1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia pa sovranitet?

30 Janar 2012

Reagimet nga Greqia janë të zemëruara. Grekët e refuzojnë një komisioner kursimesh nga Europa. Planet gjermane synojnë më shumë të rrisin presionin ndaj Athinës.

https://p.dw.com/p/13syy
ARCHIV: A European Union left and the Greek flag wave above the ancient Parthenon temple, at the Acropolis Hill, in Athens (Foto vom 11.07.11). Nach monatelangen Verhandlungen wagt die Eurogruppe den Befreiungsschlag: Mit einem neuen Rettungspaket fuer Griechenland von 109 Milliarden Euro, einem Bankenbeitrag von 37 Milliarden Euro bis 2014 und Kreditzusagen fuer andere Sorgenkinder wie Italien und Spanien soll die Schuldenkrise eingedaemmt werden. (zu dapd-Text) Foto: Petros Giannakouri/AP/dapd
Griechenland EU Flaggen bei Akropolis Symbolbild Finanzkrise GipfelFotografi: dapd

Shumë ekspertë janë të një mendimi se Greqia po shpëton për një qime nga falimentimi. Sikur shtetet e Eurozonës dhe FMN-ja të mos japin më shumë para për shpëtimin e Greqisë, ky vend së shpejti do të jetë i paaftë për të paguar. Në të njëjtën kohë kontrollorët e trojkës (BE, FMN dhe banka qëndrore Evropiane) konstatojnë se gjendja ekonomike në Greqi është më e tmerrshme nga sa pritej dhe premtimet e qeverisë po zbatohen shumë ngadalë. A nuk është jologjike, që të vendosim një Komisioner Kursimi nga eurozona, për të kontrolluar grekët se si menaxhojnë buxhetin? Ideja vjen nga rrethet qeveritare në Berlin. Kjo nuk të çudit, sepse Gjermania mban mbi vete rrezikun më të madh në shpëtimin e Greqisë. Partia e kancelares (CDU) ka kërkuar në kongresin e saj të fundit biles ngritjen e një instance për monitorimin e buxhetit për Greqinë.

Opcion jo realist

Me këtë masë populiste mund të qetesoheshin ndoshta votuesit në Gjermani, por përpjekja serioze, për t'ia hequr të drejtën parlamentit grek, nuk do të çon askund. Për këtë ka tri arsye. Së pari se për instancën e komisionerit për kursimin nuk ka asnjë bazë ligjore. Greqia duhet ta pranojë atë dhe ndoshta edhe të ndryshojë kushtetutën. Por nuk duket se po ndodh kështu, në një kohë kur gazetat greke paralajmërojnë me të madhe nga rreziku i pushtimit prej "drejtuesve rajonalë", ish-funksionarët e partisë naziste, NSDAP, në Luftën e dytë Botërore. Së dyti vendosja e një kontrollori me të drejtë vetoje do të thotë, të pranosh zyrtarisht se Greqia ka falimentuar. Komisioneri i kursimit do të ishte një likuidator kompanie, por ndryshe nga likuidatori i një firme, ai nuk mund të shesë pronën e firmës dhe të pushojë punonjësit. Greqia nuk mund të shpërbëhet dhe grekët nuk mund t'i pushosh nga nënshtetësia greke. Me një menaxhim financiar nga jashtë BE apo eurozona do të merrte në Greqi përgjegjësinë, që në fakt nuk mund ta mbajë dhe që nuk do ta mbajë. Së treti Greqia është ende demokraci. Njerëzit përcaktojnë lirisht parlamentin dhe qeverinë e tyre. Heqja e autoritetit mbi buxhetin shtetëror do të perceptohej me të drejtë si pushtim.

Deutsche Welle ZPR Bernd Riegert
Bernd Riegert komenton zhvillimet aktuale në GreqiFotografi: DW

Shtohet trysnia

Prandaj reflektimet e Berlinit mund të kenë vetëm një qëllim: Presioni ndaj parlamentit grek duhet të shtohet. Grekëve, sidomos vendimmarrësve politikë, u duhet treguar "shkopi", me qëllim që të përshpejtojnë reformat dhe të rrisin vetëdijen për kursim. Natyrisht të gjithë e dinë se Greqia prej kohësh nuk është më sovrane dhe nuk vendos më vetë për shpenzimet dhe të ardhurat e saj. Ky vend varet prej dy vjetësh nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo tre muaj trojka (BE, FMN dhe BQE) kontrollon kontabilitetin dhe rekomandon masa drakoniane. Në fund tregjet financiare vendosin për situatën e Grreqisë. Sepse vetëm, kur normat afatgjata të interesit për obligacionet e Greqisë të bien, ajo do të vendosë me të vertetë e lirë, si do të kryejë financimet.

Bashkimi Evropian imponoi tërheqjen e kryeministrit grek Papandreou dhe arriti të zgjedhë ish-shefin e Bankës Kombëtare Papadhimos. Sovraniteti i Greqisë është gjithsesi i kufizuar, t'i merret edhe ai nga një komisioner i kursimeve, - kjo është rruga e gabuar. Greqia duhet ta ndihmojë vetë veten dhe grekët duhet ta duan një gjë të tillë. Në qoftë se kjo nuk funksionon, shtetet e eurozonës, në gjendje për të paguar, nuk duhet të vazhdojnë të japin premtime për dhënie kredish në një fuqi, që nuk ka fund. Atëherë Greqia do të ishte më mirë të dilte nga BE dhe të niste një rrugë të re me monedhë të re.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Angjelina Verbica