1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhjetë vjet marrëdhënie diplomatike: Gjermani-Kosovë

4 Dhjetor 2018

Pas Prishtinës dhe Prizrenit, edhe Berlini feston dhjetëvjetorin e marrëdhënieve diplomatike Gjermani-Kosovë.

https://p.dw.com/p/39QWb
Auswärtiges Amt Berlin | 10-jähriges Jubiläum Diplomatie Kosovo - Deutschland | Behgjet Pacolli, Außenminister
Fotografi: Botschaft der Republik Kosovo, Berlin

"Ju keni një familje në Kosovë, mos e harroni", u tha ministri i jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli mysafirëve të mbledhur në festën solemne me rastin e dhjetëvjetorit të marrëdhënieve diplomatike Gjermani – Kosovë.  Pas festimit në Prishtinë dhe Prizren (më 3 tetor 2018) jubileu u festua edhe në Berlin (3 dhjetor 2018) dhe folësit nxorën një bilanc pozitiv dhe shumë shpresëdhënës.

Për shumicën e të pranishmëve që ishin mbledhur në festim, familja kosovare nuk kishte vetëm kuptimin simbolik, por edhe faktik. Shifrat i dha ambasadori Beqë Cufaj: "400 000 shtetas të Kosovës jetojnë në Gjermani dhe afro 100 000 gjermanë kanë shërbyer dhe punuar në Kosovë në këto 20 vitet e fundit. Dy shifra, të cilat na e bëjnë më të kthjellët domethënien e marrëdhënieve mes dy shteteve", tha Cufaj, i cili deri në fillim të këtij viti ishte vetë një nga përfaqësuesit e diasporës kosovare në Berlin. "Detyra jonë si diplomatë është që këto marrëdhënie të ngushta midis dy vendeve dhe popujve tanë t'i vazhdojmë me të njëjtin intensitet dhe miqësi edhe në dekadat e ardhshme", tha ambasadori.

Ide kreative për dialogun

Kreu i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili pat vendosur spontanisht të merrte pjesë në ceremoninë e Berlinit, bëri të qartë se sa e rëndësishme është ndihma e Gjermanisë për Kosovën. Ai shprehu falënderimet për angazhimin e madh të Gjermanisë pro kandidimit të Kosovës në Interpol, pavarësisht se kjo dështoi. "Më kanë thënë shumë delegacione, se ambasadori gjerman i ka marrë në telefon dhe u ka kërkuar që të votojnë pro Kosovës", tha kreu i diplomacisë së Kosovës, i cili vetë e njeh Gjermaninë që nga periudha e studimeve në Hamburg dhe e mbajti fjalimin pa letër në shqip dhe në gjermanishte të rrjedhshme.

 

Pacolli, i cili herë pas here gjatë fjalës së tij e falenderoi Gjermaninë për mbështetjen e saj,  kërkoi edhe më tej ndihmë nga shteti më i fuqishëm ekonomik i BE-së,  sidomos për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës dhe për dialogun me Serbinë, ngecja e të cilit sipas Pacollit, e pengon funksionimin e shtetit të Kosovës: "Serbët marrin seriozisht vetëm atë që thotë Beogradi. Por për shkak të kushtetutës ne nuk mund të bëjmë asgjë pa serbët. Ata vijnë kur duan, ikin kur duan. Por kështu nuk mund të vazhdojë", tha Pacolli duke theksuar se çdo ide kreative e Gjermanisë për të ndihmuar këtë proces është e mirëpritur.

Gëzim i turbulluar

Edhe përfaqësuesi i qeverisë gjermane në këtë ngjarje, Michael Siebert, aktualisht drejtor i departamentit të Rusisë dhe Evropës Lindore në ministrinë e punëve të jashtme të Gjermanisë, i quajti shumë të mira dhe të ngushta marrëdhëniet mes dy vendeve. Siebert, i cili kishte ardhur në këmbë të të ngarkuarit për Ballkanin, Christian Hellbach,  përcolli edhe përshëndetjet e ministrit të jashtëm Heiko Maas.

Auswärtiges Amt Berlin | 10-jähriges Jubiläum Diplomatie Kosovo - Deutschland | Michael Schmunk
Michael Schmunk, Shef i misionit te pare diplomatik te Gjermanisë në KosoveFotografi: DW/A. Shuka

Por ambasadori gjerman përmendi edhe zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës që e "turbullojnë paksa gëzimin" e ditës solemne: "Konflikti mes serbëve dhe kosovarëve është një nga të fundit që ende e pengojnë paqen në rajon dhe ka ndikim mbi të gjithë rajonin", tha Siebert. "Acarimi më i fundit me tarifat doganore ndëshkuese në masën 100% na shqetëson shumë dhe ne apelojmë te të dyja palët, te serbët dhe kosovarët, te Prishtina dhe Beogradi, që të përpiqen të dalin nga kjo spirale dhe të mos i acarojnë më tej marrëdhëniet". Siebert bëri të qartë edhe njëherë  me këtë rast, se Gjermania pret që marrëveshja e normalizimit të arrihet "pa ndryshimin e kufijve".

Deficit i lartë tregtar

Një pikë tjetër kritike ishte bilanci tepër  deficitar i tregtisë mes dy vendeve. Nga njëra anë, të gëzon fakti, që Gjermania është partneri kryesor tregtar i Kosovës, por nga ana tjetër, bilanci tregtar është shumë asimetrik, tha ai. "Gjermania eksporton në Kosovë 20fish më shumë se Kosova në  Gjermani, dhe ne dëshirojmë që ky deficit të vijë duke u zvogëluar në të ardhmen".

Sipas Siebertit, një ndër arsyet e këtij deficiti është edhe mungesa e sigurisë juridike për investime në Kosovë. "Investimet shkojnë aty ku gjendja është e qëndrueshme, ku  ka siguri juridike, ku nuk ka kriminalitet dhe korrupsion. Dhe aty duhet punuar. Sepse ekonomia është shumë e rëndësishme, për brezin e ri në Kosovë". 

Moment i papërshtatshëm 

Përfaqësuesi i qeverisë  gjermane nuk përmendi në fjalën e tij atë pikë që ua turbullon gëzimin shtetasve të Kosovës: liberalizimin e regjimit të vizave, përçka Gjermania ende nuk ka arritur të japë një qëndrim përfundimtar. Sipas qarqeve diplomatike nga Berlini, ky vendim ka ngecur tani te Ministria e Brendshme e Gjermanisë, e cila drejtohet nga ministri konservator kristiansocial Horst Seehofer. Në këtë ministri ende nuk është krijuar bindja për një pozicionim pro heqjes së vizave, por  edhe për faktin se presidenti francez  e ka bërë të qartë se nuk dëshiron as liberalizim vizash e as diskutim për zgjerimin e BE-së deri në zgjedhjet për Parlamentin Europian, në maj 2019.

Michael Schmunk, shefi i misionit të parë diplomatik në Kosovë, menjëherë pas luftës, në vitin 1999, është i mendimit, se kosovarët e kanë merituar prej kohësh liberalizimin e vizave, por ai kujton, se Bashkimi Evropian tani është në një gjendje të vështirë dhe u këshillon miqve të tij në Prishtinë që të mos nguten me kërkesat e tyre ndaj BE-së, por të presin momentin e duhur, kur Evropa të jetë në gjendje sërish për të folur për zgjerimin dhe vizat. "Deri atëherë, Kosova mund të punojë me qetësi për t'i përmbushur kushtet që kërkohen për anëtarësim në BE", i tha Schmunk Deutsche Welle-s.

Gjermania ishte një nga vendet e para që e njohën Kosovën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2018. Por ndihma gjermane për Kosovën ka nisur që më parë. Që nga përfundimi luftës në vitin 1999 dhe deri tani Gjermania ka qenë donatori më i madh në Kosovë me 500 milionë euro.  Dhe siç premtoi Siebert, me gjithë turbullirat e kohëve të fundit, Gjermania edhe në të ardhmen do ta mbështesë siç tha ai, duke huazuar shprehjen e ministrit Pacolli, "familjen e vogël në Kosovë".