1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Energjia ujore e shtrenjtë dhe e dëmshme"

13 Dhjetor 2018

Dy shoqata ekologjike kanë hartuar një eko-masterplan për lumenjtë e Ballkanit. Flet për DW, drejtori i Euronatur, Gabriel Schwaderer

https://p.dw.com/p/3A0SZ
Öko-Masterplan zeigt Wert der Balkanflüsse
Fotografi: Save the Blue Heart of Europe/Gregor Šubic

Deutsche Welle: Zoti Schwaderer, Euronantur dhe Riverwatch kanë hartuar një Eco-Masterplan për Ballkanin. Cili është qëllimi i tij?

Gabriel Schwaderer: Eco-masterplani është një hartë e ujërave lumorë që nga Sllovenia e deri në Greqi që tregon zonat që duhet të jenë tabu për ndërtimin e hidrocentraleve.  Për eko-masterplanin janë studiuar gjithsej më shumë se 80 mijë kilometra ujëra. Rezultati: 61 mijë kilometra lumorë (pra 76 përqind) janë shumë të vlefshme ekologjikisht dhe kësisoj zona tabu për hidrocentralet.

Pra, nëse ju thoni se 76 përqind janë tabu. A do të thotë kjo se mund të ndërtohen hidrocentrale në 24 përqindëshin e mbetur? 

Parimisht jemi të mendimit se energjia ujore ka efekte tejet negativ dhe se mundësisht duhet shmangur. Me eco-masterplanin tonë nuk duam aspak të tregojmë se 24 përqindëshi i mbetur i zonave mund të përdoret për hidrocentrale pa u bërë më parë analiza intensive  për pasojat që do të kenë ato mbi natyrën dhe mjedisin.

Për Shqipërinë ju rekomandoni energji diellore si alternativë. A nuk është ajo më e shtrenjtë?

Ne e konsiderojmë investimin në energji ujore, jo vetëm shkatërrimtar në aspektin ekologjik dhe social, por edhe një nonsens në aspektin energjetik dhe politik. Kjo vlen më së shumti për Shqipërinë, ku aktualisht e gjithë kërkesa për energji mbulohet vetëm me hidroenergji. Të investosh këtu më tej në hidrocentrale është jo vetëm me risk, por edhe pa leverdi.* Sepse ndërkohë përfitimi i energjisë nga uji është më i shtrenjtë se ai i energjisë nga dielli. Kanë kaluar kohët kur rryma me panele diellore ishte më e shtrenjtë. Kostot e përfitimit të energjisë në Shqipëri mund të shkonin në 6 cent për kwh. Por një problem tjetër jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin, është humbja drastike e energjisë gjatë transmetimit. Përse duhet të derdhen aq shumë para për ndërtimin e hidrocentraleve të reja, kur çereku i rrymës humbet gjatë rrugës. Këto janë detyrat e para që duhen zgjidhur, para se të mendohet për hidrocentrale të tjerë.

Cilat janë pikat më të kërcënuara në hartën tuaj?

Në Shqipëri ka një plan për të ndërtuar me qindra hidrocentrale, shumë syresh të vogla. Kjo vërtet që dëgjohet si investim i bukur, por është i dëmshëm. HEC-et e vogla sjellin pak rrymë por kanë pasoja negative po aq të larta sa hidrocentralet e mëdha. Por, sipas informatave tona, qeveria shqiptare planifikon të ndërtojë edhe tetë  hidrocentrale të mëdha në Vjosë, ndër to edhe njëri në Kalivaç, mbi Vjosë. Ndërkohë edhe Konventa e Bernës ka kërkuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare që t'i pezullojë projektet mbi Vjosë.**

Fall Vjosa vor dem Ständigen Ausschuss der Berner Konvention
Komisioni i Përhershëm i Konventës së Bernës ka hapur çështjen për hidrocenteralin e Poçemit dhe Kalivaçit në Vjosë duke i kërkuar qeverisë shqiptare pezullimin e menjëhershëm të hidrocentraleve mbi to, derisa të bëhen planifikimet e nevojshme strategjike dhe vlerësimet mjedisore të munguara. Në mbledhjen e 38-të të Komisionit të Përhershëm, të mbajtur më 27-30 nëntor 2018 në Strasburg, çështja e Vjosës u përfaqësua nga Eco Albania, në cilësinë e organizatës ankimuese e cila ka depozituar ankesën pranë Konventës së Bernës në vitin 2016.Fotografi: Theresa Schiller/EuroNatur

Cilat janë pasojat negative të hidroenergjisë?

Së pari,  ka një efekt dramatik mbi diversitetin. Zhduken lloje peshqish, por edhe në përgjithësi, numri i peshqve bie. Kjo ka të bëjë me tunelet dhe tubacionet që ndërtohen, e që prishin mjedisin natyror të jetesës së peshqve. Por ka edhe pasoja sociale mbi popullsinë vendore, që do të gjejë më pak peshq nëpër përrenj dhe lumenj. Ndryshimi i vijës ujore sjell prishjen e plazheve, që janë shumë shpesh pikat e freskimit në periudhën e nxehtë. Por një faktor negativ është edhe rënia e sedimenteve që transportohen nga lumenjtë. Sepse çdo lum transporton rërë dhe gurë nga malet në drejtim të detit. Kur ky transportim rëre ndërpritet nga diga, atëherë kemi erozion në breg, çka bën që plazhet e rërës të zhduken. Kjo mund të vihet re që tani në derdhjen e Bunës, ku çdo vit zvogëlohen disa metra rërë. Shkaku janë digat e hidrocentraleve në Drin. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me  Vjosën. Një efekt tjetër i lidhur me hidrocentralet është thellimi i lumenjve. Pra, ndodh një erozion në shtratin e lumit çka mund të prekë edhe ujërat nëntokësorë.

Cilat janë pikat tabu që keni identifikuar ju në Kosovë?

Edhe në Kosovë ka shumë plan e për ndërtime hidrocentralesh, sidomos në zonat natyrore të mbrojtura. Këtu kam parasysh një shembull nga Parku Kombëtar i Bjeshkëve të Nemuna dhe në zona të tjera. Për mendimin tim, ndërtimet industriale nuk kanë ç'kërkojnë në parqet natyrore.

Gabriel Schwaderer EuroNatur
Gabriel Schwaderer, drejtori ekzekutiv i EuronaturFotografi: privat

E megjithatë hidrocentralet ndërtohen, cilat janë arsyet?

Sepse në të gjitha vendet e Ballkanit ka subvencionime shumë atraktive për furnizuesit me energji. Në Shqipëri ne kemi vënë re se sidomos në vitet zgjedhore, në vitin 2013 dhe 2017, ka pasur një rritje shumë të madhe të numrit të koncensioneve. Pra, ne mendojmë se këtu kemi të bëjmë edhe me korrupsion.

Kush janë përfituesit e koncesioneve?

Për Malin e Zi mund të them se një pjesë e mirë e koncesioneve kanë shkuar në adresë të familjes së Gjukanoviçit. Për Shqipërinë nuk mund të them shumë, por jam i bindur se po të shihet me kujdes, do të vihen re ndërlidhje të çuditshme. Për shembull, në Shqipëri projektin e Kalivaçit e ka kompania  Fusha Sh.p.k, e cila është përfolur shumë edhe për shkak të projektit të lidhur me prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar. 

 

* Olsi Nika nga Eco Albania i konfirmoi DW se kostot e prodhimit  të hidroenergjisë në Shqipëri mund të shkojnë, në varësi të ujit, nga 0,9 deri në 1,1 euro për kw/h.

**Komisioni i Përhershëm i Konventës së Bernës ka hapur çështjen për hidrocenteralin e Poçemit dhe Kalivaçit në Vjosë duke i kërkuar qeverisë shqiptare pezullimin e menjëhershëm të hidrocentraleve mbi to, derisa të bëhen planifikimet e nevojshme strategjike dhe vlerësimet mjedisore të munguara. Në mbledhjen e 38-të të Komisionit të Përhershëm, të mbajtur më 27-30 nëntor 2018 në Strasburg, çështja e Vjosës u përfaqësua nga Eco Albania, në cilësinë e organizatës ankimuese e cila ka depozituar ankesën pranë Konventës së Bernës në vitin 2016.