1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Guttenberg Portrait

1 Mars 2011

Karl-Theodor zu Guttenberg ndoqi si politikan gjurmët e gjyshit dhe u bë edhe më i suksesshëm se ai. Për një kohë të gjatë ai ka qenë madje një nga politikanët më të dashur në Gjermani.

https://p.dw.com/p/10RFc
Karl-Theodor zu GuttenbergFotografi: picture alliance/dpa

Ai është 40 vjeç dhe ka pas vetes një karrierë të menjëhershme në politikë. Karl-Theodor zu Guttenberg, i lindur më 5 dhjetor 1971, është pinjoll i një familjeje aristokrate franke. Karriera e tij politike ishte parashikuar që kur ishte i vogël. Gjyshi që ka mbajtur të njëjtin emër ka qenë deputet i parlamentit dhe sekretar shteti. Ai ka qenë një nga themeluesit e partisë Unioni Kristian - Social (CSU).

Pas mbarimit të gjimnazit Karl-Theodor zu Guttenberg shkoi në ushtri prej së cilës doli si nënoficer rezerve. Pas mbarimit të studimeve në shkencat politike dhe juridike në Mynih dhe Bayreuth ai filloi me shkrimin e doktoraturës, të cilën e mbaroi më 2006 me notën më të lartë "summa cum laude".

Karriera dhe fëmijët

Afghanistan Besuch der Guttenbergs Dezember 2010
Stefanie zu Guttenberg duke shoqëruar të shoqin deri në AfganistanFotografi: picture-alliance/dpa

Gjatë kësaj kohe ai krijoi familje me Stefanie von Bismarck-Schönhausen dhe filloi të punonte pjesërisht në një ndërmarrje të vogël të prindërve. Përveç kësaj ai ka ushtruar aktivitetin e tij në bordin mbikqyrës të Rhön-Klinikum AG. Në vitin 2002 familja zu Guttenberg shiti pjesët që zotëronte në Rhön-Klinikum AG, dhe kjo e shtoi pasurinë e familjes në mënyrë të konsiderueshme.

Duke ndjekur traditën e familjes Karl-Theodor zu Guttenberg u angazhua në CSU-në bavareze fillimisht në grupimet lokale dhe rajonale dhe më vonë në selinë kryesore të partisë në Mynih. Atje ai u tërhoq nga kryetari i partisë Horst Seehofer pas humbjes së zgjedhjeve në Landin e Bavarisë me 2008 dhe u bë Sekretar i Përgjithshëm i CSU-së.

Politikan 100 përqind

Flash-Galerie Wochenrückblick 2010 KW 27 Seehofer und Guttenberg
Karl-Theodor zu Guttenberg dhe Horst SeehoferFotografi: picture alliance/dpa

Që nga ky moment Guttenberg fillon një karrierë të menjëhershme politike. Në pranverë të 2009, Michael Glos dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Ekonomisë. Horst Seehofer informoi pak më vonë shtypin për njeriun që do të merrte drejtimin e ministrisë në Berlin.

Sekretari i ri i Përgjithshëm i CSU-së u bë në moment ministri më i ri i Ekonomisë, i cili e mori përsipër detyrën me angazhim dhe seriozitet. "Kjo është një provë që mua personalisht më pëlqen ta marr dhe do ta marr përsipër," tha Guttenberg, "me forcë, guximin e duhur por edhe me angazhimin e nevojshëm".

Momenti në të cilin ai e mori këtë post ishte i vështirë, në vitin 2009 Republika Federale ishte futur në krizën ekonomike dhe financiare botërore, me pasoja të paparashikueshme. Në sytë e publikut ai i kreu detyrat mirë dhe shpejt u fut në listat e politikanëve të preferuar të vendit.

Detyrat e reja për starin e ri

Bundeswehr Haushalt
Karl-Theodor zu Guttenberg në postin e ministrit të MbrojtjesFotografi: AP

Pas zgjedhjeve parlamentare të 2009 ministri i Mbrojtjes Franz-Josef Jung dha dorëheqjen për shkak të një bombardimi në Afganistan. Në afërsi të Kundusit duhet të kenë humbur jetën për shkak të tij 140 vetë. Pas Jungut postin e mori Karl-Theodor zu Guttenberg.

Ai u bë ministër i ri i Mbrojtjes dhe trashëgoi një problem të vjetër, misionin e ushtrisë gjermane në Afganistan, një mision që kushton jetë njerëzish: "Mendimet dhe lutjet tona janë për ushtarët dhe familjet e tyre,"tha Guttenberg në atë kohë. "Ky, të dashur kolegë dhe kolege, është një mision që i shërben sigurisë sonë dhe vendimi për të është marrë këtu." Zu Guttenberg informoi që në fillim për gjithçka, ai nuk bëri zbukurime të situatës dhe nuk u mundua të mbulonte të vërtetën.

Misioni në Afganistan, përligjia politike dhe trajtimi në të ardhmen ishin sfidat më të mëdha për ministrin e Mbrojtjes zu Guttenberg - deri në fillim të vitit 2011 kur ai u konfronua me akuzat për plagjiat në punimin e doktoraturës. Më 1 mars 2011 ai dha dorëheqjen.

Autor: Matthias von Hellfeld / Aida Cama
Redaktor: Nicole Scherschun / Klaudia Prevezanos