1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

zu Gutenberg: Propozimet e Ahtisarit nuk do të jenë fakte të kryera, por mendime që mund të diskutohen me qetësi nga të dyja palët

Bettina Burkhard/ kryeredaktore e programit kroat2 Shkurt 2007

Intervistë me Karl Teodor zu Gutenberg (Karl Theodor zu Guttenberg), deputet i fraksionit CDU/CSU dhe kryetar i komisionit parlamentar gjerman për politikën e jashtme

https://p.dw.com/p/ArZ4
Karl Teodor zu Gutenberg
Karl Teodor zu GutenbergFotografi: picture-alliance/ dpa

DW: Në lidhje me vizitën e Ahtissarit dhe deklaratat e tij mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, bashkësia ndërkombëtare ka shprehur shqetësimin e saj se situata e sigurisë në Kosovë mund të përkeqësohet sërish. A mendoni edhe ju kështu?

zu Gutenberg: Shpresoj që jo. Në rradhë të pare sepse Rezultati i këtyre bisedimeve duhet të jetë i kënaqshëm për të dyja palët. Dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme që t´i vënë në jetë këto vendime. Ne si bashkësi ndërkombëtare e presim këtë gjë dhe shpresojmë se kështu do të reagojnë edhe ata që do të jenë të zhgënjyer nga këto rezultate. Ndoshta do të jenë të gjithë të zhgënjyer por ndoshta nga ky zhgënjim do të lindë një forcë e re për rajonin.

DW: Në Serbi nuk ka ende një qeveri të re edhe pas zgjedhjeve. Kryeministri Kostunica nuk pranoi ta presë Marti Ahtisarin dhe ka deklaruar se nuk do të ketë marrëdhënie diplomatike me ato shtete që do ta njohin Kosovën si shtet të pavarur. Si e vlerësoni qëndrimin e Kostunicës dhe mbi të gjitha të ardhmen e Serbisë aktualisht?

zu Gutenberg: Shpresoj ende që të formohet një qeveri demokratike dhe jo një qeveri që bazohet në tendenca nacionaliste e pjesërisht radikale. Jam i çuditur mbi sjelljen e Koshtunicës kohët e fundit, sepse nuk mendoj se me këtë sjellje ka fituar besimin e atyre partnerëve që do t´i duhen sidomos në të ardhmen. Pjesë e këtij partneriteti është që Serbia kërkon një perspektivë evropiane. Por kjo perspektivë ka nevojë për një stabilitet politik dhe jo për çrregullime. Dhe kështu qeveria serbe duhet të ndërmarrë çdo hap që bashkësia ndërkombëtare të jetë e sigurtë për përpjekjet serioze të saj.

DW: Mos vallë perspektiva evropiane nuk është shumë e rëndësishme aktualisht për Koshtunicën?

zu Gutenberg: Shpresoj të mos jetë kështu, sepse ai duhet të llogarisë me këtë perspektivë edhe për muajt e ardhshëm. Besoj se ai do që vendi i tij të ketë një perspektivë më të madhe ekonomike, por kjo perspektivë nuk mund të arrihet kur Kostunica u kthen shpinën në mënyrë publike atyre që e kanë ndihmuar gjatë gjithë kohës.

Karl Theodor zu Guttenberg, deputeti i fraksionit CDU/CSU dhe kryetar i komisionit parlamentar për politikën e jashtme, vizitoi të enjten (01.02) Deutschen Wellen. Në një intervistë ekskluzive ai foli ndër të tjera edhe mbi shpresat që lidhen me vizitën e ndërmjetësuesit të OKB-së për Kosovën Ahtisari dhe statusin e Kosovës.