1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
LetërsiEuropë

Në fillim ishte lufta - Panairi i Librit në Lajpcig 2021

1 Qershor 2021

Edicioni i sivjetshëm Panairit të Librit në Lajpcig i kujtoi lexuesit se ka edhe disa indikatorë të tjerë, përtej incidencave të koronës, që shërbejnë për t'i matur pulsin shoqërisë.

https://p.dw.com/p/3uDHc
Preis der Leipziger Buchmesse
Fotografi: Jan Woitas/dpa/picture alliance

Ishte një edicion i çuditshëm edicioni i sivjetshëm i Panairit të Librit në Lajpcig. Zakonisht mbahet në mars, por organizatorët e kishin shtyrë festivalin "Leipzig liest" (Lajpcigu lexon) enkas për në fund të muajit maj. Shpresa e tyre:  shifrat e pandemisë do të lejonin së paku lexime në ambiente të hapura. Pandemia e lejoi. Por befasinë e radhës do ta sillte i ftohti i papritur pikërisht të vetmen ditë të leximit në publik të serisë "Arkipel Jugosllavia", fokusi i projektit të rrjetit TRADUKI (të premten në mbrëmje, 28.05.) përpara Shtëpisë së Librit në Lajpcig.  Në këtë lexim, të titulluar "Ditë të mira", do t'i prezantoheshin publikut, poeti kosovar, Shpëtim Selmani, krahas autorëve nga rajoni, Lana Bastašić-it (Bosnjë dhe Hercegovinë), Sandra Gugić-it, shkrimtare austriake nga Serbia dhe Tijan Silas, emigruar nga Sarajeva në Gjermani.

Trashëgimtarë të vuajtjes

Shpëtim Selmani, të cilin publiku shqiptar e njeh edhe si aktor teatri në Qendrën Multimedia të Prishtinës, por edhe filmi (Cirku Flutures), vitin e kaluar u shpall fitues i Çmimit Europian te Letërsisë 2020. "Libërthi i dashurisë" (Botimet Armagedoni) është një radhë reflektimesh relativisht të shkurtra për jetën e sotme në Kosovën e Pasluftës. "Lufta qëndron e patrazuar në hyrjen e secilit libër që na kanë falur zotat", shkruan diku Selmani dhe shënjon kështu zanafillën e diferencë së parë të bërë në këtë territor të ish-Jugosllavisë, në orën e parë të tij. 

Logoja Common Ground - Letërsi nga Evropa Juglindore
Logoja Common Ground - Letërsi nga Evropa Juglindore, një projekt i rrjetit TRADUKI

Libri u krijua në një fazë vendimtare për autorin, një hark kohor prej disa muajsh brenda të cilit ai - asokohe 30 vjeçar - humbi të atin dhe u bë vetë baba. Nëse ka diçka që Selmani mundohet t'i rrijë sa më larg, duket se është kitsch-i. Humori i zi ose fatalizmi hedonist duket se është zgjidhja që lidh paradoksin e këtyre dy ngjarjeve biologjikisht të rëndomta, por kyçe në rrafshin personal. 

"Ai më la dhe kuptova se do të bëhesha baba. Dikush po rregullonte rendin e gjërave, ciklin e hershëm të zhvillimit njerëzor. Të gjithë ne ishim trashëgimtarë të vuajtjes, përulësisht po i shërbenim asaj", shkruan Selmani. 

Vetmitar hedonist

Në një shoqëri, ku narracioni nis me luftë e përfundon me luftë, shkrimtari nonkonformist nuk ka shumë shokë, ai e ndien veten "vetmitar", por pa e humbur hedonizmin e brendshëm: "Flutur e lumtur që përvëlohet në dritë. Apolitik. Atomik. Modern."  Më vonë, në Lajpcig, edhe në përgjigje të pyetjes së moderatores ai do të rrëfente strategjinë e mbijetesës: Unë e kam gjetur lirinë, brenda një rrethi të arësyeshmërisë. 

Fest Leipzig Liest 2021 | Thorsten Giese, Shpëtim Selmani, Anila Wilms
Aktori gjerman Thorsten Giese duke lexuar në gjermanisht pjesë nga Libërthi i Dashurisë, së Shpëtim Selmanit gjatë mbrëmjes së vetme letrare të Tradukit në Panair. Selmanin e prezantoi shkrimtarja dhe përkthyesja nga Berlini, Ani Wilms.Fotografi: Jens Schlüter

Një lloj migrimi i brendshëm, kaq tipik për shkrimtarët aktualë të kohës së sotme, teksa shohin që parandjenjat e tyre prej Kasandre hasin në vesh të shurdhër 
Si mund të ndikojmë ne, pyet, moderatorja, shkrimtarja shqiptaro gjermane Ani Wilms, të arrijmë të depërtojmë tek njerëzit që të na dëgjojnë? 

"Shpresën e ka secili brenda vetes, neve nuk na takon të ndërhyjmë", përgjigjet ai. Në libërth diku tjetër ai ke shprehur me fjalët:"Po të isha Zot, Zot na ruaj! Do t’ua falja njerëzve vetëm një gjë, veten e tyre, pastaj do t’i braktisja përgjithmonë."

Liria brenda një rrethi të arsyeshëm për të mos lundruar kundër rrymës, siç thotë Selmani, duket se është modeli edhe i Blerina Rogova Gaxhës, apo i Arian Lekës, që ishin gjithashtu të pranishëm në panelet vetëm virtuale të "Arkipelagut Jugosllav", që ishte fokusi i sivjetshëm i programit Common Ground të rrjetit TRADUKI.

Arian Leka i ka kushtuar një ese të tërë Arkipelagut Jugosllav në librin më të fundit të tij të botuar në gjermanisht, në shtëpinë botuese Althea, të botuesit Detlev Stein, i cili u nda parakohe nga jeta vitin e kaluar. 

Ai e quan atë Arkigulagu jugosllav, një fjalë e formuar nga arkipelag dhe gulag, një term ky, me të cilin nuk do të pajtohej shkrimtari  Andrej Nikolaidis, nga Mali i Zi, edhe ky një fitues i Çmimit Evropian të Letërsisë, si Selmani. Ndryshe nga shumë autorë të ftuar në panair, Nikolaidisi nuk e fsheh nostalgjinë që ka për kohën e Jugosllavisë. "Jugosllavia u krijua si pasojë e antikolonializmit dhe antifashizmit dhe doli nga një botë që nuk kishte ekzistuar më parë", tha ai duke justifikuar gabimet e atëhershme të regjimit titist. Ndërsa sot: "Kemi një gjuhë, katër emra dhe një të kaluar lufte! Kjo e kaluar lufte është e përbashkët". 

Shkrimtari rus, Sergej Lebedev, teksa analizon pasojat e vitit 1991 mbi ish-Bashkimit Sovjetik, shpreh dhe kritikoi politikën jokritike të Perëndimit ndaj Jelcinit, që lejoi që në Rusi të instalohej një regjim, që në thelb nuk ndryshon shumë nga ai sovjetik. Simptoma kryesore është mungesa e ndëshkimit të kriminelëve, si të periudhës së komunizmit, ashtu edhe të luftërave të mëpasshme, si ajo Krimesë, apo Çeçenisë. "Ne kemi krime, por nuk kemi ndëshkime", tha Lebedev, duke perifrazuar Dostojevskin  "kemi krime, por nuk kemi kriminelë".

Preis der Leipziger Buchmesse
Çmimi i Panairit të Librit të Lajpcigut është një nga aktivitetet më të rëndësishme të Panairit. Ceremonia e sivjetshme u zhvillua në mënyrë hibride: Juria ishte në sallë, ndërsa kandidatët e ndiqnin aktivitetin nga ekranet. Iris Hanika, në ekranin e mesëm, u shpall shkrimtarja më e mirë. Fotografi: Jan Woitas/dpa/picture alliance

Letërsia si zbuluese simptomash

Edhe pse efekti nuk ishte ndoshta i njëjtë si nga takimet e zakonshme me publikun, ky edicion i panairit të Lajpcigut, gjithsesi i kujtoi lexuesit se ka edhe disa indikatorë të tjerë, përtej incidencave të koronës, që shërbejnë për të kontrolluar shëndetin e shoqërisë në të ardhmen.

Si për shembull, pasojat e gentrifikimit apo narcizmit dymijëvjeçar mashkullor, që trajton ndër të tjera romani Echos Kammern (Dhomat e Jehonës)i Iris Hanikës, fitueses së Çmimit të Panairit në kategorinë letërsi fiction. 

Buchcover | Menschwerdung eines Affen | von Heike Behrend
Libri Menschwerdung eines Affen, Shndërrimi një majmuni në njeri, fitoi Çmimin e Panairit të Librit të Lajpcigut në kategorinë e librit eseistik e monografik. Fotografi: vntr-media/Matthes & Seitz Verlag

Ose pasojat e injorancës ndaj të huajit, që nuk e njohim, që e përshkruan në mënyrë të hollësishme Heike Behrend me titullin "Menschwerdung eines Affen. Eine Autobiografie der ethnografischen Forschung" (Kthimi i një majmuni në njeri. Një autobiografi e hulumtimit etnologjik". Shkencëtarja tashmë 74-vjeçare, po ashtu fituese e Çmimit të Panairit të Librit të Lajpcigut në kategorinë non-fiction, ka përmbledhur aty përvojën e saj në Kenia dhe Uganda. Afrikanistja kishte shkuar për të studiuar shoqëritë primitive, por shumë shpesh do të ishte ajo që afrikanët do ta trajtonin si majmun.

Preis der Leipziger Buchmesse | Timea Tanko
Timea Tankó u shpall me këtë përkthim fituesja e çmimit të sivjetshëm të Panairit të Librit të Lajpcigut në kategorinë Përkthime.Fotografi: Jan Woitas/dpa/picture alliance

Simptoma paralajmëruese gjen edhe te rileximi i "Kujtimeve të Giacommo Casanova-s", këtij vëzhguesi rebel dhe të ndjeshëm të shekullit të 18-të, kësaj radhe të kaluara nëpërmjet filtrit të autorit hungarez Miklós Szentkuthy. Libri i tij Széljegyzetek Casanovához (1939, në shqip: Shënime për Kazanovën) i është ofruar tani publikut gjerman në përkthimin e Timea Tankós (në gjerm. Apropos Casanova, 2021). Tankó u shpall me këtë përkthim fituesja e çmimit të sivjetshëm të Panairit të Librit të Lajpcigut në kategorinë Përkthime.

Dhe me siguri që do të gjejmë disa simptoma paralajmëruese edhe në reportazhet fotografike të britanikut, Johny Pitts, fituesi i Çmimit të sivjetshëm europian për mirëkuptim, të përmbledhura në librin  "Afropean", një udhëtim në ambientet e imigrantëve me prejardhje afrikane në Evropë.

Leipzig - Buchmesse: Der Direktor der Leipziger Buchmesse, Oliver Zille
Oliver Zille, drejtori i Panairit të Librit të Lajpcigut, shpreson që vitin e ardhshëm panairi të mund të presë sërish mbi 300 mijë vizitorët e përvitshëmFotografi: picture-alliance/dpa/H. Schmidt

Malli pluskues

Lexuesit lajpcigas i mungon panairi, por jo vetëm atij. Këtë e tregoi rezonanca e madhe që patën 100 leximet për publikun, të cilin nuk e penguan as kufizimet e pandemisë (teste negative, maska apo certifikata vaksinimi), e as rënia e befasishme e temperaturave. Ata ndenjën deri në fund, me dirthma e skërmitje dhëmbësh - por ndenjën. Prandaj edhe drejtori i Panairit të Librit, Oliver Zille, do të paralajmëronte se tani vëmendja e tij është drejtuar nga festivali i ardhshëm, që do të zhvillohet në datat 17.- 20.03.2022, sepse, siç kishte vëzhguar ai, "malli i ritakimit ishte aq i madh sa gati nuk pluskonte nëpër ambientet e festivalit".