1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

120509 Bundespräsidentenwahl Trendsetter

23 Maj 2009

Zgjedhja e presidentit të Gjermanisë më 23 maj 2009 kësaj here është interesante. A mund të shërbejë rezultati i zgjedhjeve presidenciale si një sinjal se kush do të krijojë qeverinë federale pas zgjedhjeve në vjeshtë?

https://p.dw.com/p/Hv9j
Ne foto: kandidatët për president të RFGJ
Në Gjermani po zhvillohet sot zgjedhja e presidentit të ri federal. Ne foto: kandidatët aktualë për president të RFGJ

Willy Brandt kishte një pararendës. Gjysmë viti përpara se ai të bëhej kancelari i parë socialdemokrat, Gustav Heinemanni u bë presidenti i parë socialdemokrat. Temat, me të cilat Willy Brandt zhvilloi luftën elektorale për zgjedhjet parlamentare në vitin 1969, karakterizuan edhe fjalimin e Heinemann-it ditën e inagurimit në post si president i vendit.

24 vjet pas Luftës së Dytë Botërore ne ende gjendemi përpara detyrës, të mirkuptohemi edhe me fqinjët tanë lindorë. Eshtë i mëse i nevojshëm dhe duhet të zhvillohet diskutimi i gjithëanshëm për një paqe të sigurtë në mbarë Evropën.“

Për një diskutim të tillë zgjedhësit ia dhanë mandatin Willy Brandt-it. Edhe sot e kësaj dite Heinemanni konsiderohet si një sinjal, që mund të jepet prej zgjedhjeve presidenciale.

Faktikisht zgjedhja e Heinemann-it kontribuoi për një ndryshim të atmosferës tek elektorati. Megjithatë kjo zgjedhje nuk ishte shkak, por rezultat i një kthese. Liberalët më parë ishin larguar prej kristiandemokratëve duke u orientuar tek socialdmeokratët. Partia liberale, FDP, i dha me vendosmëri votat Heinemann-it dhe më pas krijoi një koalicion me partinë socialdemokrate të Willy Brandt-it. Ndryshe nga atëherë sot nuk duket të ketë një rieorientim të tillë tek asnjëra parti.

Dhjetë vjet pas zgjedhjes së Heinemann-it dështoi përpjekja e kristiandemokratëve për të arritur kthesën në të njëjtën mënyrë. Nisur nga thuajse fitorja në zgjedhje në vitin 1976, si dhe nga zgjedhjet parlamentare të fituara prej krstiandemokratëve në disa lande në vitin 1979, kristiandemokratët dhe kristiansocialët kishin shumicën në Asamblenë Federale. Si rrjedhojë ato zgjodhën Karl Carstens-in president të ri. Por zgjedhjet parlamentare, që pasuan në vitin 1980 i fitoi bindshëm kancelari socialdemokrat Helmut Schmidt, në aleancë me liberalët.

Në fund zgjedhja e Carstens-it pati pasoja politike:

Të dashur bashkëqytetare dhe bashkwwqytetarë unë shpërndava sot Bundestagun (parlamentin) dhe për 6 mars vendosa të zhvillohen zgjedhjet e reja."

Liberalët në vitin 1982 u shkëputën prej socialdemokratëve duke u kthyer tek kristiandemokratët. Presidenti Carstens përmes një vendimi mjaft të diskutueshëm miratoi dëshirën e kancelarit të ri Helmut Kohl për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pasoi epoka e Kohl-it që zgjati 16 vjet.

Një shtysë të një lloji krejt tjetër dha në vitin 1997 presidenti i ardhur nga radhët e kristiandemokratëve, Roman Herzog. Në një fjalim të famshëm ai kritikonte ngurtësinë, prej së cilës Gjermania rrezikonte të humbiste hapin e kohës.

Gjermania duhet të marrë një hov, ne duhet të shkëputemi prej posedimeve që na janë bërë komode.“

Në vitin që pasoi zgjedhësit i dhanë lamtumirën Helmut Kohl-it. Socialdemokrati Gerhard Schröder fitoi zgjedhjet me premtimin, se do t' i bëjë ballë të ashtuquajturit bllokim i reformave të epokës së Kohl-it. Presidenti që pasoi ishte socialdemokrati Johannes Rau.

2004 kristiandemokratët dhe liberalët e rimorën postin e presidentit me Horst Köhler-in. Si në rastin e Gustav Heinemann-it ky ishte fillimi i një kthese politike: Në vitin që pasoi kryetarja e partisë kristiandemokrate, Angela Merkel u zgjodh kancelare.

Kësaj radhe zgjedhja e presidentit më 23 maj 2009 është fare afër me zgjedhjet e ardhëshme parlamentare. Natyrisht që nga zgjedhja e presidentit pritet një efekt i veçantë sinjalizues. Por edhe mund të ndodhë që një efekt i tillë të mos mbajë gjatë. Dy javë pas zgjedhjeve presidenciale (më 7 qershor 2009) edhe në Gjermani zhvillohen zgjedhjet për deputetët e Parlamentit Evropian.

Në varësi të rezultatit të këtyre votimeve mund të dalë në pah një sinjal krejt tjetër. Në gusht 2009 zhvillohen zgjedhjet për parlamentet e landeve: Zaarland, Saksoni dhe Tyringen. Rezultati i këtyre zgjedhjeve është krejtësisht i paparashikueshëm. Ndaj më e mira do të ishte që zgjedhja e presidentit të konsiderohet ashtu siç është, pra si zgjedhje presidenciale.

Autor: Peter Stützle/ Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi