ("A e dinit që numri më i madh i lindjeve pas luftës u regjistrua në kampet e mbijetesës? Ju nuk mund të na vrisni. Ju u përpoqët dhe dështuat."

Ky artikull u shkrua në kuadër të programit të granteve NewsSpectrum, një nismë e IPI dhe MIDAS. ERIAC dhe DW janë partnerë në program.