1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Shijak i fiton kandidati i djathtë

Arben Muka12 Mars 2007

Kryeministri Sali Berisha viziton në spitalin e Durrësit komisionerin e djathtë të plagosur dhe e cilëson aktin krim të pastër politik. Ndërkohë opozita ankohet se ka patur presione të rënda nga ana e kundërshtarëve politikë

https://p.dw.com/p/ArXk
Tirana
TiranaFotografi: AP

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur pasditen e së hënës fituesin e zgjedhjeve në zonën elektorale nr 26 në Shijak, që është kandidati i koalicionit të djathtë Osman Metalla. Më herët gjatë ditës komisioni zonal pas numerimit të votave në 38 qendrat e votimit shpalli Metallën si deputet me një rezultat rreth 90 përqind të votave. Ky rezultat erdhi dhe nga bojkotimi i procesit zgjedhor nga ana e kandidatit të opozitës Igli Çela dhe më pas janë tërhequr nga komisionet dhe përfaqësuesit e majtë.

Opozita u ankua se kishte patur presione të renda nga ana e kundërshtarëve si dhe kishte evidentuar parregullsi të shumta. Por përfaqësues të mazhorancës e kanë komentuar këtë qëndrim si zbatim të një skenari të paralajmëruar nga ana e opozitës që e kishte të sigurtë humbjen.

E diela në Shijak regjistroi disa incidente të rënda. Një komisioner i djathtë është plagosur në këmbë me armë zjarri, pas një grindje që ka patur me nje vëzhgues të majtë për shkak të zgjedhjeve. Dy deputete të opozitës kanë njoftuar se janë marrë peng nga disa persona gjatë kohës kur ata ishin në një qëndër votimi, por këtë e përgënjeshtruan deputetë të tjerë nga rradhët e mazhorancës, për të cilët ky ishte një sajim i pabazë.

Kryeministri Sali Berisha ishte në spitalin e Durrësit për të vizituar komisionerin e djathtë të plagosur, duke e quajtur atë si nje krim te pastër politik. Policia ka shoqëruar disa komisionerë të opozitës, të cilat i ka lënë të lirë pas disa orëve. Një zëdhënës i policisë tha se komisionerëve u kërkuan vulat dhe dokumente të tjera që i kishin marrë gjatë braktisjes së procesit. PS i quajti këto ndalime të paligjshme dhe si një presion i drejtëpërdrejtë për opozitën.

Një grup shoqatash joqeveritare të cilët kishin aktivizuar në zonën elektorale të Shijakut rreth 50 vëzhgues vendore. Monitoruesit bënë kritika mbi parregullsi të shumta. Sipas tyre “tërheqja e komisionerëve ndikoi në degradimin e procesit elektoral, që u vu pas kësaj nën kontrollin e njerës forcë politike”.