1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iran Atom

3 Janar 2012

Udhëheqja në Teheran kërkon të mbajë situatën nën kontroll, në pokerin e pushtetit me Perëndimin: shufrat e reja djegëse atomike thuhet se janë prodhuar në vend, njësoj si një raketë me rreze të mesme veprimi e testuar

https://p.dw.com/p/13d4h
Reaktori bërthamor në Teheran
Reaktori bërthamor në TeheranFotografi: picture-alliance/dpa

Sipas të dhënave të tij, Irani ka testuar shufrën e parë djegëse të prodhuar nga rezervat e veta të uraniumit. Shkencëtarët e futën shufrën në bërthamën e një reaktori kërkimor në Teheran, për të testuar aftësitë e saj. Këtë e njoftoi në faqen e saj të internetit Agjencia Iraniane e Energjisë Atomike. Reaktori i Teheranit u shërben zyrtarisht qëllimeve mjekësore.

Shufrat djegëse të përdorura deri tani atje, Irani i pati blerë në vitin 1993 nga Argjentina, por rezervat ndërkohë thuajse janë konsumuar. Reaktori në Teheran punon me shufra djegëse, në të cilat uraniumi është pasuruar deri në 20 përqind.

"Teknologji e zhvilluar dhe e prodhuar në Iran"

Në vitin 2009, Teherani e refuzoi një propozim, për të depozituar 1200 kg uranium të pasuruar dobët në Rusi, e për të marrë në këmbim shufra djegëse për reaktorin e kërkimeve në Teheran. Gushtin e kaluar, agjencia e energjisë atomike e vendit bëri të ditur se kishte pasuruar për reaktorin një sasi të mjaftueshme uraniumi në masën 20% dhe se Irani ishte në gjendje të prodhonte uranium të pasuruar edhe më tepër.

SHBA dhe shtete të tjera e kritikojnë Iranin se nën pretekstin e shfrytëzimit civil të energjisë bërthamore kërkon të prodhojë armë atomike. Por qeveria iraniane e kundërshton këtë.

Reaktori i Bushehrit
Reaktori i BushehritFotografi: picture-alliance/dpa

Por edhe në drejtime të tjera, vazhdon konflikti midis Perëndimit dhe regjimit të mullave: në kuadër të një manovre të marinës iraniane, në afërsi të rrugës detare të Hormusit u shkrep një raketë me rreze të mesme veprimi. Admirali përgjegjës për manovrën, Mahmud Mussawi tha sipas agjencisë së lajmeve Irna se raketa tokë-ajër ka "teknologjinë më të fundit" dhe "është shpikur dhe prodhuar" në Iran.

"Ushtrim" për bllokimin e rrugës së Hormuzit

Mussawi deklaroi veç kësaj, se të hënën (02.01.2012) si përfundim i manovrës të nisur më 24 dhjetor do të ushtrojë edhe një bllokim të rrugës së Hormusit.

Zëvendëspresidenti i Iranit, Mohammed Resa Rahimi deklaroi të martën se në rast të vendosjes së sanksioneve të tjera kundër Iranit, vendi i tij do të bllokojë ngushticën detare të Hormusit. SHBA deklaruan se nuk do ta pranojnë një bllokadë. Përmes ngushticës detare në dalje të Gjirit Persik kalon njëri nga itinerarët më të rëndësishëm të tregtisë së naftës. Çisternat transportojnë rreth 40 përqind të naftës së transportuar me anije në botë përmes ngushticës së Hormusit.

Autor: Stephan Stickelmann / Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica