1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150708 EU Einwanderung

Bernd Riegert/ DW Brüssel 16 Korrik 2008

A mund të drejtohet imigracioni sipas kritereve ekonomike? Çfarë ndodh me ata që hyjnë në BE pa kualifikimin e dëshëruar? A mund të ketë një politikë të përbashkët imigracioni? Pyetje urgjente të politikës së BE-së.

https://p.dw.com/p/EctM
Emigrantë polakë në Londër
Emigrantë polakë në LondërFotografi: AP

Çdo vit në BE imigrojnë në mënyrë të ligjshme rreth 1,5 milionë vetë. Në pjesën më të madhe fjala është për pjesëtarë familjesh të cilët bashkohen me familjarët në perëndim. Këtyre u shtohen rreth 350.000 deri 500.000 imigrantë të paligjshëm të cilët hyjnë pa vizë apo dokumente të vlefshme nëpërmjet rrugës tokësore. Krahasuar me pjesën tjetër të botës flukset e imigrantëve në BE janë të vogla. Sipas informacioneve të komitetit të Kombeve të Bashkuara për refugjatët UNHCR rreth 190 milionë njerëz jetojnë jashtë atdheut të tyre por 90 për qind e të gjithë migrantëve mbeten në një nga vendet fqinj. Këto janë shifrat.

Megjithatë ministrat e brendshëm të BE-së shohin një nevojë në rritje për t'a kufizuar më fort imigracionin ilegal në BE dhe për të kontrolluar më mirë imigracionin e ligjshëm. Të dëshëruar janë para së gjithash imigrantë që i përshtaten tregut europian të punës.

"Sa më i lartë kualifikimi aq më mirë!" Kjo është deviza. Për këtë grup të veçantë imigrantësh e cila në total është vetëm pak mijë vetë në vit, BE-ja ka krijuar të ashtuquajturën "kartë blu". Ajo duhet të tërheqë imigrantët shumë të kualifikuar pasi i ofron atyre qëndrim të pakufizuar me kusht që ata të dëshmojnë një punë të paguar shumë mirë në BE.

Veç kësaj "karta blu" duhet të garantojë lirinë e udhëtimit dhe vendosjes në 27 vendet anëtare të BE-së. Iniciativa u paraqit vitin e kaluar. Në vjeshtë Parlamenti Europian do të votojë për "kartën blu". Presidenti i Komisionit të BE-së Jose Barroso:

"Njerëzit shumë të kualifikuar nga e gjithë bota janë shumë të mirëpritur në BE. Por një gjë është e qartë, unë nuk po deklaroj hapjen e portave për 20 milionë punonjës shumë të kualifikuar. "Karta blu" varet nga nevojat përkatëse dhe është një projekt i përbashkët europian."

Sipas të dhënave të Komisionit të BE-së vetëm 5 për qind e të gjithë migrantëve shumë të kualifikuar imigrojnë aktualisht në Europë. 55 për qind tërhiqen nga SHBA. Australia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe Zvicra janë destinacionet e tjera të prefereruara për akademikët dhe inxhinierët. Nevoja për personel shumë të kualifikuar është që tani shumë e madhe në Europë dhe do të rritet shpejt me plakjen e popullsisë parashikon Komisioni i BE-së. Gjatë 20 viteve të ardhshme do të nevojiten 20 milionë imigrantë, por fjala është për imigrantë me formim profesional dhe jo ndihmësa apo persona të pakualifikuar. Për të ulur frikën në vendet anëtare ndaj dominimit të elementëve të huaj, ish komisari i BE-së për drejtësinë dhe politikën e brendshme Franko Fratini gjatë prezantimit të "kartës blu" tha:

"Nuk është Brukseli që përcakton se sa imigrantë janë të nevojshëm në Francë, Hollandë apo gjetkë. Çdo vend duhet të vendosë vetë se për kë ka nevojë tregu i punës."

Dhoma gjermane e industrisë dhe tregtisë kërkon një hapje të konsiderueshme të tregut të punës. Por qeveria gjermane nguron. Aktualisht as njerëzit nga vendet e reja anëtare të BE-së nuk mund të vijnë pa pengesë në Gjermani. Ky kufizim sipas marrëveshjeve të BE-së duhet të bjerë më e vonta në vitin 2011. Vendimi se kush do të lejohet të hyjë në BE do të vazhdojë të merret nga vendet përkatëse. Një sistem mbarëeuropian kuotash ose pikësh nuk do të ketë.