1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060911 Euro Parlament

7 Shtator 2011

Tragjedia greke me borxhe, euron dhe paketën e shpëtimit po kalon në një akt të ri. Duket se Greqia nuk ka mundësi t'i përmbushë kushtet për marrjen e kredive të reja nga Evropa. Çfarë do bëjë Evropa me helenët?

https://p.dw.com/p/12U27
Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: picture alliance / Bildagentur-online/Ohde

Aktualisht kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk e ka mazhorancën e duhur për dhënien e kredive të reja Greqisë dhe vendeve të tjera në krizë. Kjo doli nga një votim provë në fraksionet e koalicionit qeveritar. Greqia duhet më parë të bëjë të qartë se si do ta rimëkëmbë buxhetin e saj. Shifrat janë më dramatike se sa mendohej. Kancelarja Merkel paralajmëroi në fundjavë: "Në asnjë mënyrë ne nuk do të ndihmojmë thjesht, por duhet të vëmë kushte në mënyrë që vendet që janë të zhytura në borxhe të bëjnë detyrat e tyre dhe të reduktojnë borxhet."

Merkel gruaja më e fuqishme në botë aktualisht nuk ka përgjigje të qartë për Greqinë
Merkel gruaja më e fuqishme në botë aktualisht nuk ka përgjigje të qartë për GreqinëFotografi: dapd

Më shumë Evropë - por deri në ç'pikë?

Por edhe nëse Greqia nuk i bën detyrat e saj, nuk do të përjashtohet nga eurozona, tha Merkel në bisedimet e krizës të zhvilluara me presidentin e Këshillit të BE-së, Hermann Van Rompuy. Edhe eurodeputeti socialdemokrat gjerman Udo Bullmann është i mendimit se nxjerrja e Greqisë jashtë eurozonës do të sillte rreziqe të paparishikueshme. Ai kërkon si përgjigje "më shumë Evropë": "Nuk duhet të kthehemi pas. Çdo rrugë që të kthen mbrapsht në mënyrën nacionale të të menduarit është e gabuar. Perspektivë evropiane kemi vetëm atëherë, e kjo vlen edhe për Gjermaninë, po qe se i dorëzohen më shumë kompetenca Evropës."

Këtu bëjnë pjesë, sipas Udo Bullmannit borxhet e përbashkëta në formën e eurobondeve, si edhe një ministër Financash për BE-në. Duhet të forcohen edhe kompetencat e Parlamentit Evropian dhe atyre kombëtare për kontrollimin e shteteve me borxhe, thotë ai. "Besoj se kemi nevojë për një përshpejtim të angazhimit tonë dhe të asaj që mund ta nxjerrim në dritë së bashku. Ku është plani Marshall për Greqinë?"

Eurodeputeti gjerman Udo Bullmann (SPD)
Eurodeputeti gjerman Udo Bullmann (SPD)Fotografi: Foto: Europäisches Parlament

Të mënjanojmë njëkalimshin e parave Veri-Jug në Evropë

Greqia ka nevojë për investime në ekonominë reale për të sjellë rritje ekonomike, është i mendimit eurodeputeti gjerman. Edhe eurodeputeti i CSU-së, Markus Ferber angazhohet për më shumë solidaritet evropian, por ai nuk është rrugë njëkalimshe. Greqia duhet të përmbushë detyrimet e saj, thekson ai: "Kjo do të thotë që evropianojugorët duhet të pranojnë trysninë e konkurrencës, të përshtaten dhe të reformohen. Vetëm me një paketë të tillë të kombinuar, mund të ketë solidaritet. Përndryshe do të kemi një situatë, që askush nuk guxon ta thotë me zë të lartë - një union transfer, të vazhdueshëm, ku paraja nga Veriu shkon drejt Jugut. Dhe kjo nuk është aspak një perspektivë për taksapaguesin gjerman."

Eurodeputeti gjerman Markus Ferber (CSU)
Eurodeputeti gjerman Markus Ferber (CSU)Fotografi: picture-alliance/dpa

Për Markus Ferber është me rëndësi të mos stërmundohet aftësia gjermane dhe vendeve të tjera në veriun e eurozonës. Javën e ardhshme pas pushimeve të verës rinis vallja e samiteve të krizës, sërish me një takim të ministrave të Financave të eurozonës. Se si do të përfundojë kjo tragjedi nuk dihet ende, po të shtojmë që bankat evropiane kanë shumë pak kapital për të përballuar një falimentim shtetëror të Greqisë, Portugalisë, Irlandës, Spanjës dhe Italisë. Këtë e bëri të qartë drejtori i bankës gjermane "Deutsche Bank" Josef Ackermann më se të qartë."

Autor: Bernd Riegert/Lindita Arapi

Redaktoi: Bahri Cani