1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet presidenciale në Iran nuk shoqërohen nga incidente

17 Qershor 2005

Në Iran po mbahen sot zgjedhje presidenciale. Kushtetuta e vendit nuk lejon kandidimin për të tretën herë të presidentit Mohamed Katami. Pretendent kryesor është ish-presidenti Akbar Hashemi Rafsanxhani. Qendrat e votimit mbyllen pas afro tri orësh dhe megjithë aktet terroriste të ditëve të fundit deri tani nuk njoftohet për incidente.

https://p.dw.com/p/ArOv
Kleriku Akbar Hashemi Rafsanxhani shihet si pretendenti kryesor
Kleriku Akbar Hashemi Rafsanxhani shihet si pretendenti kryesorFotografi: dpa

Nën masa të rrepta sigurie po zhvillohen në Iran zgjedhjet presidenciale. Megjithëse ditët e fundit ka pasur një sërë atentatesh në vend, nuk njoftohet për incidente. Për garantimin e sigurisë po punojnë 20.000 forca të policisë si dhe njësi të ushtrisë. Sipas të dhënave nga diplomatët evropianë që kanë vizituar disa qendra votimi pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë mbi nivelin e pritur prej tyre.

Midis gjithsej shtatë kandidatëve mundësitë më të mira për fitore i jepen ish-presidentit, klerikut konservator, të matur Akbar Hashemi Rafsanxhani. 70 vjeçari ka qenë në krye të republikës islamike nga viti 1989 deri 1997. Ai ka premtuar përmirësimin e marrëdhënieve me kombet perëndimore, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por edhe ndjekësit e vijës së ashpër, ish-drejtorit të policisë Mohamed Baker Kalibaf si dhe ish-ministrit të arsimit Mostafa Moin nga kampi reformator u jepen mundësi të mira. Siç tregojnë edhe sondazhet ka gjasa që të ketë një raund të dytë zgjedhor. Disa grupe opozitare kanë bërë thirrje për bojkotim. Të drejtën e votës e kanë thuajse 47 milionë iranianë; një pjesë e mirë e tyre nën moshën 30 vjeçare. Në rast se asnjë prej kandidatëve nuk merr shumicën e nevojshme do të ketë raund balotazhi një javë më pas.

Presidenti i tanishëm Mohamed Katami nuk mund të kandidojë më pas dy periudhash në detyrë. Ai ua ka zhgënjyer shpresat për reforma më të thella shumë zgjedhësve.

Ndërkaq dje presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W Bush i ka kritikuar zgjedhjet në Iran sepse këto nuk i përfillin kërkesat e demokracisë. Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë ai thotë, se "Irani qeveriset nga njerëz që shtypin lirinë dhe përhapin terror në mbarë botën." Zoti Bush e kritikoi Iranin për përjashtimin nga gara të qindra kandidatëve reformatorë prej një organi klerikal.

Por udhëheqja iraniane e ka hedhur poshtë kritikën e presidentit amerikan. Duke hedhur votën e tij udhëheqësi më i lartë fetar ajatollah Ali Kamenei tha se zgjedhjet do ti zhvlerësojnë pretendimet e "armiqve tanë" se islamizmi dhe demokracia janë të papërputhshme. Vetë ajatollahu Ali Chamenei do të vazhdojë të zotërojë pushtetin më të madh në vend, por ai nuk është i zgjedhur nga populli.