1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010711 F Strauss-Kahn Prozess

2 Korrik 2011

Socialistëve francezë iu janë rindezur shpresat! Kthesë e papritur në aferën e ish-shefit të FMN-së, Dominique Strauss-Kahn. Kahn lirohet nga arresti shtëpiak, por hetimet për akuzën e përdhunimit ende vazhdojnë.

https://p.dw.com/p/11nV6
Dominique Strauss Kahn para gjyqit në Nju JorkFotografi: dapd

Shumica e socialistëve francezë janë të entuziazmuar. Kahn prapë me shanse për president në 2012? Jacques Langlade, i cili gjithmonë ëndërron për kohën e bukur të bashkëpunimimit mes Kahn u shpreh pas vendimit të gjykatës në Nju Jork për lirimin e Strauss-Kahnit nga arresti shtëpiak: "Tani e shohim se viktima e supozuar nuk është edhe aq e pafajashme. Shpresojmë që Dominique Strauss-Kahn të lirohet nga akuza dhe të rehabilitohet."

Michele Sabban, mikeshë e familjes Kahn dhe zëvendëskryetare e parlamentit rajonal Ile dë France vlerësoi se Dominique edhe Anne kanë fituar një etapë të rëndësishme. "Mund ta shihje në fytyrat e tyre kur ata u larguan nga salla. Tani duhet të angazhohemi më shumë për të."

Sabban, por edhe socialistë të tjerë janë të entuziazmuar nga ideja, që Dominique Strauss-Kahn të ketë mundësinë të kandidojë për president. Madje edhe ish-kryetari i Partisë Socialiste Franceze, François Hollande është shprehur se asgjë nuk mund ta ndalojë Strauss Kahnin të kandidojë në zgjedhjet e tetorit. Indirekt ai foli për një zgjatje të afatit të regjistrimit të kandidaturës presidenciale, që skadon më 13 Korrik.

Reagim i madh në Francë

Radiot dhe televizionet në Francë i ndryshuan programet e tyre: martesa princërore në Monako është tashmë vetëm një lajm, në qendër është kthesa spektakolare në çështjen Dominique Strauss-Kahn.

Jean-Louis Borloo, një konservator jashtë rrymës, për kohë të gjatë ministër, mendon përtej këtij hapi dhe pyet: "Çfarë e pengon Strauss Kahn që të rikthehet në politikën e brendshme? Nëse ka forcë të mjaftueshme dhe dëshirë. Mua vazhdimisht më habiste qendrimi, se Strauss-Kahn ishte kartë e djegur. Ai ka dhënë vetëm dorëheqjen nga posti i shefit të FMN-së. Anëtarësia e tij në Partinë Socialiste me sa di unë vazhdon.“

Dominique Strauss-Kahn Medien junge Frau in Paris Flash-Galerie
Afera e Dominique Strauss-Kahnit ka rrëmbyer francezëtFotografi: picture-alliance/dpa

Prokuroria nuk i beson më shërbyeses

Thënë qartë: Strauss-Kahn mund të kandidojë edhe për zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm në Francë. Gazeta "New York Times" kishte botuar më parë informacione, sipas të cilave punëtorja e hotelit e cila e akuzonte Strauss-Kahnin për tentativë përdhunimi, ka gënjyer në shumë pika. Për shumë francezë një sinjal se akuza kundër Strauss-Kahnit do të rrëzohej: "Unë nuk kam besuar kurrë se akuza ka pasur ndonjë bazë, kam qenë gjithnjë i mendimit se ai është i pafajshëm. Unë mendoj se ai është ende në kohë të kandidojë për presidencën." - thotë një burrë nga Sarcelles, ku Strauss-Kahn ka qenë vite me radhë kryetar bashkie.

Socialistët duan të përzgjedhin kandidatët e tyre për president, në një votim në tetor. Për këtë votim kandidatët duhet të regjistroheshin zyrtarisht deri në 13 korrik. Kryetarja e partisë Martine Aubry e ka bërë këtë pak ditë më parë. Sa kohë Strauss-Kahn ishte jashtë skene, ajo kishte shanse të mira të fitonte në votimin për kandidatin socialist për presidencën.

Verhaftung Strauss-Kahn Politik Frankreich PS Martine Aubry
Kryetarja e socialistëve francezë, Martine AubryFotografi: picture-alliance/dpa

Fjala e fundit për kandidaturën nuk është thënë ende

Por nëse Strauss- Kahni shumë popullor rikthehet në skenën politike, atëherë punët mund të vështirësoheshin për Aubry. Ajo u shpreh e rezervuar lidhur me kthesën e papritur në çështjen Strauss-Kahn: "Lajmet e publikuara nga shtypi amerikan më mbushin me gëzim. Shpresoj me gjithë zemër që drejtësia amerikane të gjejë gjithë të vërtetën, që kjo ëndërr e keqe të marrë fund sa më shpejt për Strauss-Kahn." Lidhur me të ardhmen politike të shokut të partisë ajo nuk tha asnjë fjalë.

Këtë e bëri një tjetër socialist: ish kryeministri Lionel Jospin. Ai zbuti shpresat e rilindura në radhët e mbështetësve të Strauss-Kahnit për një rikthim të tij në politikë: "Natyrisht kjo është një kthesë e pabesueshme. Por edhe nëse akuzat kundër tij rrëzohen, ai mbetet figurë e përfolur nga mediet."

E vërtetë është që pas skandalit në Nju Jork, u bënë publike hollësi nga jeta private e Strauss-Kahn, të cilat e kanë dëmtuar përgjithnjë imazhin e tij në publik. Nëse imazhi i tij mund të vihet sërish në vend pas rrëzimit të akuzave, mbetet të shihet.

Autor: Christoph Wöß/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi