1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zannieri: Prishtina dhe Beogradi duhet të bisedojnë për shumë çështje praktike

Bekim Shehu/Prishtinë 20 Gusht 2008

Bisedat Prishtinë-Beograd për zgjidhjen e çështjeve praktike janë të nevojshme, sepse vetëm në këtë mënyrë gjërat do të mund të lëvizin nga vendi.

https://p.dw.com/p/F1Yh
Diplomati italian Lamberto Zannier
Diplomati italian Lamberto ZannierFotografi: AP

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannieri, sqaroi në një konferencë për media në Prishtinë rolin e tij në Kosovë, sepse ka kohë që në mediat kosovare ai kritikohet për qëndrimet e tij kontroverse në raport me mandatin që ka. Italiani, Lamberto Zannieri, vazhdon të mbështesë idenë që Prishtina dhe Beogradi duhet të bisedojnë për shumë çështje praktike, ndërsa në këtë mes UNMIK-u të luajë rolin e lehtësuesit të bisedave dhe jo të ndërmjetësit.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannieri, tha se bisedat Prishtinë-Beograd për zgjidhjen e çështjeve praktike janë të nevojshme, sepse vetëm në këtë mënyrë gjërat do të mund të lëvizin nga vendi. Ai tha se çështja e doganave në veri të Kosovës, çështja e pjesëtarëve serbë të SHPK-së të cilët nuk bashkëpunojnë me kolegët e tyre shqiptarë dhe vështrësitë në shtrirjen e misionit të BE-së në vendbanimet serbe, janë pika për të cilat duhet biseduar me Beogradin.

"Përshtypja ime është se çdo gjë do të zgjidhet më lehtë nëse në biseda përfshihet edhe Beogradi. Pra, mandati im është që të bisedoj me secilën palë në mënyrë që mos të kemi edhe më tensionim të situatës, por t'i relaksojmë marrëdhëniet", tha Lamberto Zannieri. Përpjekjet e zotit Zannieri që të iniciojë biseda Prishtinë-Beograd tash për tash duken të kota, sepse qeveria e Kosovës thotë se me Beogradin mund të bisedohet vetëm në cilësinë e dy vendeve fqinjë, ndërsa, nga ana tjetër, Beogradi të vetmin autoritetet që njeh në Kosovë është administrata e Kombeve të Bashkuara.

Lamberto Zannieri, nuk ishte në gjendje të thotë se kur do të futen në funksion dy pikat doganore në veri të Kosovës edhe pse ato janë kompetencë e UNMIK-ut. Ai mbështet idenë që Kosova të ketë zonën e saj doganore, mirëpo që pjesa e veriut të jetë funksionale, ai përpiqet ta ketë edhe miratimin e Beogradit. Serbët e Kosovës nga ana tjetër, ka kohë që kanë krijuar kuvendet e tyre komunale, të cilat mbështeten nga Beogradi dhe i përgjigjen vetëm qeverisë serbe. Këto struktura, për shefin e UNMIK-ut, do të mbesin ilegale dhe të tilla do të trajtohen nga UNMIK-u.

"Nuk do të pranohen strukturat paralele të dala në zgjedhjet serbe te 11 majit. Ky qëndrim nuk do të ndryshojë. Unë nuk kam takuar asnjë nga të ashtuquajturit kryetarë të kuvendeve komunale serbe dhe nuk do t'i takoj." - tha Lamberto Zannieri. Sidoqoftë, mandati i shefit të UNMIK-ut në Kosovë, akoma bazohet në rezolutën 1244 të KS-it, mirëpo ai është urdhëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, që të nisë procesin e rikonfigurimit të UNMIK-ut, për t'i lënë vendin misionit të BE-së për polici dhe drejtësi, EULEX.

Autoritetet e Prishtinës, thonë se ata dëshirojnë që UNMIK-u ta përfundojë sa më shpejtë mandatin dhe t'i bartë të gjitha përgjegjësitë tek institucionet e Kosovës. Analistët thonë se prezenca në Kosovë e tri mekanizmave, UNMIK-ut, misionit të BE-së dhe qeverisë, vetëm sa do t'i vështirësojë gjërat. Sipas tyre, dëshmia më e mirë është status-quo-ja, që mbretëron në veri të Kosovës, ku asnjë nga këta mekanizma nuk kanë shtrirje të plotë në këtë pjesë të dominuar nga serbët.