1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU-Russland-Gipfel

16 Dhjetor 2011

Presidenti i Rusisë Medvedev premtoi në Bruksel ndihma financiare për shtetet e eurozonës, por nuk pranoi kërkësën e Parlamentit Evropian për zgjedhje të reja.

https://p.dw.com/p/13Tse
Barroso, Medvedev, Van Rompuy në samitin BE- Rusi
Pritje e ftohtë: Barroso, Medvedev, Van Rompuy në samitin BE- Rusi.Fotografi: picture alliance/dpa

Ardhja e presidentit rus Dmitri Medvedev të enjten (15.12.) në një limuzinë të blinduar në Brukselin me shi u prit me interes të madh nga media. Gati të tërhequr i thanë njëri tjetrit mirëmënmgjez Medvedevi dhe të dy presidentët, Jose Manuel Barroso për Komisionin dhe Herman Van Rompuy për Këshillin. Disa shaka gjatë shtrëngimit të duarve për kamerat dhe ata hynë brenda për të nisur bisedimet.

Probleme nuk ka në çështjen e anëtarësimit të Rusisë në OBT, gjë që do të arrihet të premten në Gjenevë dhe që është mbështetur nga BE-ja. Gjithashtu BE është i kënaqur me ndihmën financiare, që Rusia do t'i verë në dispozicion Fondit Monetar Ndërkombëtar për vendet e eurozonës në krizë. Shuma është ende e panjohur. Eshte në interes të Rusisë, tha Medvedev, që BE të mbetet "një fuqi e fortë politike dhe ekonomike". Vendet evropiane duhet të veprojë me vendosmëri" për të ruajtur njërën prej monedhave kryesore, euron."

BE i druhet shpërdorimit të lirisë së udhëtimit

BE kritik ndaj Rusisë
Kokëçarjet e BE-së për shkak të manipulimit të zgjedhjeve në Rusi.Fotografi: picture alliance/dpa

Në çështjen e lehtësimit të rregullave të udhëtimit megjithatë bëhen përparime shumë të ngadalshme. Të dy palët janë të interesuara kryesisht t'ua lehtësojnë jetën për shembull njerëzve të biznesit dhe studentëve. Por BE kërkon si parakusht pasaporta biometrike dhe dokumenta të sigurtë nga fallsifikimi, sepse ka frikë nga abuzimi masiv. Barroso u përpoq para shtypit, që të ulë pritjet. "Qëllimi është udhëtimi pa viza, por vitin e ardhshëm kjo nuk do të arrihet dot", tha ai.

Mjaft vështirësi do të ketë në disa çështje të politikës së jashtme. Rusia si anëtare e përhershme në Këshillin e Sigurimit pengon prej muajsh sanksionet e ashpra të OKB-së kundër Sirisë. Edhe në politikat bërthamore iraniane Moska bën çdo gjë, për të zbutur qëndrimin perëndimor: "Ne jemi të shqetësuar për mungesën e drejtësisë."

Së fundi politika e brendshme ruse dhe dyshimet e BE-së për rezultatin e zgjedhjeve të fundit. BE-ja, si për inat të Moskës, përzihet mjaft në punët e brendshme. Van Rompuy u ankua në praninë Medvdevit: "Ne jemi të shqetësuar për parregullsitë dhe padrejtësitë, për të cilat kanë raportuar vëzhguesit dhe një pjesë e opinionit rus. Dhe ne jemi të shqetësuar për arrestimet e demonstruesve." Por BE-ja e mirëpriti premtimin e Medvedev-it për të shqyrtuar në mënyrë neutrale raportet për problemet me zgjedhjet.

Parlamenti Evropian ushtron trysni

Por ky premtim nuk ka vlerë, tha të mërkurën deputeti gjerman, Werner Schulz, i të Gjelbërve në një debat për samitin BE-Rusi. "Është e gabuar të priten hetime të pavarura prej atyre, që mbajnë përgjegjësinë për manipulimin e zgjedhjeve." Edhe kolegu i tij Bernd Posselt, CSU, është i mendimit se BE i bën shumë lëshime qeverisë ruse: "Tani ne dëgjojmë përherë se stabiliteti në Rusi ka prioritet. Kjo është thënë edhe në Afrikën e Veriut, për të derdhur më vonë lotë krokodili mbi  zotin Mubarak dhe zotin Kadafi dhe të tjerët." Stabilitet në Rusi mund të ketë vetëm në lidhje me sundimin e ligjit dhe të lirisë.

Medvedev: Edhe BE ka probleme me të drejtat e njeriut

Medvedev në samitin në Bruksel
Medvedevi premton ndihma, por refuzon përsëritjen e zgjedhjeve.Fotografi: dapd

Me mbështetje të gjerë parlamenti miratoi të mërkurën një rezolutë, që kërkon zgjedhje të reja në Rusi. Medvedev u pyet lidhur me këtë në konferencën për shtyp. Përgjigja ishte e akullt. "Unë nuk bëj komente, sepse ato ishin zgjedhjet tona dhe Parlamenti Evropian nuk ka të bëjë me to." Në çështjen e të drejtave të njeriut presidenti rus kaloi në ofensivë. Probleme me të drejtat e njeriut ka edhe në BE, "për shembull, me të drejtat e qytetarëve rusë në disa vende të BE-së." Gjithashtu në disa shtete ekziston ksenofobi, ekstremizëm dhe neo-nazizëm. Ne nuk duhet të mbyllim sytë. Kundër këtyre fenomeneve duhet luftuar."

Me të drejtat e qytetarëve rus Medvedev siç duket iu referua politikave, veçanërisht në vendet balltike, ku mënjanohet gjuha ruse në favor të gjuhës së vendit. Shumë anëtarë të pakicës rusishtfolëse ndjehen të anashkaluar në këto ish republika sovjetike.

Europa kërkon më shumë se tregti

Megjithë kritikën e tij Medvedevi tha se marrëdhëniet midis dy palëve janë "në nivelin e tyre historikisht më të lartë" dhe ai shpreson që kështu të mbetet. Por BE në fakt do më shumë. Ai përpiqet prej vitesh për një marrëveshje bashkëpunimi të gjerë me Moskën, nga njëra anë për të patur më shumë siguri në furnizimet me gaz rus. Ai e sheh veten si partner për modernizimin e Rusisë, siç tha përfaqësuesja e BE-së, Catherine Ashton, të mërkurën në parlament. Megjithatë nuk bëhet fjalë vetëm për modernizimin teknologjik. "Shteti i së drejtës, mbrojtja e të drejtave të qytetarit, angazhimi i shoqërisë civile dhe shanset e barabarta për të gjitha bizneset janë elemente të rëndësishme të modernizimit të suksesshëm." BE bashkëpunimin tregtar e lidh me insistimin për të drejtat. Dhe është kjo lidhje, që përbën shumicën e problemeve në mes të BE dhe Rusisë.

Autor: Christof Hasselbach/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani