1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zenun Pajaziti: Autoirtetet serbe duhet të kërkojnë leje për të vizituar Kosovën

25 Prill 2009

Presidenti i Serbisë Boris Tadiq vizitoi ditët e fundit Kosovën. Vizita ka ngritur pyetjen se kush në fakt është autoriteti që duhet të lejojë futjen e zyrtarëve të shteteve të tjera, në Kosovë.

https://p.dw.com/p/Hd55
Kufiri i KosovësFotografi: Nikos Pilos

Deutsche Welle: Qeveria e Kosovës paralajmëron, se nuk do të lejojë asnjë vizitë pa leje, ndërsa autoritetet e Beogradit thonë se nuk do të kërkojnë leje prej qeverisë kosovare. Ndërkohë, ju si Ministër i Brendshëm keni paralajmëruar se nuk do të lejoni futjen pa leje në Kosovë, të asnjë zyrtari serb.

Zenun Pajaziti: Deri në fund të vitit të kaluar ka qenë UNMIKU ai, që jepte leje për futjen në Kosovë të përfaqësuesve të vendeve të tjera. Por, gjërat kanë ndryshuar. Organet e shtetit të Kosovës janë ato që japin tani leje. Kjo vlen vetëm për autoritetet e vendeve të tjera, ndërsa qytetarët mund të qarkullojnë të lirë.

Deutsche Welle: Vëmendjen e opinionit në veçanti ka zgjuar këto ditë vizita e fundit në Kosovë e presidentit të Serbisë Boris Tadiq. Kabineti i tij pohon se nuk ka kërkuar leje prej autoirteteve në Prishtinë, ndërsa qeveria e Kosovës ka kumtuar se Tadiqi është lejuar vetëm për vizitë private dhe fetare. Pra cila është e vërteta?

Zenun Pajaziti: E vërteta është që ata kanë depunuar një kërkesë përmes misionit ndërkombëtar për të vizituar Kosovën. Qeveria e ka trajtuar dhe kryeministri Thaçi ka bërë një leje për delegacionin serb dhe ka theksuar se nuk do të dëshironte që në raste të tilla të dërgohen mesazhe politike.

Deutsche Welle: Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga presidenti Boris Tadiq të mos bëjë deklarata politike. Megjithatë, në mesazhin e tij për Pashkët ortodokse ai flet për Kosovën si pjesë e Serbisë.

Zenun Pajaziti: Deklarata e zotit Tadiq ka qenë kryesisht me mesazhe paqësore. Mirëpo deklarimet e herë pas hershme të politikanëve serbë për Kosovën janë plotësisht të tejkaluara. Ne nuk ua kemi vënë veshin fare, sepse më nuk bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës, por për zhvillimin ekonomik dhe intergrimin në strukturat ndërkombëtare. Çështja e statusit ka përfunduar. Për ne është shqetësues vetëm fakti që deklaratat e tilla më shumë kanë ndikim tek manipulimi i qytetarëve serbë.

Deutsche Welle: Po si do të trajtohen vizitat e ardhshme të autoriteteve të Serbisë në Kosovë?

Zenun Pajaziti: Ato do të trajtohen veç e veç, sikur të gjitha kërkesat e delegacioneve të vendeve të tjera. Tendencat e autoriteteve serbe që të dërgojnë mesazhe të rrezikshme për qytetarët e Kosovës, në veçanti për qyetarët serbë të Kosovës, na kanë detyruar që të jemi më strikt dhe ndonjë herë të mos japim leje për këto vizita.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama