1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150911 EU Wirtschaftsprognose

16 Shtator 2011

Komisioni i BE-së korrigjoi me ulje të ndjeshme parashikimet e tij për rritjen ekonomike në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011. Rritja në fund të vitit do të jetë afër zeros, tha Komisioneri i BE-së për ekonominë Rehn.

https://p.dw.com/p/12a0L
Komisioneri Rehn: Rritja ndalet
Komisioneri Rehn: Rritja ndaletFotografi: picture alliance / dpa

Parashikime të zymta për ekonominë evropiane: në formën e tij të zakonshme të thatë, komisioneri i BE-së për politikën monetare dhe ekonominë, Olli Rehn, dha lajmin e keq. „Ne presim që rritja ekonomike në BE rreth fundit të vitit, praktikisht të ndalojë. Në krahasim me parashikimin tonë të pranverës, premisat janë më të zymta dhe rreziqet për shanset për zhvillim janë negative.“

Por Rehn përjashtoi qartë mundësinë e një recesioni. Vlerat e rritjes ekonomike për të gjithë vitin janë shumë të ndryshme për vende të ndryshme. Ato shkojnë nga 4% në Poloni dhe gati 3% në Gjermani, në më pak se 1% për Italinë dhe Spanjën, dy nga vendet e zhytura më thellë në borxhe. Si arsye për parashikimet në përgjithësi negative, Rehn sheh malin gjigant të borxheve, rënien e ritmeve të rritjes në ekonominë botërore, trazirat në tregjet financiare dhe jo së fundi dhe dobësinë në drejtimin politik. „Pasiguria për vënien në jetë dhe dyshimet ndaj disa masave politike kundër krizës së borxheve, vazhdojnë t'i frikësojnë tregjet financiare."

"Të mos nënvlerësohet vullneti politik"

Sarkozy dhe Merkel: Kërkohet udhëheqje politike
Sarkozy dhe Merkel: Kërkohet udhëheqje politikeFotografi: picture alliance/dpa

Rehn e sheh përgjegjësinë tek të dyja palët: vendet si Greqia duhet të përmbushin patjetër kushtet për kursime, ndërsa vendet e tjera duhet të mbajnë premtimet e tyre për ndihmë. Një bisedë telefonike të mërkurën (14.9.) mes kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit grek Jorgos Papandreu, Rehn e sheh si një shenjë shpresëdhënëse. „Nuk duhet të nënvlerësohet vullneti politik dhe aftësia e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Eurozonës për të marrë vendimet e nevojshme, të cilat garantojnë stabilitetin financiar të unionit monetar, dhe për zgjidhjen e problemeve në Greqi.“

Sa hapur flet Komisioni?

Ndërkohë jo vetëm ekspertët e financave por edhe shumë politikanë spekulojnë hapur për një falimentim të mundshëm shtetëror të Greqisë. Nuk është pra çudi që në këtë situatë të marrin peshë fjalët e Horst Reichenbach-ut. Gjermani drejton një grup punonjësish të Komisionit të BE-së, i cili duhet t'i vijë në ndihmë Greqisë në zbatimin e përpjekjeve për kursime dhe reforma. Në Athinë Reichenbach u shpreh tejet i kujdesshëm: „Jam i bindur se mund të arrijmë sukses me përpjekje të përbashkëta dhe ka vendosmëri për ta rritur këtë, si nga pala greke ashtu dhe ajo evropiane." Çdo deklaratë tjetër, me siguri do të kishte shkaktuar një tërmet të vogël. Por me këto fjalë Reichenbach nuk do të qetësojë dot plotësisht askënd.

Drejtori i Task Force-ës për Greqinë, Horst Reichenbach: Vendosmëri te të dyja palët
Drejtori i Task Force-ës për Greqinë, Horst Reichenbach: Vendosmëri te të dyja palëtFotografi: picture alliance / dpa

Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Mimoza Kelmendi