1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet parlamentare dhe mediat - objekt dasish në Asamblenë Kombëtare të PS

28 Korrik 2009

Kundërshtitë e dy grupimeve kryesore në PS lidhur me qëndrimin ndaj zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe transparencës ndaj publikut janë shfaqur në punimet e Asamblesë Kombëtare të PS.

https://p.dw.com/p/Iyqq
Asambleja Parlamentare e Partisë Socialiste po diskuton në Tiranë. Selia e PS te Shqiperise
Asambleja Parlamentare e Partisë Socialiste po diskuton në TiranëFotografi: DW / Cama

Dy rezoluta kundërshtuese për zgjedhjet dhe praninë e medieve në sallë

Lideri socialist Rama dhe mbështetësit e tij paraqitën një rezolutë ku propozohet mosnjohja e qeverisë së dalë nga këto zgjedhje, mospjesëmarrja në Parlament dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme. Sipas këtij grupimi PS nuk e pranon rezultatin sepse "procesi zgjedhor ishte i manipuluar dhe i kompromentruar."

Lideri socialist Rama dhe mbështetësit e tij votuan kundër pjesëmarrjes së mediave në punimet e sotme të Asamblese Kombëtare të PS dhe zhvillimin e tyre me dyer të mbyllura, rast ky i paprecedent në historinë e socialistëve.

Grupimi tjetër, i kryesuar nga eksponenti i PS, Ben Blushi, paraqiti një rezolutë ku propozohet njohja e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, pjesëmarrja ne Parlament dhe dorëheqja e liderit socialist Edi Rama, si përgjegjësi kryesor për humbjen e zgjedhjeve. Ky grupim këmbënguli për pjesëmarrjen e mediave në punimet e Asamblesë dhe transparencën ndaj publikut, këmbëngulje që nuk rezultoi fitimtare përballë votave të shumta për zhvillimin me dyer të mbyllura të mbështetësve të Ramës.

Analistë e quajnë regres ndalimin e pjesëmarrjes së mediave në Asamble

Alfred Peza, analist i pavarur në Tiranë, e konsideron një zhvillim negativ ndalimin e pjesëmarrjes së mediave në punimet e sotme të Asamblesë Kombëtare të PS:

"Ky është një regres i jashtëzakonshëm. Eshtë një lajm i keq për PS dhe jo për mediat. Eshtë një lajm që tregon se kjo Parti e ka merituar votën që i dha elektorati për të qëndruar në opozitë. Eshtë një lajm i keq për demokracinë në Shqipëri," thotë Alfred Peza.

Detyrimi ndaj elektoratit të majtë, që i dha votën në 28 qershor është një këndvështrim tjetër i zotit Peza për ta kritikuar ashpër mbylljen e dyerve për mediat.

"Kanë marrë 750 mijë vota nga shqiptarët dhe ata kanë të drejtë të dëgjojnë sesi e kanë lexuar ata votën e tyre", tha ai.

Edhe anëtarja e kryesisë së PS, Eva Allushi e kritikon zhvillimin e takimit ë sotëm me dyer të mbyllura.

"Padyshim do të ishte në interes të publikut dhe të socialistëve për të ndjekur një mbledhje ku do të ketë paraqitje të ideve dhe argumentave të ndryshme," tha ajo.

Një nga pikat më të mprehta të diskutimeve të sotme është dorëheqja e Edi Ramës nga posti i kryetarit të PS. Po Eva Allushi shpjegon se mandati i tij , si kryetar i PS është ndërprerë që me humbjen e zgjedhjeve, nen të cilin e pat propozuar vetë Zoti Rama.

"Është kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste që do të vendosë nëse do të ketë dorëheqje apo ndërprerje mandati," tha anëtarja e kryesisë së PS, Eva Allushi.

Ky kongres u propozua sot nga Edi Rama të mbahet më 22 gusht.


Autor: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi