1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zapatero urdhëron tërheqjen e trupave spanjolle nga Iraku

Oliver Glaap19 Prill 2004

Opinioni spanjoll pas vendimit

https://p.dw.com/p/ArHa
José Luis Rodriguez Zapatero
José Luis Rodriguez ZapateroFotografi: AP

Një i ri spanjoll që po shkon në punë ndjehet i lehtësuar për vendimin e parë qeveritar të kryeministrit të ri.

"Ai bëri atë që duhet të bënte. Ai premtoi që do t'i kthente trupat në atdhe. Pra, më mirë sot sesa nesër, apo jo? Më duket se vendimi duhet të ishte marrë më parë."

Në një sondazh spantan të radiostacionit Cadena Ser mbi 90 për qind e spanjollëve të anketuar e përshëndetën kthimin e trupave të tyre nga Iraku. Qëndrimi refuzues ndaj politikës së mëparshme spanjolle për Irakun duket se është përsëri aq i fortë sa vitin e kaluar në fillim të luftës. Dhe aq i fortë sa më 14 mars për zgjedhjet parlamentare në vend kur socialisti José Luis Zapatero fitoi papritur. Njëra nga arsyet ishte ngaqë ai e kishte dënuar që në fillim si të paligjshme dhe të padrejtë Luftën e Irakut duke premtuar tërheqjen e trupave spanjolle në rast fitoreje.

Ky i ri mendon se qëndrimi vazhdon të jetë i drejtë.

"Në të pasqyrohet vullneti i popullit. Mua nuk më duket i nxituar, pasi populli spanjoll ka kohë që dëshiron që kjo të ndodhë."

I nxituar; kjo ishte parmbrëmë fjala kritike e Mariano Rajoy-t, kryetarit të Partisë Konservatore deri tani qeverisëse, e cila ishte e vetmja parti spanjolle që shprehu refuzim ndaj urdhërit për tërheqje. Zapatero u dorëzua tepër herët, kritikoi Rajoi dhe disa spanjollë janë të një mendjeje, si ky fshesar për shembull.

"Ai po e bën këtë, sepse mendon se duhet ta bëjë, për të qetësuar qytetarët. Besoj se trupat duhet të kishin pritur derisa Organizata e Kombeve të Bashkuara të merrej vesh. Nga njëra anë më duket me vend, nga ana tjetër jo."

Një burrë tjetër me xhup që po kalon këtu pranë shkon edhe më tej:

"Nuk më duket e mirë. Qeveria nuk duhet ta kishte bërë këtë. Në fakt Zapateroja e ka thënë këtë gjithnjë, edhe në parlament, por ai duhet të kishte pritur. Nuk ka aredhur 30 qershori."

Me të vërtetë kryeministri Zapatero e kishte shpallur tërheqjen e trupave në rast se Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk do ta merrte kontrollin në Irak deri më 30 qershor. Por pikërisht kjo mundësi i është dukur Zapateros dhe qeverisë së tij se sa vinte e nuk kishte të ngjarë. Kështu thekson edhe Ministri i ri i Jashtëm spanjoll Miguel Angel Moratinos në një intervistë për radio.

"Ne nuk do të përmbushnim vullnetin e popullit spanjoll nëse do t'i përmbaheshim një modeli, i cili deri tani nuk ka çuar në rrugëdaljen nga kriza që po zgjat kaq gjatë."

Për këtë arsye qeveria donte t'i jepte fund çdo lloj pasigurie deklaroi Moratinos, i cili ditët që vjen do t'ia shpjegojë këtë qëndrim në Dublin edhe presidencës irlandeze në Bashkimin Evropian dhe në Washington homologut të tij amerikan Powell. Por shumicën e spanjollëve nuk do të ketë nevojë t'i bindë.

"Zapatero bëri mirë,"

thotë një grua dhe një tjetër shton:

"I nxituar ishte vendimi për të marrë pjesë në luftë."

Por Partia Popullore konservatore nuk e kritikon vetëm si të nxituar urdhërin për tërheqje. Kryetari i saj Mariano Rajoy mendon se në këtë mënyrë Spanja bëhet edhe më e cenueshme për terrorizmin. Megjithatë ky kalimtar i ri nuk mund ta miratojë këtë.

"Besoj se kjo është pozitive për vendin tonë. Besoj se atentatet këtu nuk ndodhën pa arsye, por prej trpave tona. Terroristët islamistë e kanë thënë vetë që atentatet janë pasojë e pranisë së trupave tona në Irak."

Ç'është e vërteta terroristët islamistë patën kërkuar edhe tërheqjen e trupave spanjolle nga Afganistani, por atje Zapatero nuk do të tërhiqet. Atje ai do t'i përforcojë trupat.