1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rumänien Präsidentschaftswahl

23 Nëntor 2009

Ende nuk është e qartë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Rumanisë. Në raundin e parë të zgjedhjeve as pushtetmbajtësi i deritashëm Traian Basescu, as sfiduesi kryesor, Mircea Geoana nuk arriti shumicën.

https://p.dw.com/p/KdOg
Zgjedhjet presidenciale në balotazh. Ne foto: pamje nga Bukureshti
Zgjedhjet presidenciale në balotazhFotografi: dpa

Basescu prin me rreth 33 përqind të votave

Vëzhguesit e zgjedhjeve kanë regjistruar qindra parregullsi, në ditën e zgjedhjeve janë arrestuar disa persona për shkak të akuzave për korruptim, mediet rumune informojnë për një "turizëm të tepruar zgjedhor". Megjithatë, pas mbylljes së lokaleve zgjedhore pushtetmbajtësi Traian Basescu iu gëzua fitores në etapën e parë. Sipas progonozave të disa instituteve, Basescu ka arritur të sigurojë të paktën 33 përqind të votave dhe është fitues i raundit të parë. Kapiteni i dikurshëm i marinës tregtare rumune u shpreh pas mbylljes së vendvotimeve:

"Vendimi i rumunëve në zgjedhje shkon qartë në të djathtë: unë si kandidat i liberaldemokratëve dhe të të tjerëve, partive më të vogla së bashku me kandidatët e nacionalliberalëve kemi marrë mbi 50 përqind të votave".

Në të vërtetë është shumë e pasigurtë nëse këto të dhëna do të vlejnë edhe pas dy javësh. Kjo për faktin se nuk është e sigurtë që të gjithë zgjedhësit e liberalit nacionalist, Crin Antonescu, i cili është renditur në vendin e tretë, do t'ia japin votën presidentit Basescu. Po ashtu edhe ish- ministri i Jashtëm, Mircea Geoana përpiqet që t'i fitojë ato vota. Sipas rezultateve të para Geoana ka fituar të paktën 31 përqind të votave të përgjithshme dhe do të ndodhet përballë Basescut në zgjedhjet e balotazhit me 6 dhjetor.

Presidenti i Rumanisë, Basescu prit në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale
Presidenti i Rumanisë, Basescu prit në raundin e parë të zgjedhjeve presidencialeFotografi: picture-alliance/ dpa

"Të vazhdojmë të bashkuar përpara - me mbështetësit dhe zgjedhësit e të gjithë atyre që kandiduan në këtë garë. Pas pesë vitesh të konflikteve duhet ta kuptojmë se ajo çfarë na bashkon është më e fortë se ajo çfarë na ndan. Vetëm të bashkuar mund ta luftojmë me sukses krizën, të ringjallim ekonominë, bujqësinë dhe industrinë dhe të krijojmë vende të reja të punës".

Rumanisë i mungon projektbuxheti shtetëror për vitin e ardhshëm

Shumë rumunë shpresojnë që zgjedhjet presidenciale të jenë një pikë kthese në zgjidhjen e krizës politike në vend. Ka javë që vendi qeveriset nga një qeveri teknike. As presidenti demokrat-liberal Trajan Basesku dhe as aleanca parlamentare mes social-demokratëve dhe liberalëve nuk ia dolën deri tani që të krijojnë një qeveri të re. Rumanisë i mungon ende projektbuxheti shtetëror për vitin e ardhshëm. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngrirë dhënien e një kredie shumë të nevojshme për nxjerrjen e vendit nga kriza. Akuzat për mashtrime dhe përpjekjet për manipulimin e zgjedhjeve shoqëruan raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani.

Shumë ithtarë të partive dyshohet të kenë votuar nga disa herë

Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve ndodhen në terren dhe kanë paralajmëruar me kohë për parregullsitë. I ashtuquajturi 'turizëm zgjedhor' nuk është fenomen i panjohur në Rumani. Shumë ithtarë të partive dyshohet të kenë votuar nga disa herë nëpër qendra të ndryshme të votimit. Siç duket për këtë qëllim partitë e mëdha kanë organizuar udhëtime të përbashkëta me autobus. Kandidati Crin Antonescu, i cili është renditur në vendin e tretë akuzoi dy rivalët e tij: "Autobusët e Basescut dhe Geoanas kanë votuar herët në mëngjes", sqaroi ai i zemëruar, pasi e kuptoi se nuk ka sigurar votat e mjaftueshme për balotazh.

Autor: Gerwald Herter/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi