1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhvillohet në Berlin konferenca për migracionin

Monika Dittrich1 Shkurt 2007

Kur njerëzit largohen nga atdheu i tyre dhe ikin në një vend të huaj, ata e bëjnë këtë në shumicën e rasteve sepse duan një punë dhe një jetë më të mirë. Por për vendet e zhvilluara ky fenomen është problematik.

https://p.dw.com/p/AqnD
Emigrantë, Spanjë
Emigrantë, SpanjëFotografi: picture-alliance/dpa

Në pjesën e pasur veriore të hemisferës, shtrohet më pas pyetja se sa migracion është i shëndetshëm për ta. Kur të vijnë sërish mijëra afrikanë me varak në kufijtë e Evropës, kjo pyetje do të shtrohet edhe më shpesh. Por mobiliteti mbarëbotëror i njerëzve ka edhe aspekte pozitive. Të mërkurën në Berlin u mblodhën ekspertë të fushave të ekonomisë, shkencës dhe politikës për të diskutuar mbi shanset dhe rreziqet e migracionit.

Rita Süssmuth nuk ka frikë nga tema e migracionit. Ish presidentja e Bundestagut gjerman dhe ministre në qeverinë e Helmut Kohlit, e ka quajtur që në vitet 90 Gjermaninë një vend migracioni. Ajo është angazhuar gjithmonë për çështjet e të huajve në Gjermani dhe edhe gjatë konferencës për migracionin, që u zhvillua në Berlin, ajo theksoi edhe njëherë se migracioni në Gjermani duhet vlerësuar si një shans dhe jo rrezik për vendin: "Ne nuk e kemi idenë se sa shumë punojnë këtu migrantët. Nganjëherë flasim për njerëzit që punojnë vetëm në stinë të caktuara, por ajo që harrojmë është se sa shumë punojnë këta njerëz si fuqi ekonomike apo në sektorin e shërbimeve sociale. Prandaj ja ardhur koha që t´i largojnë sa më parë paragjykimet nga kokat tona."

Ministri i brendshëm gjerman Wolfgang Schäuble tha se Gjermania nuk ka nevojë për fuqi punëtore që vjen nga jashtë, përveç sigurisht atyre që janë shumë të kualifikuar. Republika federale po vuan ende nga numri i madh i migrantëve të viteve 90. Schäuble kërkon që në Evropë të përdoret një model i ri për migracion të kufizuar. Kështu, falë marrëveshjeve bilaterale mund të ofrohen vende të kufizuara pune në të gjitha shtetet e BE-së. Edhe Norbert Walter e mbështet këtë ide. Ai është shefi i Deutsche Bank-ës. Por ai mendon se Gjermania ka nevojë për migrantët në mënyrë afatgjatë, mbi të gjitha edhe për shkak se në Gjermani lindin shumë pak fëmijë: "Ndoshta pas 10 apo 15 viteve do t´i puthim dorën njërit apo tjetrit migrant që erdhi, ndejti dhe u martua këtu. Mbi të gjitha në qoftë se atij i pëlqen këtu tek ne. Këto nuk janë raste nga të cilat duhet të kemi frikë, por raste që shpresojmë të ndodhin sa më shpesh. Ndryshe do të pësojmë një krizë shumë të madhe. Si mund t´ja bëjmë të qartë opinionit publik se pasnesër do të jetë krejt ndryshe nga sot." Përveç kësaj migracioni mbarëbotëror ka një potencial të madh zhvillimi ekonomik: Paratë që transferojë migrantët në vendet e tyre të lindjes kapin shumën e rreth 170 miliardë euro. Kjo shumë është dyherë më e lartë se ajo e të gjitha investimeve në ndihmën për zhvillim.

Dhe shefi i Deutsche Bank, Norbert Walter, shpjegon se këto transferime kanë efekte pozitive edhe për vendet ku hyjnë këto të holla: "Le të marrim si shembull Meksikën: Shumë zhvillime në Meksikë janë të paimagjinueshme pa Teksasin, Floridën apo Kaliforninë. Zhvillimi i papritur i sektorit të industrisë në landin meksikan Zacatecas, ka të bëjë me faktin se gjysma e njerëzve që jetojnë aty, punojnë në Kaliforni dhe dërgojnë një pjesë të madhe të rrogave të tyre në atdhe. Zhvillimi ekonomik në Zacatecas është influencuar në mënyrë vendimtare nga këto të holla."