1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Haxhinasto: Një shoqëri nuk mund të trajtohet me obsesionin e territorit

8 Qershor 2011

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto në intervistë për Deutsche Welle-n shpreh qëndrimet lidhur me tezën e Presidentit serb Boris Tadiç, mbi "projektet e shqiptarëve për krijimin e Shqipërisë së madhe" .

https://p.dw.com/p/11WuC
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto
Ministri i Jashtëm, Edmond HaxhinastoFotografi: Anila Shuka

DW: Z. Ministër, ditët e fundit në një intervistë për gazetën gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung", presidenti i Serbisë Boris Tadiç është shprehur se: "ai që mund të lexojë historinë, do të mund të kuptojë se krijimi i Shqipërisë së Madhe është plani afatgjatë politik i shqiptarëve". A ka një qendrim Shqipëria lidhur me këtë deklaratë?

Haxhinasto: Unë nuk dëshëroj të mbaj qendrime ndaj deklaratave të drejtuesve në Serbi. Ajo që dua të them është që Shqipëria e Madhe nuk është pjesë e axhendës së Republikës së Shqipërisë, as e shqiptarëve në rajon. Gjithçka e madhe, si Shqipëria e Madhe, Serbia e Madhe dhe çdo gjë tjetër e madhe, e cila nuk respekton të drejtën e popujve për të jetuar në bashkëjetesë me të tjerët, që nuk respekton kufijtë, që nuk respekton aspiratat e tyre, të drejtat e tyre që nuk i trajton minoritetet dhe të gjitha komunitetet me të njëjtin respekt, e cila përpiqet të ngrejë mure të reja ndarëse në rajon, që përpiqet të verë re të zeza mbi axhendën e integrimit evropian të vendeve të rajonit, është treguar edhe në të kaluarën që ka qenë një përpjekje e dështuar, dhe që nuk ka pasur asnjëherë sukses. Prandaj kjo tezë nuk mund të jetë teza e shqiptarëve, por është pikërisht teza e atyre, që nuk dëshërojnë që shqiptarët në të gjitha vendet ku ata jetojnë sot, të jenë pjesë konstruktive e proceseve integruese e të gjitha vendeve të rajonit.

DW: Do doja të citoja më tej nga deklarata e presidentit Tadiç, ku thuhet: "një marrëveshje, në bazë të së cilës të gjitha palët marrin diçka, e cila krijon një zgjidhje të qëndrueshme, paqe dhe stabilitet mund të jetë për të gjitha palët jashtëzakonisht e dobishme". Deri tani ideja e Shqipërisë së madhe ka qenë frikëngjallëse dhe është refuzuar kategorikisht nga vendet fqinjë. Kjo është hera e parë që një vend fqinj e shtron këtë si një opsion zgjidhjeje. Ç'mendim keni ju z. Ministër, cila do të ishte zgjidhja më e dobishme për të gjitha palët në Ballkan?

Haxhinasto: Unë mendoj që zgjidhja më e dobishme do të jetë që të adoptohet një vizion i ri, një vizion i integrimit evropian për të gjitha vendet e rajonit dhe askush, asnjë vend, asnjë shtet, duke përfshirë edhe shtetin e ri të pavarur të Kosovës, të mos trajtohen si një plaçkë e cila mund të ndahet për të kënaqur dëshirat e kujtdo qoftë, pasi Kosova nuk është një territor. Kosova është një shoqëri dhe shoqëria duhet respektuar, gjithë qytetarët e saj duhen respektuar. Një shoqëri nuk mund të trajtohet me obsesionin e territorit. Kjo është diçka tërësisht e gabuar, tërësisht anti-evropiane, kjo është diçka kundër të ardhmes së vendeve të rajonit. E përsëris, mënyra më e mirë është që të gjithë të kontribuojmë që çdo qytetar në çdo shtet të rajonit, të angazhohet konkretisht në proceset integruese, dhe qytetarët e këtyre shoqërive të bëhen qytetarë të shoqërisë evropiane.

DW: Ju përmendët Kosovën e pikërisht këtu qendron problemi. Prania e Lëvizjes "Vetëvendosja" në parlamentin e Prishtinës, parti kjo me një numër të konsiderueshëm mandatesh, shprehet hapur për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Nga ana tjetër edhe në Shqipëri ka zëra apo grupime sado të vogla e paefekt qofshin ato në politikë, që mbrojnë këtë ide. A ka mundësi që të tilla grupime të forcohen?

Haxhinasto: Unë dua të theksoj se pavarësia e Kosovës, një arritje shumë e madhe, historike e kombit shqiptar, atij që jeton në Kosovë, por edhe e serbëve që jetojnë në Kosovë, mendoj se është arritur, është ndërtuar mbi bazën e një kuadri shumë të qartë, një kuadri që u kristalizua me përpjekjet e të gjithë komunitetit ndërkombëtar, i cili ishte: mosbashkim me asnjë shtet tjetër, mosndarje dhe moskthim në gjendjen para vitit 1999. Këto ishin themelet e pavarësisë së Kosovës. Këto themele duhen respektuar maksimalisht. Gjithashtu duhet respektuar maksimalisht edhe vullneti i popullit të Kosovës, i cili në shprehjet referendare që ka bërë disa herë, ka kërkuar pavarësi, nuk ka kërkuar bashkim me ndonjë shtet tjetër. Prandaj nuk duhet të humbitet kohë me projekte të tilla, që nuk i shërbejnë para së gjithash qytetarëve të Kosovës por i shërbejnë pikërisht atyre që duan të vendosin pikëpyetje dhe të hedhin re të zeza mbi të ardhmen shumë të qartë, shumë të ndritur të të gjithë shqiptarëve në rajonin e Ballkanit.

DW: Z. Ministër, diplomacia e Shqipërisë e mbështet Kosovën në procesin e njohjes së pavarësisë së saj nga sa më shumë shtete të bashkësisë ndërkombëtare. A ka një koordinim mes Prishtinës dhe Tiranës në këtë drejtim dhe nëse po, si i ndikon kjo marrëdhëniet Tiranë-Beograd?

Haxhinasto: Ka një koordinim mes diplomacisë shqiptare dhe asaj kosovare. Ky koordinim do të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen dhe besoj se do të japë fryte në një të ardhme të afërt. Sa i takon marrëdhënieve me Beogradin, ne e kemi bërë të qartë qysh në fillim që marrëdhëniet mes dy shteteve, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë, nuk kanë pse të ngarkohen me çështje të tjera, çështje të cilat nuk janë pjesë e axhendës bilaterale. Ne kemi promovuar marrëdhënie shumë të ngushta me Beogradin dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë në aspektin e realizimit të marrëveshjeve dypalëshe, në aspektin e bashkëpunimit ekonomik, në aspektin e shkëmbimeve kulturore, arsimore, turistike e kështu me radhë.

DW: Dhe së fundi z. Ministër një pyetje lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri. Qysh nga 2009, zgjedhjeve parlamentare, situata politike e brendshme karakterizohet nga një krizë. Nuk mungojnë apelet nga Brukseli dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë për dialog dhe qendrim konstruktiv nga forcat politike. Madje edhe anulimi i vizitave nga Barroso dhe Fyle ishte një sinjal i fortë në këtë drejtim. A nuk është ky një hap prapa në rrugën e Shqipërisë drejt Evropës? Pse është kaq i vështirë dialogu mes forcave politike në Shqipëri?

Haxhinasto: Së pari dua të sqaroj se vizita e kryekomisionierit Barroso është shtyrë dhe nuk është anuluar. Së dyti, dua të them, se Shqipëria po kalon një moment ku është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të heshtin dhe të dëgjojnë institucionet e pavarura. Mendoj se kjo përqasje institucionale, ligjore, në kalimin e kësaj situate, i bën një testim shumë të rëndësishëm funksionimit të gjithë sistemit demokratik në Shqipëri. Kalimi me sukses i kësaj situate, që për mua do të thotë që të respektohen maksimalisht vendimet e institucioneve, pra nëse kjo do të ndodhë dhe unë besoj se do të ndodhë do ta kualifikojë Shqipërinë si një vend, ku logjika e ligjit, logjika e kushtetutës, logjika e institucioneve të pavarura, dominon mbi interesat dhe qëllimet partiake, për të përfituar politikisht, për të arritur interesa afatshkurtra politike. Pra do të mbizotërojë logjika, që institucionet, të cilat përfaqësojnë ligjin, rendin, kushtetutën, dhe në esencën e tyre edhe vullnetin e të gjithë popullit shqiptar, janë ato që prevalojnë sot në Shqipëri.

Intervistoi: Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Aida Cama